Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

The establishment of a Post-Traumatic Stress Center for KLA veterans is requested

veterans

Photo: Illustration

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) dhe Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike i kanë kërkuar Komisionit për mirëqenie sociale, punë, familje, vlerat e luftës çlirimtare, viktimat e dhunës seksuale të luftës dhe për persona të pagjetur, themelimin e menjëhershëm të Qendrës së stresit posttraumatik për veteranët e UÇK-së. 

Në njoftimin e QIPS-it për këtë thuhet se për më shumë se një dekadë, institucionet kanë “zgjedhur ta injorojnë një obligim ligjor që lidhet drejtpërdrejt me jetën dhe shëndetin mendor të njerëzve”.

Në njoftim thuhet se Ligji për veteranët parasheh që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, e kanë për detyrë ta themelojnë këtë qendër për rehabilitimin emocional, shpirtëror dhe trajtimin e traumave të luftës. 

“Kanë kaluar mbi 10 vjet nga miratimi i ligjit dhe ky zotim vazhdon të mbetet i pazbatuar, pa asnjë nismë konkrete në nivel qeveritar. Hulumtimet shkencore vazhdimisht dëshmojnë se veteranët janë veçanërisht të ndikuar nga stresi posttraumatik dhe kanë mundësi më të lartë të përjetojnë mendime për vetëvrasje, ndërsa në vitin 2025 përfaqësues të OVL-së kanë deklaruar se mbi 60 veteranë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje”, thuhet në njoftim.

Shëndeti mendor thuhet se është e drejtë themelore e njeriut dhe shteti ka përgjegjësi direkte të ofrojë shërbime të qasshme e të dinjitetshme. Në njoftim thuhet se shteti i ka lënë veteranët të vetëm përballë traumës. 

“Kemi kërkuar trajtim urgjent të kësaj letre nga Kuvendi i Kosovës për të jetësuar më në fund këtë obligim ligjor dhe për të ndalur një krizë që po merr jetë njerëzish çdo ditë”, thuhet në njoftim.