Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Farmers complain that the planting season has been put at risk

Close

Fermerët që aplikuan për mbështetje përmes pagesave direkte për vitin 2026 ende nuk janë subvencionuar nga Ministria e Bujqësisë.

Thirrja për aplikim është hapur më 22 qershor, ndërsa Ministria e Bujqësisë ende nuk i ka publikuar listat e përfituesve.

Sipas fermerëve, inspektorët që duhet të bëjnë verifikimin e sipërfaqeve të mbjella dhe të sasisë së tyre, në shumë raste ende nuk kanë dalë në terren.

Fermeri nga Lipjani Ali Rexhepi ka 10 hektarë me kultura të ndryshme, por deri tash askush nuk e ka vizituar.

“Unë kam aplikuar me kohë, por për verifikimin e parcelave ende nuk kanë dalë në terren tek unë. Pagesat po na vonohen. Vjet e kam marrë pagesën për vitin e ri. Tash ende nuk kanë dalë për t’i verifikuar. Vitin e kaluar, verifikimi tek unë ka ndodhur në korrik ose gusht, ndërsa tash kemi hyrë në muajin tetor dhe ende nuk ka dalë askush në terren”, ka thënë Rexhepi.

Edhe në komunën e Ferizajt, fermerët kanë të njëjtën ankesë.

“Kurrfarë informacioni nuk kemi, as kontrolle në terren e as mjete. Është viti i tretë që përballemi me të njëjtin problem, me vonesat e pagesave”, ka thënë fermeri Blerim Prestreshi.

E fermerin nga Krajkova e Drenasit, Xhemajli Bytyqi, inspektorët e vizituan më 14 tetor, dy muaj e gjysmë pas përfundimit të afatit për aplikim.

“Pagesa për fermerët ende nuk ka, nuk ka as konfirmim e as vërtetim se po vazhdon diçka tutje. Sot kanë qenë në terren inspektorët, të cilët e kanë kryer punën e tyre me sukses. Edhe në fshatin tim e kanë edhe një fermer dhe e përfundojnë punën, por ka edhe shumë fshatra ku duhet të kryhen këto kontrolle”, ka thënë ai.

Sipas fermerëve, mospagesa me kohë shkakton një sërë problemesh e mund të humbë edhe sezoni.

“Por tash është bërë shumë vonë. Tani është koha e mbjelljeve, ndërsa ne nuk guxojmë as ta lëvrojmë tokën, sepse, nëse e lëvrojmë ose bëjmë ndonjë punë tjetër, mund të na fusin në listën e zezë. Për shembull, nëse vijnë për kontroll dhe e shohin se e ke lëvruar tokën, mund të thonë se nuk e ke pasur të mbjellë”, ka thënë fermeri Fitim Kastrati.

E nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se procesi është nga fundi. 

Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Luan Sylaj, ka thënë  se vlerësimi administrativ i aplikimeve ka përfunduar kurse kontrollet në terren kanë përfunduar në shkallen 60%.

“Nga java e ardhshme fillojmë me pagesa. Fillimisht do të bëhen pagesat për sipërfaqet bazë të pranuara për subvencionim, e më pas do të vazhdohet me pagesat e radhës, ku përfshihen pagesat për pemishtet, për krerët e bagëtive dhe për vreshtarinë. Gjithashtu, dua të potencoj se nga java e ardhshme do të fillojmë vetëm me pagesat për sipërfaqet bazë dhe kulturat e tjera përkatëse, ndërsa për inputet e tjera bujqësore, si nafta dhe plehrat, pagesat do të vazhdojnë në javët në vijim”, ka thënë Sylaj.

Sylaj ka theksuar se këtë vit janë pranuar 33.460 aplikime për subvencionim.