Profesori i historisë Bujar Dugolli ka thënë se është befasuese se si Kosova ra pre e një komploti me themelimin e Dhomave të Specializuara.
“Vetë politika kosovare ia dha në dorë një instrument që u bë sui-generis e mbi ato parime e dhe atë sovranitet të vetë apo konceptin e drejtësisë së unifikuar të një shteti, e barti diku tjetër. Kjo ishte me pëlqim të palës kosovare, deputetëve e njerëzve që ishin në pushtet”, tha Dugolli në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka përmendur edhe letrën që ia kishte dërguar ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaha, ish-përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme Catherine Aston.
“Është e pabesueshme si erdhi deri te ky lloj komploti në një mënyrë. E shoh të tillë pasi të bëhet gjykatë që përndjek vetëm krimet e supozuara në drejtim të shqiptarëve, është lloj komploti për vetë shtetin e Kosovës. Si ka mundësi që BE-ja financon, mbështet e bën presion me kriju gjykatë të tillë dhe nuk jep drejtësi për qindra mijëra viktima të pafajshme që u vranë e masakruan gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha Dugolli.
Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të vitit 2015 miratoi ligjin për themelimin e Dhomave të Specializuara, ndërsa ato nisën të funksionalizohen në Hagë më 2016.
Më 16 shtator Specialja dënoi me total 81 vjet burgim katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte. Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet e Rexhep Selimi me 13 vjet.