Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Kurti seeks Kuwait's support for Kosovo to gain observer status in the Organization of Islamic Cooperation

kurti

Kryeministri Albin Kurti në një takim me Princin e Kurorës së Shtetit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Khaled Al Hamad Al-Sabah, ka kërkuar mbështetjen e këtij shteti që Kosova të fitojë statusin e vëzhguesit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.

Në takimin i cili është mbajtur në margjinat e punimeve të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, Kurti ka thënë se është koha që miqësinë mes dy vendeve ta kthejnë në partneritet konkret në rrugën e zhvillimit ekonomik.

“Miqësia mes Kosovës dhe Kuvajtit nuk lindi në kohë të qeta. Në vitin 1999, kur populli ynë po dëbohej dhunshëm nga shtëpitë e veta, një nismë televizive në Kuvajt mblodhi shtatë milionë dollarë për një ditë të vetme për Kosovën. Vetë Emiri i ndjerë dhuroi një milion dollarë. Kuvajti e di nga përvoja e vet ç'do të thotë të përjetosh agresionin e okupimin, ta humbasësh lirinë dhe ta rifitosh me ndihmën e aleatëve. Mbase për këtë e kuptoi Kosovën shpejt dhe mirë. Ne nuk e harrojmë këtë solidaritet”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Kryeministria.

Bëhet gjithashtu e  ditur se princi ka falënderuar shtetin e Kosovës për përkrahjen në luftimin e ekstremizmit në rajonin e Gjirit. Ndërsa biseduam edhe për kontributin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin paqeruajtës në Kuvajt si pjesë e Gardës Kombëtare të Iowa-s.

“Tani është koha për një hap të ri domethënës: këtë miqësi ta kthejmë në partneritet konkret në rrugën e zhvillimit ekonomik. Shprehëm gatishmërinë tonë për ta nënshkruar memorandumin për Komisionin e Përbashkët për Bashkëpunim, i cili do t'u japë marrëdhënieve tona mundësi të reja dhe një kornizë të qëndrueshme. U pajtuam që së shpejti do t'i përmbyllim edhe marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe marrëveshjen për mbrojtjen e investimeve. Kërkuam gjithashtu mbështetjen e Kuvajtit që Kosova të fitojë statusin e vëzhguesit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. 

Tutje në komunikatë theksohet se nevoja dhe vullneti i përbashkët për bashkëpunim ekonomik më të gjerë dhe më të thellë lidhen doemos me arritjet e Kosovës në sektorë kyç, si teknologjia e informacionit dhe industria e mbrojtjes, e ku të rinjtë dhe kompanitë tona po dëshmojnë çdo ditë se Kosova është vend i talentit, i punës dhe i mundësive.