Nënkryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Belind Këlliçi ka thënë se janë në mbështetje të protestuesve. Sipas Këlliçit këto protesta përbëhen vetëm nga të rinjët dhe nuk ka të bëjë me atë që thuhet se janë përfshirë edhe grupe të tjera.
Deputeti i PD-së, Këlliçi në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se kryeministri Edi Rama vazhdimisht e ka kopjuar ish-presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq përveç me shpërblimin prej 2 mijë e 500 eurosh për siç tha – që të rrahin të rinjët që protestojnë.
“Ne jemi në mbështetje totale të protestuesve. Kjo është protestë e studentëve jo e ndonjë grupi politik. Çdo prind duhet të dalë në mbështetje të fëmijëve të tyre që po dhunohen barbarisht në protesta nga policia. E vetmja gjë që Rama nuk e ka kopjuar deri më tani Vuçiqin është shpërblimi 2 mijë e 500 euro për policët që rrahin studentët dhe rininë shqiptare. Është e pamundur për ne të tolerojmë një këso kryeministri që ka humbur arsyen. Të premtosh 2 mijë e 500 euro për këdo që rrah rininë, këso premtimi nuk ka guxuar të bëjë as Ramiz Alija”, ka thënë Këlliçi.
Këlliçi ka thënë se Rama e ka kopjuar vazhdimisht Vuçiqin në qasjen e tij me studentët protestues, përfshirë edhe tentativën e fundit për dialog duke vendosur karrige boshe.
“I gjithë ky sistem duhet të bjerë. Është ngjashëm sa i përket demokracisë me atë që ka ndodhur në Serbi, me atë që ka arritur të bëjë Vuçiqi me popullin e tij. Po të shihni edhe mënyrat që janë përdorur edhe mjetet që janë përdorur, edhe lëvizja e fundit e Ramës ku ka kërkuar dialog nuk është asgjë më shumë sesa një kopje e shëmtuar e asaj oferte për dialog me at karrige bosh që Vuçiqi ka bërë para pak muajsh si ofertë për bashkëbisedim me studentët në protestat e Beogradit”, është shprehur deputeti i PD-së.
Sipas Këlliçit e vetmja zgjidhje për të ndaluar protestat është dorëheqja e Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike për gjashtë muaj e cila do të garantonte zgjedhjet e ardhshme të ndershme.
“Zgjidhja e vetme politike është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike me një mandat të qartë 6 mujor ku misioni i vetëm i kësaj qeverie të jetë garantimi i zgjedhjeve të tjera të ndershme. Ky parlament nuk është parlament legjitim sepse Edi Rama ka futur duart thellë në zgjehdje dhe i ka manipuluar zgjedhjet e muajit maj të vitit të kaluar. I ka vjedhur ato zgjedhje. E vetmja zgjidhje aktualisht është largimi i menjëhershëm i kryeministrit Rama dhe zgjedhjet e tjera të ndershme”, ka deklaruar Këlliçi.
Protestat e dhunshme në Shqipëri kanë hyrë në ditën e tetë me radhë. Në këto ditë, protestuesit kanë sulmuar institucionet publike përfshirë disa ministri e banka, derisa policia i është kundërpërgjigjur me gaz, ujë e plumba gome.
Në këto protesta janë lënduar protestues e policë. Që të gjitha kanë filluar me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ka thënë se nuk do e bëjë një gjë të tillë.