Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

International media reports on the "last-minute candidate"

Justina Shiroka - Chicken

Photo: Driton Pacharada

Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje zgjedhjes së presidentes Justina Shiroka-Pula, duke e lidhur atë me kompromisin mes pushtetit dhe opozitës. Në raportimet e tyre, zgjedhja e saj shihet kryesisht si zhvillim që shmangu një tjetër palë zgjedhjesh dhe ndërpreu krizën politike në vend

Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës presidente e Kosovës u raportua gjerësisht nga mediat ndërkombëtare, të cilat theksuan kompromisin politik që shmangu zgjedhjet e reja dhe rrezikun e një tjetër krize institucionale.

Agjencia e lajmeve, Reuters, e përshkruan zgjedhjen si një zhvillim që i dha Kosovës mundësinë të shmangë një tjetër palë zgjedhjesh të parakohshme.

Agjencia thekson se Shiroka-Pula mori 81 vota, vetëm një më shumë se dy të tretat e nevojshme, në një votim të zhvilluar pak para skadimit të afatit kushtetues.

Sipas Reutersit, zgjedhja ishte rezultat i një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Agjencia e lidhi marrëveshjen edhe me ndryshimet që synojnë kufizimin e kompetencave të Dhomave të Specializuara në Hagë, duke rikujtuar protestat e fundit dhe përplasjet mes demonstruesve dhe policisë.

Associated Press e vendos zgjedhjen në një kontekst më të gjerë të krizës politike.

Agjencia amerikane thekson se Kosova ka kaluar më shumë se 19 muaj në bllokim institucional dhe ka mbajtur dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kjo agjenci e cilëson Shiroka-Pulën si kandidate të minutës së fundit, të mbështetur nga pushteti dhe opozita, ndërsa veçon faktin se ajo bëhet presidentja e tretë grua e Kosovës që nga paslufta.

Agjencia i ka kushtuar vëmendje edhe protestave jashtë Kuvendit, të lidhura me kërkesat për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ndërkaq, Al Jazeera e ka prezantuar zgjedhjen e presidentes së re si një kompromis pragmatik, i arritur për të stabilizuar institucionet dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.

Kjo medie citon analisten Donika Emini, e cila e konsideron zgjedhjen një përpjekje për stabilizimin e institucioneve, në një kohë kur në Kosovë ka lodhje nga zgjedhjet dhe pakënaqësi ndaj klasës politike.

AFP-ja, ndërkaq, e vë theksin te marrëveshja e arritur në minutat e fundit mes kryeministrit Albin Kurti dhe partisë më të madhe opozitare.

Sipas agjencisë franceze të lajmeve, marrëveshja siguroi shumicën prej dy të tretash për zgjedhjen e presidentes, në këmbim të miratimit të ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara.

Miratimi i ndryshimeve u shoqërua me festime nga mijëra protestues të mbledhur pranë Kuvendit, ndërsa në Prishtinë u hodhën edhe fishekzjarrë.

AFP-ja sqaron se këto ndryshime nuk prekin dënimet aktuale të Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, të cilët kanë paralajmëruar se do t’i apelojnë vendimet në Apel.