Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Digital violence outside the Criminal Code often goes unpunished

Kosovo Police

Mbi 1 mijë e 500 raste të kanosjes, ngacmimit dhe shantazhit janë evidentuar në Kosovë vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti. Por, shpesh kur këto vepra kryhen përmes teknologjisë, atëherë mbesin të patrajtuara, pasi dhuna digjitale nuk përcaktohet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës. Juristë e aktivistë të të drejtave të grave kërkojnë ndryshim të kornizës ligjore

1 mijë e 524 vepra penale të kanosjes, ngacmimit dhe shantazhit janë evidentuar vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, sipas Policisë së Kosovës.

Nga këto, 1 mijë e 221 raste janë për kanosje, 272 për ngacmim dhe 31 për shantazh.

Këto vepra penale parashihen në nenet 185, 186 dhe 341 të Kodit Penal të Kosovës.

Por, disa nga këto mund të kryhen edhe online përmes teknologjisë.

Meqenëse Kodi Penal i Kosovës nuk e njeh dhunën digjitale si vepër të veçantë penale, në raste të tilla mund të aplikohen dispozitat ekzistuese, si për kanosje, ngacmim apo shantazh. Por, disa forma të dhunës digjitale megjithatë mbesin të patrajtuara.

Juristi Anton Nrecaj ka thënë se problem paraqet kornizimi ligjor, i cili nuk e definon dhunën digjitale si vepër të veçantë penale.

“Është problem edhe kornizimi ligjor aktual të cilin e kemi, e cila nuk ka dispozita të veçanta ligjore, e cila e definon dhunën digjitale si vepër penale. Brenda këtij termi, në Kodin Penal, në legjislacionin aktual, janë disa dispozita të cilat e kualifikojnë ose mund të kualifikohen veprat e dhunës digjitale si lloj shantazhi, cenim i dinjitetit, integritetit personal apo edhe pjesa tjetër që ka të bëjë me falsifikimin ose cenimin e të dhënave personale. Në Bashkimin Evropian ka qenë një debat dhe akoma vazhdon të jetë një debat i gjerë për të gjetur një modalitet të luftimit të krimit digjital dhe dhunës digjitale. Natyrisht që ne jemi prapa trajtimit të kësaj çështjeje”, ka thënë Ndrecaj.

Ndërkohë, Direktiva e BE-së 2024/1385, në nenet nga 5 deri në 9, përcakton forma të ndryshme të dhunës së mundësuar nga teknologjia dhe kërkon të trajtohen përmes dispozitave penale. Në to përfshihen shpërndarja pa pëlqim e materialeve intime, materialet intime të manipuluara, kërcënimet për publikimin e tyre, përndjekja dhe ngacmimi digjital, dërgimi i pakërkuar i materialeve seksuale, publikimi i të dhënave personale për të shkaktuar dëm, si dhe nxitja e dhunës ose urrejtjes për shkak të gjinisë. 

Adelina Berisha, kryetare e Rrjetit të Grave të Kosovës, është shprehur se të gjitha format e dhunës ndaj grave që vijnë përmes teknologjisë mbesin të patrajtuara. 

“Të gjitha format e dhunës ndaj grave të cilat realizohen nëpërmjet teknologjisë mbesin të paadresuara, sepse ne, thashë, e kemi një legjislacion, ta zëmë, ngacmimi seksual si vepër penale ndoshta mund të përdoret edhe në rastet kur ky ngacmim ndodh në hapësira online. Mirëpo, për shkak se nuk është decidivisht e cekur brenda nenit të ngacmimit seksual, përveç në ligjin pastaj, ligjin civil, ku thuhet se edhe ngacmimi online duhet të dënohet, mirëpo si vepër penale nuk e kemi. Një thirrje për këto institucione që këto vepra të trajtohen nga aspekti i diskriminimit gjinor, qysh e kërkon edhe Konventa e Stambollit. Të mos harrohet ky aspekt, që kjo nuk po ndodh rastësisht, kjo po ndodh që disa grave t’u minimizohet sfera publike, t’u shuhet zëri, të mbahen nën kontroll, sepse në fund të ditës ky është qëllimi i këtyre veprave penale”, ka thënë Berisha.

KOHA i ka nisur pyetje Ministrisë së Drejtësisë të enjten, lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

Sipas Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore dhe Institutit Evropian për Barazi Gjinore, nga 114 mijë e 23 gra të anketuara në 27 vendet e BE-së, 8.5 për qind kanë përjetuar përndjekje digjitale, ndërsa te grupmosha 18–24 vjeç kjo përqindje shkon në 23.