Në mesin e disa temave tjera kyçe për të tashmen dhe të ardhmen e BE-së në samitin që sot përfundoi në Bruksel, liderët e vendeve anëtare kanë diskutuar edhe për procesin e zgjerimit. Ata kanë shkëmbyer qëndrimet edhe për raportin e mëhershëm të Komisionit Evropian për zgjerimin dhe për disa reforma që i ka dhënë për ta bërë zgjerimin proces të suksesshëm.
Në konkluzat e miratuara nga ky samit përsëritet përkushtimi i liderëve të BE-së për zgjerim, por rikujtohet se ky proces duhet të shkoj paralelisht. Në njërën anë vendet kandidate duhet të avancojnë në përmbushjen e kritereve për anëtarësim por në anën tjetër edhe BE-ja duhet të përgatitet për të pranuar anëtarë të rinj.
Nga vendet në procesin e zgjerimit, ku Kosova vazhdon të jetë e vetmja e cila nuk e ka statusin formal të vendit kandidat, kërkohet sidomos përparim në fushën e rendit dhe ligjit.
“Vendet të cilat aspirojnë anëtarësimin duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre në reforma, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit, në përputhje me parimin e meritave individuale i cili e karakterizon procesin e zgjerimit. Këshilli Evropian rikujton se procesi i anëtarësimit bazohet në merita dhe se secili vend kandidat avancon në negociatat e anëtarësimit në bazë të progresit të tij individual”, thuhet në dokument.
Mali i Zi është vendi më i avancuar por edhe për këtë vend kandidat po paraqiten disa pengesa. Kroacia ua ka tërhequr vërejtjen vendeve të BE-së se para se të anëtarësohet në BE, Mali i Zi duhet t’i zgjidhë disa çështje të hapura me Kroacinë që kanë të bëjnë edhe me trashëgiminë nga lufta kur Mali i Zi si pjesë e shtetit të përbashkët me Serbinë kishte bërë agresion ndaj Kroacisë.
Në konkluzat e miratuara thuhet se Këshilli Evropian përshëndet punën për hartimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi. Merr në dijeni synimin e Presidencës irlandeze të Këshillit për të punuar drejt mbylljes së përkohshme të kapitujve të mbetur të negociatave, duke pasur parasysh zbatimin e reformave përkatëse nga ana e Malit të Zi. Por nuk përmendet më synimi për përmbylljen e negociatave deri në fund të këtij viti. Kjo referencë thuhet të jetë hequr pikërisht me kërkesën e Kroacisë.