Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Mustafa proposes "Coalition for Normality" between VV, PDK and non-majority communities

Rrustem Mustafa

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, ka propozuar një koalicion për normalitet mes Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së dhe komunitetit joshumicë. 

Mustafa në një postim në Facebook ka thënë se kjo do të formonte bazën e një “Pakti për Shtetin” të ndërtuar mbi tri shtylla kryesore. 

Si pjesë e marrëveshjes thotë se Vetëvendosje do të ketë Qeverinë e Kuvendin, ndërsa PDK-ja do ta ketë postin e presidentit. E për komunitete joshumicë ka thënë se u garantohet përfaqësimi i plotë dhe roli i tyre kushtetues në institucionet e Kosovës. 

“Shtylla e Legjitimitetit: Si forca e parë parlamentare, LVV-së i njihet roli udhëheqës në institucione dhe përgjegjësia kryesore në drejtimin e Qeverisë dhe Kuvendit, duke respektuar vullnetin e qytetarëve; Shtylla e Balancës dhe Stabilitetit Presidencial:  PDK merr përgjegjësinë për të garantuar kontrollin demokratik, balancën institucionit dhe orientimin euroatlantik përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të qëndrueshme për ndarjen e përgjegjësive. Si pjesë e këtij ekuilibri shtetëror, partitë e koalicionit marrin obligim që PDK të udhëheqë me Presidencën; Komunitetet Joshumicë:  U garantohet përfaqësimi i plotë dhe roli i tyre kushtetues në institucionet e Republikës. Kjo është marrëveshje për përgjegjësi. Nuk kërkohet që askush të heqë dorë nga legjitimiteti politik, por që ky legjitimitet të kombinohet me balancën e nevojshme për institucione funksionale”, ka shkruar Mustafa. 

Mustafa ka thënë se çelësi është në duart e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministrit Albin Kurti. 

“Si udhëheqës i forcës më të madhe parlamentare, ke përgjegjësinë për ta hapur këtë tryezë. Ky propozim njeh legjitimitetin tuaj, por kërkon balancë dhe garanci për shtetin. Besoj se PDK është e gatshme ta marrë pjesën e saj të përgjegjësisë.  Kosova nuk ka nevojë për trazira të reja politike, e as për kriza që nesër do të përdoren si justifikim për pranimin e një realiteti që mund ta ndryshojmë sot. Ka një rrugë tjetër: marrëveshje politike, përgjegjësi dhe vullnet për ta ndërtuar shtetin normal. Koalicioni për Normalitet nuk është kompromis me të ardhmen. Është përgjegjësi ndaj vendit. Kosovës i duhet mundësia për të ecur përpara, jo një krizë tjetër. Le ta shndërrojmë këtë zgjidhje politike në normalitet, zhvillim dhe perspektivë evropiane. Nga bllokada te institucionet. Nga përplasja te përgjegjësia”, ka shkruar Mustafa.