Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Kurti: Over 53 percent of breast cancer cases last year were diagnosed early

albin kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se mbi 53.4 për qind e rasteve të kancerit të gjirit në Kosovë gjatë vitit 2025 janë diagnostikuar në stadet e hershme, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit me kohë, raporton Ekonomia Online.

Ai ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar janë raportuar 601 raste të reja, prej tyre 592 te gratë dhe nëntë te burrat.

Në hapjen e fushatës “Tetori Rozë”, Kurti ka thënë se krahas shtimit të pajisjeve diagnostikuese dhe fushatave ndërgjegjësuese, është shënuar përparim në diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

“Jemi këtu për gratë që janë në trajtim, dhe për ato të cilat e kanë përfunduar atë, që të rrisin vetëdijen për rëndësinë e kontrolleve të rregullta, pra të zbulimit të hershëm dhe të trajtimit me kohë. Falënderoj të gjitha organizatat që përmes punës së tyre të përditshme u qëndrojnë pranë grave dhe familjeve të tyre. Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit; 592 te gratë dhe 9 te burrat. Deri në vitin 2022, shumica e rasteve të diagnostikuara me kancer të gjirit ishin ose në fazën e tretë, ose të katërt. Falë shtimit të pajisjeve diagnostikuese dhe fushatave ndërgjegjësuese, nga Ministria e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, në vitet 2023 dhe 2024 shumica e rasteve u diagnostikuan në fazën e parë ose të dytë. I njëjti trend është evidentuar edhe në vitin e kaluar, 2025, kur mbi 53.4% të rasteve janë diagnostikuar në stadet e hershme. Për këto raste, mundësitë për trajtim dhe shërim janë dukshëm më të mira. Zbulimi i hershëm është aq i rëndësishëm saqë jetik. Shqetësimet nuk duhet injoruar, dhe kontrollet nuk duhet shtyrë e vonuar”, tha ai.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se që nga viti 2023 mamografia ofrohet falas në shëndetësinë publike, ndërsa ka bërë të ditur se në Fushë Kosovë tashmë është funksionalizuar një mamograf i ri.

Ai ka njoftuar gjithashtu se në Klinikën e Onkologjisë janë vendosur dy akseleratorë të rinj, njëri prej të cilëve është i pajisur me sistemin CRAD, që, sipas tij, mundëson realizimin e radioterapisë me saktësi të lartë.

“Në shëndetësinë publike, që nga viti 2023, mamografia ofrohet falas. Së fundmi, një mamograf është blerë dhe tashmë është funksional në Fushë Kosovë. E në shëndetësinë tek ne, konkretisht në Klinikën e Onkologjisë, janë vendosur edhe dy akseleratorë të rinj, njëri prej tyre është i pajisur me sistemin CRAD, që ndihmon në realizimin e radioterapisë me saktësi të lartë, i vetmi në rajon. Por përveç Fushë Kosovës, janë edhe 8 mamografë të tjerë që të gjithë dixhitalë, të cilët do të vijnë këtë vit dhe do të shpërndahen nëpër komunat e Kosovës, aty ku nuk ka”, tha ai.

Kurse, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ministria ka rritur buxhetin për barnat për gratë që janë duke u përballur me këtë sëmundje.

“Sepse kjo është faza e parë dhe kjo kontroll, kjo vetë-kontroll, ky ndërgjegjësim shpëton jetë. Përveç fushatave të shumta nga viti 2023 siç u përmend, mamografia është falas dhe sipas planit kombëtar të skriningut për kancerin e gjirit, tash po e shtrijmë shërbimin e mamografisë në secilën komunë dhe gjatë këtij viti do të shtohen edhe 8 mamograf në çdo komunë që ky shërbim jetik për qytetarët e Republikës së Kosovës të ofrohet sa më afër. Në kuadër të këtij plani, thamë që në Fushë Kosovë veç është instaluar, kurse po presim edhe tetë të tjera dhe gjatë këtij muaji po ashtu do të jetë në funksion edhe mamografia mobile e cila do të shkojë në Kosovë, në secilin cep”, tha ai.

Ndërsa, drejtoresha e organizatës “Jeta Vita”, Nafije Latifi, tha se duhet bërë zotim të përbashkët, që pacientja të jetë vërtet në qendër të çdo politike, çdo vendimi dhe çdo veprimi.

“Prandaj, nuk mjafton të flasim për ndërgjegjësim dhe të japim premtime vetëm një muaj në vit. Sot duhet ta pyesim veten: a po veprojmë secili sipas obligimeve dhe përgjegjësive që kemi, gjatë gjithë vitit? Sepse pas çdo diagnoze është një grua. Është një familje. Është një jetë. Dhe ajo jetë pret nga ne, secili. Realisht, pret nga ju. Prandaj, ju lutem, ta kthejmë këtë tetor në një zotim të përbashkët, që pacientja të jetë vërtet në qendër të çdo politike çdo vendimi dhe çdo veprimi”, tha ajo.

Read other updates
Albulena Haxhiu

Haxhiu opens "Pink October": Early diagnosis is essential in the fight against breast cancer

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka hapur fushatën “Tetori Rozë”, duke theksuar...