Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

"Freedom is more precious than life" - Fehmi and Xhevë Lladrovci are remembered

Fehmi and Xheve Lladrovci

Në foto, Fehmi e Xhevë Lladrovci.

Me fjalinë e famshme “Ma e shtrenjtë është liria se jeta” janë kujtuar heronjtë Fehmi e Xhevë Lladrovci në 28-vjetorin e rënies.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tek ka bërë homazhe, ka thënë se Fehmi e Xhevë Lladrovcit historia i mban si figura gjithmonë pranë njëri-tjetrit sepse të tillë e bënë edhe rrugën e tyre çlirimtare.

“Në jetën e Fehmiut dhe Xhevës, dashuria për njëri-tjetrin dhe dashuria për Kosovën ecën gjithmonë krah për krah, deri në ditën kur të dy ranë për lirinë e saj”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Fehmiu do ta thoshte vetë, në një fjali që mbeti ndër më të fuqishmet nga koha e luftës: “Ma e shtrenjtë është liria se jeta.” Xheva nuk kishte nevojë ta thoshte. E gjithë jeta e saj, deri në qëndresën e fundit përkrah tij në Gradinë, dëshmoi të njëjtën bindje. Kjo është arsyeja pse Fehmiu dhe Xheva nuk mund të kujtohen njëri përmes tjetrit. Secili kishte bërë rrugën e vet drejt së njëjtës liri dhe, kur erdhi çasti i fundit, të dy e vunë jetën e tyre në shërbim të saj”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

“Gjithqysh, edhe me dëshirën më të madhe. Ma e shtrenjtë është liria se jeta”, pati thënë ai kur ishte pyetur se a është i gatshëm të japë jetën për Kosovën. “Të gjithë ushtarët e UÇK-së janë të vetëdijshëm se pushkën e kanë marrë me vdek për lirinë e Kosovës”.

Haxhiu ka kujtuar se të dy, si inxhinier e profesoreshë e shqipes e kanë nisur rrugën e çlirimit të Kosovës vite të tëra para luftës.

Fehmi Lladrovci ishte pjesë e organizimit politik të viteve të 80-ta dhe për bindjet e veprimtarinë e tij kaloi vite në burgjet jugosllave. Kur u arrestua në shtator të vitit 1985, ai dhe Xheva sapo kishin nisur jetën e tyre së bashku. Burgimi i gjatë nuk e ndërpreu as lidhjen mes tyre, as rrugën që kishin zgjedhur. Xheva menjëherë iu bashkua familjes Lladrovci, dhe përkundër faktit se Fehmiu ishte në burg, ajo e vazhdoi vetë veprimtarinë politike në vitet kur çdo lidhje me lëvizjen ilegale ishte rrezik i madh.

Pas lirimit të Fehmiut nga burgu, jeta e tyre vazhdoi larg Kosovës, por jo larg çështjes së saj. Morën pjesë në luftën në Kroaci, vazhduan veprimtarinë politike në Mynih të Gjermanisë dhe u përfshinë në përgatitjet që, me kalimin e viteve, do të çonin në organizimin e luftës çirimtare në Kosovë.

Fehmiu u vu në krye të Brigadës 114 dhe mori pjesë në organizimin, stërvitjen dhe drejtimin e njësive të UÇK-së. Në atë kohë, kur UÇK-ja po rritej me shpejtësi dhe duhej të krijonte struktura, pozicione e disiplinë ushtarake, përvoja e tij kishte peshë të veçantë. Përvoja që kishte marrë në luftën e Kroacisë i shërbeu në organizimin dhe drejtimin e njësive të UÇK-së në Drenicë. Xheva, ndërkaq, kishte rolin e saj të drejtpërdrejtë në luftë. Ajo mori pjesë në organizim dhe në luftime, dhe gjatë verës së vitit 1998 ishte në vijën e frontit në disa nga betejat e UÇK-së. Prania e saj aty nuk buronte vetëm nga jeta e përbashkët me Fehmiun. Edhe Xheva kishte ardhur në atë rrugë me historinë dhe bindjet e veta. Ishte profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

“Prandaj, kur flasim për Fehmiun dhe Xhevën, nuk flasim për një luftëtar dhe bashkëshorten që e ndoqi pas. Flasim për dy veprimtarë që e kishin zgjedhë rrugën e lirisë dhe kishin marrë mbi vete rreziqet e njëpasnjëshme të asaj rruge. Liria e Kosovës për ta nuk ishte një ideal i largët, por një kauzë së cilës ia kushtuan vitet, punën, mërgimin, luftën dhe, në fund, edhe jetën”, ka shtuar Haxhiu.

Fehmiu e Xheva ranë pas goditjes nga ofensiva e forcave serbe në Gradinë të Drenicës.

Ish-kryeministri dhe ish-komandant i UÇK-së, ka kujtuar Fehmi e Xhevë Lladrovcin për guximin e orëve të para dhe rrugëtimin deri në frymën e fundit duke luftuar si një trup i vetëm.

“Qafa e Mullarit, 6 maj 1997. Aty ku kufiri i dhunshëm thyhej me armë në dorë, rreshti ynë ra në pritë të rreptë të forcave serbe. Në atë përballje ku ra vëllai im, Luani, dhe u plagos rëndë Rafet Rama, pranë nesh e në krye të rreshtit ishin ata, Fehmiu dhe Xheva. Në mes të zjarrit dhe plumbave, vendosmëria e tyre nuk u lëkund për asnjë sekondë. Aty u kalit ajo lidhje lirie e vulosur me gjak, që nuk do të thyhej kurrë. Sot, pas 28 vjetësh nga rënia e tyre heroike, kujtesa na kthen pikërisht te ky guxim i orëve të para. Fehmiu e Xheva nuk kalkuluan asgjë, ata vazhduan të palëkundur rrugëtimin e UÇK-së deri në frymën e fundit në Gradinë të Drenicës, duke luftuar krah për krah si një trup i vetëm.  Ky përvjetor na obligon përpara amanetit të tyre dhe të krejt Brigadës 114. Kujtojmë me nderim Fehmiun, Xhevën, si dhe bashkëluftëtarët Fatime Hetemi e Shefqet Zeka.  Lavdi e përjetshme atyre që shkruan historinë me gjak!” ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Në këtë ofensivë ranë edhe Fatime Hetemi, Shefqet Zeka, Behxhet Karaxha, Milazim Karaxha dhe Hamit Lladrovci.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se komuna s’do të organizojë manifestime të tjera pos nderimeve te Memoriali në Gllanasellë, për shkak të rrethanave aktuale në Kosovë pas dënimit nga Gjykata Speciale me 81 vjet burgim të katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.