Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

The Ombudsman requests that the KJC reconsider the increase in court fees

Court

Avokati i Popullit ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) që ta rishqyrtojë sistemin e taksave gjyqësore, duke vlerësuar se rritja e tyre mund të krijojë barriera financiare dhe të cenojë qasjen efektive në drejtësi.

Në një opinion të publikuar të enjten, Avokati i Popullit ka shqyrtuar ndikimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2025 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore në realizimin e së drejtës për qasje në drejtësi.

Sipas opinionit, edhe pse KGJK-ja ka kompetencë për miratimin e skemës unike të taksave gjyqësore, ushtrimi i kësaj kompetence duhet të jetë në përputhje me garancitë kushtetuese për qasje efektive në drejtësi dhe me parimin e proporcionalitetit.

“Taksat gjyqësore të përcaktuara me UA nr.03/2025 derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe jo drejtpërdrejt në buxhetin e sistemit gjyqësor, gjë që dobëson lidhjen ndërmjet rritjes së taksave dhe përmirësimit të funksionimit të gjyqësorit. Për këtë arsye, nevoja dhe proporcionaliteti i rritjes së taksave duhet të arsyetohen në mënyrë të veçantë dhe të bazohen në vlerësime konkrete të ndikimit të tyre në qasjen efektive në drejtësi”, ka vlerësuar Avokati i Popullit. 

Në opinion thuhet se rritja e konsiderueshme e taksave, pagesat shtesë për ushtrimin e mjeteve juridike dhe pasojat e mospagesës së tyre mund të krijojnë pengesa disproporcionale, veçanërisht për qytetarët që nuk përfitojnë nga mekanizmat e përjashtimit apo nga ndihma juridike falas.

Duke iu referuar standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit ka vlerësuar se ekziston rrezik real që dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2025, në formën aktuale, të kenë efekte disproporcionale në raport me të drejtën për qasje në drejtësi.

Për këtë arsye, ai ka kërkuar që KGJK-ja ta rishqyrtojë sistemin e taksave gjyqësore, në mënyrë që të sigurohet një balancë ndërmjet funksionimit efikas të sistemit gjyqësor dhe garantimit të qasjes së barabartë dhe efektive në drejtësi për të gjithë qytetarët.

Në fillim të këtij viti, KGJK-ja njoftoi për udhëzimin e ri administrativ që rrit taksat gjyqësore. Kjo qe kritikuar nga njerëzit e drejtësisë, pasi sipas tyre, rritja e taksave do të ulë inicimin e lëndëve nëpër gjykata.

Deri vitin e kaluar, taksa për padi me vlerë kontesti nga 0 deri në 1,000 euro ishte 20 euro, ndërsa tani për vlera nga 0 deri në 5,000 euro taksa është rritur në 60 euro. Për konteste nga 50,001 deri në 100,000 euro, taksa nga 150 euro është rritur në 300 euro. Po ashtu, taksa për padi për pengim posedimi është dyfishuar nga 50 në 100 euro, ndërsa për propozim për sigurimin e provës nga 30 euro është rritur në 100 euro.

Rritje pati edhe në Gjykatën Komerciale. Për padi me vlerë kontesti deri në 25,000 euro, taksa e re është 200 euro, ndërsa për konteste nga 50,001 deri në 100,000 euro, taksa është rritur në 500 euro.