Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Kosovo without response after banning 103 tons of expired meat from Brazil

Cartoon of the day

Meat from Brazil

Mishi nga Brazili vazhdon të importohet në Kosovë, pavarësisht masave të reja të Bashkimit Evropian ndaj produkteve me origjinë shtazore nga ky shtet. Kosova ende nuk ka ndërmarrë një masë të ngjashme. Ndërkohë, autoritetet nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me rastin e 103 tonëve mish të skaduar, sasi që dyshohet se ishte e destinuar për tregun e Kosovës

Një ngarkesë prej 103 tonësh mish viçi i ngrirë, me afat të skaduar, është ndaluar javën e kaluar në një pikë doganore të Malit të Zi.

Sipas autoriteteve malazeze, mishi ishte i destinuar për Kosovën.

Rasti ngre pikëpyetje për kontrollin e importeve të produkteve shtazore që hyjnë në Kosovë, veçanërisht nga Brazili.

Kosova nuk ka marrë vendim për pezullimin e importit të mishit nga Brazili, në kohën kur Bashkimi Evropian dhe disa vende të rajonit e kanë bërë këtë.

Që nga 3 shtatori, ndalohet importi në tregun e BE-së i mishit të gjedhit, shpendëve dhe produkteve të tjera me origjinë shtazore nga Brazili.

Masa vlen për të gjitha 27 shtetet anëtare.

Kosova nuk është anëtare e BE-së dhe, rrjedhimisht, vendimet e këtij blloku nuk zbatohen automatikisht në vend. Por, përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Kosova ka marrë përsipër përafrimin gradual të legjislacionit dhe standardeve të saj me ato të Bashkimit Evropian.

Kjo përfshin edhe sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe kontrollin e produkteve me origjinë shtazore.

Në raportin e vitit 2025 për Kosovën, Komisioni Evropian ka kërkuar hapa konkret për harmonizimin e legjislacionit me BE-në.

“Të fillojë puna për harmonizimin dhe miratimin e legjislacionit në fushën e politikës fitosanitare, në përputhje me acquis-in e BE-së”, thuhet në kërkesën e Komisionit Evropian.

Por, deri tash, nuk ka përgjigje nëse institucionet e Kosovës do të marrin masa të ngjashme me ato të BE-së.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë nëse do të pezullohet importi i mishit nga Brazili dhe çfarë masash janë ndërmarrë pas rastit të 103 tonëve mish i skaduar, por nuk ka marrë përgjigje.

E drejtori i Qendrës “Alert”, Granit Sokolaj, ka thënë se çështja është edhe më problematike, pasi sipas tij, Kosova ka importuar historikisht mish nga stabilimente që nuk janë të miratuara nga Bashkimi Evropian.

“Në fakt, Kosova është shumë prapa me proceset e integrimit dhe, siç duket, nuk e ka në prioritet që t’i zbatojë ato vendime që merr Bashkimi Evropian, ashtu siç ka vepruar edhe Shqipëria. Për pasojë, sigurisht që janë të rrezikuar edhe konsumatorët. Por duhet të dimë diçka: Kosova është shumë më herët e rrezikuar nga mishi i Brazilit sesa Bashkimi Evropian apo Shqipëria, sepse historikisht Kosova ka marrë mish nga Brazili, edhe nga stabilimente të pamiratuara nga Bashkimi Evropian. Kjo është e çuditshme dhe përbën një rrezik të madh për shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti, Kosova ka importuar nga Brazili mish gjedhi dhe shpendësh në vlerë prej më shumë se 50 milionë eurosh.

Për rastin e 103 tonëve mish të ndaluar në Mal të Zi, të cilët ishin të destinuar për Kosovën nga një kompani vendore, KOHA ka kontaktuar edhe Prokurorinë dhe Policinë për të pyetur nëse janë duke u hetuar dhe nëse po merren masa ndaj personave që merreshin me pajisje për falsifikimin e tiketave të datave të skadimit.

Por, deri në publikimin e tekstit, këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

Kosova pati ndaluar përkohësisht mishin e pulës dhe produktet e tjera të shpendëve nga Brazili në maj të vitit 2025. Masa ishte marrë pasi Brazili pati konfirmuar shpërthimin e gripit të shpendëve në një fermë.