Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Scholarships encourage students to enroll in deficit and technical profiles

Ministry of Education

Interesimi i nxënësve për profilet deficitare dhe teknike është rritur këtë vit. Drejtuesit e disa shkollave kanë se një nga arsyet është edhe bursa prej 50 eurosh në muaj, e cila pritet t’u ndahet nxënësve që zgjedhin profile deficitare e teknike. Bursat janë premtuar nga Ministria e Arsimit

Egzona Mema 

Mbështetja prej 50 eurosh nga Ministria e Arsimit për nxënësit që, pas përfundimit të klasës së nëntë, regjistrohen në profile deficitare dhe teknike, ka ndikuar në rritjen e interesimit për këto drejtime.
Në Komunën e Podujevës kanë thënë se këtë vit klasat në profilet deficitare dhe teknike janë më të plotësuara.

Nga Drejtoria Komunale e Arsimit në këtë komunë janë shprehur se kjo mbështetje ka ndikuar dukshëm në rritjen e numrit të nxënësve të interesuar për këto profile.

“Në veçanti, në Shkollën e Mesme Teknike, krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit kemi 102 nxënës më shumë të regjistruar në profilet deficitare dhe teknike. Është veçanërisht inkurajues fakti që interesimi është rritur edhe te vajzat. Nga gjithsej 102 nxënësit shtesë, 40 janë vajza, çka tregon se vajzat po tregojnë gjithnjë e më shumë interesim për profile si teknologjia, postë-telekomunikacioni, elektroteknika dhe, veçanërisht, programimi. Ky është një zhvillim pozitiv, sepse krahas plotësimit gradual të nevojave për kuadro në profilet deficitare, po krijohen edhe më shumë mundësi për të rinjtë që të aftësohen në profesione të kërkuara nga tregu i punës”, ka thënë Avni Fetahu nga Drejtoria e Arsimit në Podujevë.

Rritje e numrit të nxënësve në profilet deficitare dhe teknike është shënuar edhe në Shkollën Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Zyrafete Kafexholli, ka thënë se klasat në këto profile këtë vit janë plotësuar sipas numrit të paraparë, me nga 24 nxënës.

“Nga rreth 130 nxënës që kemi pasur vitin e kaluar në shkollën tonë në drejtimet deficitare, këtë vit shkollor kemi rritje, ku rreth 190 vajza e djem janë regjistruar në këto profile. Ka pasur interesim dukshëm të theksuar në profilet ku mbajmë mësim dual, si dizajn grafik, art interieri, arkitekturë e murator”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në një përgjigje me shkrim, i ka thënë Kohës se është hapur afati për aplikimin për bursa, por nuk ka dhënë shifër të nxënësve se sa janë regjistruar në drejtime krahasuar me vitin paraprak.

“Konkursi mbetet i hapur deri më 1 tetor 2026. Pas përfundimit të afatit për aplikim, do të themelohet komisioni profesional, në përputhje me Udhëzimin Administrativ, i cili do të bëjë vlerësimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve fitues sipas kritereve të përcaktuara në konkurs. Sa i përket numrit të nxënësve të regjistruar në arsimin dhe aftësimin profesional, ju njoftojmë se të dhënat për vitin shkollor 2026/2027 janë aktualisht në proces të grumbullimit dhe raportimit nga institucionet arsimore në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim”, thuhet në përgjigje.

Përzgjedhja e përfituesve do të bazohet në suksesin e arritur nga nxënësi në klasat 6-9, i cili do të ketë peshë prej 60 për qind, si dhe në rezultatin e Testit të Arritshmërisë, me peshë prej 40 për qind.