Objekti i Qeverisë së Kosovës është mbuluar të enjten në mbrëmje me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.
Eksponentë të pushtetit kanë publikuar fotografinë që shfaq emblemën e vendosur nëpërmjet një projektori.
Veprimi është cilësuar i vonuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Tek e ka quajtur të mirë këtë veprim, deputetja Vlora Çitaku ka kujtuar se vendosja ka ndodhur pas 16 ditësh protestash.
E ajo ka përsëritur thirrjen për Qeverinë, që të sjellë në Kuvend propozimin e PDK-së për ndryshim të Ligjit për Specialen.
“Sonte, pas protestës popullore, ndërtesa e Qeverisë qenka mbuluar me simbolin e UÇK-së. Mirë shumë. Por, ka 16 ditë e 16 net që sheshet po buçasin anë e kënd Kosovës, e kudo në diasporë ku ka shqiptarë: Jo në Emrin Tim. Dhe kërkesa drejtuar Albin Kurtit është e qartë: silleni ligjin në Kuvend dhe votojeni. Pa humbur kohë. UÇK-ja ka nevojë për mbrojtje shtetërore, jo për instalacione e fjalë boshe. Vepra, Albin. Jo fjalë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Qe 16 ditë, qytetarët po protestojnë në shesh kundër verdiktit të Gjykatës Speciale ndaj katër udhëheqësve të UÇK-së. Më 16 shtator, kjo gjykatë dënoi me 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.