Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, Skënder Hita, ka konfirmuar se gjatë protestës së sotme në Tiranë janë përdorur plumba gome kundër protestuesve.
Në një konferencë për media, Hita ka thënë se përdorimi i tyre ka qenë i kufizuar dhe se policia ka përdorur vetëm pajisje të certifikuara, të lejuara për raste të tilla në vendet e Bashkimit Evropian.
“Të gjitha mjetet e përdorura janë përdorur në mënyrë të kufizuar dhe përdoren vetëm pajisje të certifikuara, që lejohen për raste të tilla në vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Hita, raporton A2.
I pyetur për shkeljet e mundshme të rregullave nga pjesëtarët e policisë, ai ka thënë se të gjitha rastet do të hetohen dhe se do të ndërmerren masat e nevojshme.
Hita deklaroi se policia nuk është kundër protestuesve, por në mbrojtje të së drejtës për protestë. Ai u bëri thirrje prindërve që të mos lejojnë fëmijët e tyre të marrin pjesë në protesta që mund të përshkallëzohen.