Familjarët e 45 viktimave të masakrës së Reçakut kanë shprehur revoltën ndaj vendimit të Gjykatës Speciale që i dënoi me burgim ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet, Kadri Veselin me 28 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim
Ata janë mbledhur në kompleksin memorial në Reçak, ku kanë kujtuar që për masakrën ku u vranë e u masakruan 45 civilë shqiptarë ende nuk kanë një përgjigje nga drejtësia për përgjegjësit.
“Nga Reçaku nuk mund të flasim për drejtësi pa folur edhe për martirët e Reçakut, më 15 janar 1999 këtu u vranë 45 civilë shqiptarë, ishin njerëz të zakonshme, baballarë, nëna, të moshuar dhe të rinj, njerëz që kishin jetën e tyre. Sot 27 vjet më vonë familjet e tyre ende e presin një përgjigje të plotë dhe përfundimtare të drejtësisë për përgjegjësit e kësaj masakre, sot e 27 vjet ende e kemi të zbrazët varrin e Sahide Metushit e zhdukur në këtë masakër”, ka thënë njëri prej familjarëve.
Ata i kanë bërë thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç kanë thënë, “të ndërmarrë hapat institucionalë dhe kushtetues që i konsideron të nevojshëm lidhur me të ardhmen e kësaj gjykate”.