Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Kurti on the 27th anniversary of the Police: Thanks to their work, crime has no place in Kosovo

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, tha se vendi është më i sigurt se kurrë më parë, falë forcimit të Policisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se forcimi i Policisë, veçanërisht në veri të vendit, ka ndihmuar edhe në zbulimin e varrezave masive në Zubin-Potok. Ai përmendi edhe policët e rënë në detyrë, të cilët i cilësoi si heronj të vendit, ndërsa tha se themelimi i Xhandarmërisë do të shërbejë si përforcim shtesë për Policinë e Kosovës.

“Kosova është më e sigurt se kurrë më parë, sepse Policia e Kosovës është më e fortë se kurrë. Me sakrificë dhe shumë mund u ngrit ky institucion, ku sot secili dhe secila që është pjesë e tij punon me përpikëri për sigurinë e vendit”, tha Kurti.

Kurti tha se krimi nuk ka vend në Kosovë, falë punës së Policisë së Kosovës.

“Janë ngritur dhe forcuar mbi 20 stacione dhe baza policore në gjithë veriun, aty ku më parë nuk kishte asnjë stacion policor”.

Kjo, tha Kurti, ishte e rëndësishme edhe për zbulimin e varrezave masive në Zubin-Potok.

“Themelimi i Xhandarmërisë do të shërbejë si një përforcim shtesë, me mandat të qartë për sigurinë e vijës ajrore dhe tokësore të vendit. 6 Shtatori është dita e Policisë, e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi dhe e të gjithë atyre që angazhohen që shteti të ketë paqe, siguri dhe dinjitet”, tha Kurti. 

E ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në ceremoninë për nder të 27-vjetorit të Policisë së Kosovës, ka thënë se çlirimi i vendit nuk shënoi fundin e rrugës, por fillimin e ndërtimit të një policie të fortë të Kosovës, raporton Ekonomia Online. 

Ajo ka përmendur 6 shtatorin e vitit 1999, kur në Vushtrri 176 kadetë nisën trajnimin për Policinë e Kosovës.

Sipas saj, historia e Policisë së Kosovës është e pandashme nga historia e vendit.

“Historia e Policisë së Kosovës është e pandashme nga historia e vendit”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka theksuar se nga 176 kadetët e gjeneratës së parë, Policia e Kosovës është rritur në mbi 9 mijë zyrtarë policorë.

“Gjatë këtyre viteve, Policia ka ndërtuar kapacitetet e saj, por mbi të gjitha ka fituar besimin e qytetarëve”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se mbi 80 për qind e qytetarëve shprehin besim në Policinë e Kosovës, duke e renditur atë bashkë me FSK-në në institucionet më të besueshme në vend. 

E ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, në fjalimin e tij vlerësoi punën, përkushtimin dhe sakrificën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e profesionalizmit dhe guximit në shërbim të qytetarëve dhe shtetit.

“Policia e Kosovës ka ndërtuar një histori të pasur institucionale, të shoqëruar me etapa të rëndësishme, sfida të shumta dhe përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha. Pavarësisht ndryshimeve dhe rrethanave të kohës, një gjë ka mbetur e pandryshuar, misioni i saj për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Në këtë përvjetor u vlerësua kontributi i Policisë së Kosovës në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ndërsa në mënyrë të veçantë u përkujtuan pjesëtarët e saj që humbën jetën në krye të detyrës.

“Në këtë 27-vjetor kujtojmë me respekt të thellë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që dhanë jetën në krye të detyrës. Ata janë pjesë e pandashme e historisë së këtij institucioni dhe dëshmia më e lartë e përkushtimit ndaj qytetarëve dhe Republikës”, deklaroi Sveçla.