Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

AUVA withdraws Serbia's "SELECT MILK GR" product from the market due to aflatoxin

lopa

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka tërhequr nga tregu koncentratin për lopë qumështore “SELECT MILK GR” i prodhuar në Serbi, pasi është gjetur se ka nivele të larta të Aflatoksinës B1 (AFB1). 

Ky ushqim për kafshë nga Serbia importohej në Kosovë nga N.P.T. “Haxhijaha” SH.P.K., Rahovec. 

“Masat përfshijnë LOT-et 0385010426007 dhe 0385020426001, deri në verifikimin përfundimtar të lidhjes së secilit LOT me mostrën dhe mospërputhjen e konstatuar. Është urdhëruar tërheqja e produktit, izolimi i sasive të mbetura dhe gjurmimi i shpërndarjes së tij deri te operatorët dhe fermat ku është përdorur”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

AUV u ka bërë thirrje fermerëve, distributorëve dhe operatorëve që posedojnë produktin “SELECT MILK GR” nga LOT-et e identifikuara më sipër, të mos e përdorin dhe të mos e vendosin në qarkullim, ta mbajnë të veçuar dhe të bashkëpunojnë me AUV-në dhe operatorin përgjegjës për procedurën e tërheqjes.

“Njëkohësisht, për 30 ditë zbatohet masë e përkohshme parandaluese ndaj importit të koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça, të klasifikuara/deklaruara nën kodin tarifor 2309909600, me origjinë ose të prodhuara në Republikën e Serbisë. Gjatë kësaj periudhe, AUV do të kryejë vlerësim të dokumentuar të rrezikut, mbi bazën e rezultateve laboratorike dhe kontrolleve zyrtare, për përcaktimin e masave të mëtejshme”, ka deklaruar agjencia.

AUV ka intensifikuar kontrollet për AFB1 në misër dhe produktet me bazë misri të destinuara për ushqim të kafshëve, me fokus të veçantë te ushqimi për lopë qumështore. Gjatë periudhës fillestare zbatohen masa të shtuara të kontrollit, mostrimit dhe analizave laboratorike.

Aflatoksina B1 (AFB1) është një substancë toksike që mund të jetë e pranishme në misër dhe ushqimin për kafshë. Sipas vlerësimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), aflatoksinat paraqesin shqetësim për shkak të efekteve toksike, gjenotoksike dhe kancerogjene, veçanërisht në mëlçi. 

Kur lopët qumështore konsumojnë ushqim të kontaminuar me AFB1, një pjesë e saj mund të metabolizohet në Aflatoksinë M1 (AFM1) dhe të kalojë në qumësht. Për këtë arsye, kontrolli i AFB1 që në ushqimin për kafshë është i rëndësishëm për parandalimin e kalimit të aflatoksinave më tej në zinxhirin ushqimor.