Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Hargreaves: The sentences from The Hague are individual, they in no way judge the statehood of Kosovo

Jonathan Hargreaves

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka theksuar se dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale janë individuale, dhe se në asnjë mënyrë nuk e gjykojnë shtetësinë e Kosovës e as sovranitetin. 

Ai ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë fuqishëm Kosovën në të ardhmen. 

“Dënimet e fundit kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme. Ato në asnjë mënyrë nuk përbëjnë gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj, të cilën Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë fuqishëm. Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimet e tyre”, ka theksuar ai.

Teksa ka kujtuar hyrjen e trupave britanike në Kosovë në qershor 1999, Hargreaves ka përmendur krijimin e Dhomave të Specializuara duke e cilësuar si vendim të vështirë që pati marrë Kosova. 

“Kosova mori vendimin e vështirë për të themeluar dhe mbështetur Dhomat e Specializuara, duke e ditur se ato mund të hetonin disa nga figurat më të njohura të organizimeve që ishin në qendër të luftës së saj për çlirim. Kosova mund të jetë krenare për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të mbështetur parimin se askush nuk është mbi ligjin. Ky është një shembull i rëndësishëm për të gjithë rajonin”.

Ambasadori shtoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj së vërtetës për Ballkanin Perëndimor dhe pajtimit të qëndrueshëm, duke ritheksuar se Britania është krenare për rolin e saj në Kosovë në vitin 1999. 

“Në qershor të vitit 1999, trupat britanike kaluan kufirin këtu, në Han të Elezit, si pjesë e misionit të NATO-s, të autorizuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me qëllim ndalimin e spastrimit etnik dhe dhunës ndaj popullsisë civile në Kosovë. Politikat katastrofike të Slobodan Millosheviqit çuan në krime lufte dhe represion të dokumentuar gjerësisht në Kosovë. Qindra mijëra shqiptarë etnikë u detyruan të largoheshin nga Kosova ose u zhvendosën brenda vendit. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rusinë, shprehu vazhdimisht shqetësimin e thellë për gjendjen e rëndë humanitare. Millosheviqi refuzoi të gjitha përpjekjet për arritjen e paqes, duke çuar në fushatën ajrore të NATO-s në vitin 1999 dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook.