Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka ngritur shqetësime lidhur me vendimet e marra nga Qeveria në detyrë në mbledhjen e 12 gushtit, duke i cilësuar ato si të kundërligjshme dhe në kundërshtim me kufizimet kushtetuese.
GLPS ka argumentuar se shumica e anëtarëve të Qeverisë në detyrë janë betuar si deputetë të Kuvendit të Kosovës, çka, sipas këtij grupi, e bën të kontestueshme vazhdimin e ushtrimit të funksioneve ekzekutive.
Sipas GLPS-së, Neni 72 i Kushtetutës, Neni 26 i Ligjit për Qeverinë dhe aktgjykimi i Gjykatës Supreme ndalojnë ushtrimin e njëkohshëm të funksionit të deputetit dhe anëtarit të Qeverisë.
“Duke qenë se shumica e anëtarëve të Qeverisë në detyrë janë betuar si deputetë të Kuvendit të Kosovës, vendimmarrja e djeshme është e kundërligjshme dhe i tejkalon kufizimet kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në reagimin e GLPS-së.
GLPS-ja ka bërë të ditur se më 6 gusht i është drejtuar Zyrës së Kryeministrit me kërkesë për dokumentacionin që dëshmon nëse anëtarët e Qeverisë në detyrë, të zgjedhur deputetë, kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ministrore.
Sipas GLPS-së, sot është dita e shtatë dhe e fundit e afatit ligjor për përgjigje, ndërsa grupi pret që Zyra e Kryeministrit të përmbushë detyrimin ligjor dhe të sigurojë transparencë lidhur me këtë çështje.
also
The year whose consequences are counted
Në reagim theksohet gjithashtu se dorëheqja nga një funksion publik nuk duhet të jetë vetëm një akt formal, por duhet të pasohet edhe me ndërprerjen faktike të ushtrimit të atij funksioni.
GLPS-ja ka kërkuar nga anëtarët e Qeverisë transparencë dhe llogaridhënie lidhur me statusin e tyre juridik, ndërsa ka bërë thirrje që Qeveria në detyrë të përmbahet nga çdo veprim që tejkalon kompetencat e saj.
“Vendimmarrja e djeshme e Qeverisë në detyrë është e kundërligjshme dhe nuk mund të normalizohet”, ka deklaruar GLPS.