Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Auditor confirms KOHË reports on medicine shortages at SHSKUK

SHSKUK - Central Administration

Auditimi i Brendshëm për 2025-n dhe shtatë muajt e parë të 2026-s ka konfirmuar raportimet e KOHË-s për mungesë të ilaçeve esenciale në klinikat e QKUK-së. Raporti është pranuar edhe nga Bordi i SHKUK-së, i cili ka kërkuar që kjo çështje të adresohet në organet kompetente disiplinore

Gjatë dhjetë muajve të fundit, klinikat e QKUK-së janë përballur me mungesa të barnave dhe materialeve medicinale, për çka pacientët janë detyruar që disa prej terapive t’i sigurojnë vetë.
Për mungesat dhe problemet me furnizimin, KOHA ka raportuar vazhdimisht.

E kjo është konfirmuar edhe me Raportin Final të Auditimit të Brendshëm për vitin 2025 dhe shtatë muajt e parë të 2026-tës.

Në raport janë konstatuar mangësi në planifikimin, furnizimin, menaxhimin dhe monitorimin e barnave dhe materialeve medicinale.

Në komunikatën e lëshuar nga Shërbimi Spitalor e Klinik Universitar, pas mbledhjes së javës së shkuar, si gjetje janë theksuar edhe rastet me stok zero.

“Ndër çështjet e evidentuara janë planifikimi pa mbulim të qartë financiar, mospërputhjet ndërmjet planifikimit dhe hyrjeve, inicimi i kontratave pa u bazuar në gjendjen reale të stokut, si dhe mangësitë në gjurmueshmërinë dhe mbikëqyrjen e procesit të furnizimit. Auditimi ka evidentuar gjithashtu mungesa që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve klinike, përfshirë mungesa të theksuara të penjve kirurgjikalë dhe barnave të caktuara si dhe raste kur pacientët janë detyruar t’i sigurojnë vetë barnat apo materialet medicinale, ndërkohë që kostoja e tyre nuk është matur në mënyrë të plotë”, thuhet në komunikatën e SHSKUK-së.

Në bazë të këtyre gjetjeve, Bordi Drejtues ka kërkuar që drejtori i Përgjithshëm t’ia përcjellë organit kompetent disiplinor rastet e evidentuara nga auditimi për të cilat ekziston dyshimi për shkelje të detyrave të punës.

“Bordi Drejtues ka kërkuar që rastet e referuara të shqyrtohen nga organi kompetent disiplinor në procedurë të rregullt. Referimi për shqyrtim disiplinor nuk përbën konstatim paraprak të fajësisë apo përgjegjësisë individuale. Përgjegjësia eventuale individuale do të përcaktohet nga organi kompetent vetëm pas shqyrtimit të provave, dokumentacionit dhe deklarimeve të personave përkatës. Drejtori i Përgjithshëm është obliguar që brenda 15 ditëve t’i raportojë Bordit Drejtues për rastet e referuara, si dhe për masat e menjëhershme të ndërmarra për sigurimin e furnizimit me barna dhe materiale medicinale”, thuhet në komunikatë.

Në fakt, mbledhjet e bordit tash e tre muaj janë duke u mbajtur larg syrit të opinionit publik. Sipas SHSKUK-së, Departamenti Ligjor i Ministrisë së Shëndetësisë, përmes një opinioni, e ka mbështetur vendimin e këtij institucioni që të mos lejojë praninë e mediave në mbledhje.

KOHA tash e dy muaj është në pritje që SHSKUK-ja t’ia përcjellë opinionin ligjor, mbi të cilin është mbështetur ky vendim.

Sa u përket mungesave të ilaçeve, që shteti është i obliguar t’i sigurojë, pasi janë të përfshira në Listën Esenciale, janë disa.

Në Klinikën e Onkologjisë, pacientëve u ka munguar Bikaderi, të cilin janë detyruar ta blejnë vetë për 70 deri në 80 euro në muaj. Avastina ka munguar rreth një muaj e gjysmë dhe sigurimi i saj me mjete vetanake ka kushtuar deri në 1 mijë euro.

Palbociclibi ka munguar për katër muaj, me kosto deri në 1 mijë e 800 euro, ndërsa Pembrolizumabi për dy muaj, me çmim që arrin deri në 5 mijë euro.

Përveç tyre, pacientët në onkologji janë përballur me mungesë edhe të Bleomicinës, Fentadurit, Doxorubicinës dhe Cyclophosphamides dhe fentadurit.

E pacientët që trajtohen me dializë janë përballur me mungesë të Sevelamerit 800 miligramë. Nga mungesa e kësaj tablete janë prekur 177 pacientë. 

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë nëse për këto mungesa do të  kërkojë llogaridhënie nga drejtori i SHSKUK-së, por nuk ka marrë përgjigje.