Studiuesi dhe analisti politik, Adri Nurellari, ka paralajmëruar që pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare do të vështirësohet, nëse Serbia rimerr një pozitë strategjike në raport me SHBA-në dhe vendet tjera të perëndimit.
Ai ka thënë se në këtë aspekt bëhet alarmante që Kosova nuk është duke përfituar nga një klimë e favorshme evropiane e përshpejtimit të procesit të integrimit, ndërkohë që edhe i është pezulluar dialogu strategjik i parashikuar me SHBA-në, ndërkohë që atë po e nis Serbia.
“Duhet të alarmohemi sepse jemi duke e humbur përparësinë qe e kemi pasur deri tani, epërsinë morale, ne kemi pasur qasje dhe mbështetje të jashtëzakonshme nga SHBA-ja dhe partnerët tjerë të perëndimit dhe do ta shikojmë që pozita e Kosovës vështirësohet ndjeshëm nëse Serbia rehabilitohet, rimerr një peshë strategjike, bëhet më e pranueshme dhe e humbet atë njollë morale që neve na jepte një avantazh të thekuar”, ka theksuar Nureallri në emisionin “Konfront” në KTV.
Ai ka thënë se Kosova ka humbur kohë duke u marrë me ambiciet ditore të liderëve, siç ka thënë, veçanërisht të kryeministrit, Albin Kurti.
“Ne kemi humbur kaq shumë kohë të vyer duke u marrë me çështje të brendshme politike, me emra të përveçëm, me ambicie ditore të liderëve, në mënyrë të veçantë të Kurtit, për të kontrolluar çdo cep të institucioneve, ndërkohë që armiqtë ose kundërshtarët tanë e kanë shfrytëzuar këtë amulli dhe trazirë të brendshme tonën për të fituar terren në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Nurellari.
Sa i përket hapave që duhet të ndërmarrë Kosova pas aktvendimit të Gjykatës Speciale, ai ka thënë se duhet të ndiqet rruga që ka ndjekur Kroacia e cila pas një angazhimi të madh shtetëror ka arritur që ta rrëzojë në apel dënimin ndaj gjeneralit Ante Gotovina.
“Nuk kemi nevojë këtu për të improvizuar, ajo betejë i doli me sukses Kroacisë, në i kemi ata partnerë, ata mund të na e përcjellin përvojën më të mirë të tyre, mjafton të kuptojmë që jemi në një situatë të ngjashme, ku nuk bëhet fjalë për akuzë dhe përgjegjësi individuale, por bëhet fjalë për Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, e cila është një njollë e drejtpërdrejtë ndja luftës sonë çlirimtare”, është shprehur Nurellari.