Agjencia e lajmeve, Associated Press ka shkruar mëngjesin e sotëm për vërdiktin i cili pritet të jepet sot në Hagë nga Gjykata Speciale për katërshen e UÇK-së.
Në artikullin që kryesisht i kushtohet ish-presidentit Hashim Thaçi, thuhet se ai sot do të mësojë fatin e tij, kur gjyqtarët ndërkombëtarë në Hagë do të shpallin aktgjykimin në gjyqin e tij për krime lufte.
Thaçi përballet me disa akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, torturë dhe persekutim, së bashku me tre ish-drejtues të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët luftuan kundër forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Në vendlindjen e tyre, ata konsiderohen gjerësisht si heronj kombëtarë.
Artikulli në vijim thotë se mijëra njerëz u mblodhën në Prishtinë gjatë fundjavës në mbështetje të katërshes. Protestuesit mbushën sheshin qendror të kryeqytetit, shumë prej tyre duke mbajtur flamujt kuq e zi. Portretet e katër ish-luftëtarëve të UÇK-së janë vendosur në të gjithë qytetin, së bashku me një orë të madhe dixhitale që numëron mbrapsht deri të mërkurën, kur priten aktgjykimet.
“Në emër të popullit, shpallini të pafajshëm”, thuhej në një prej pankartave.
Prokurorët pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë kanë kërkuar një dënim maksimal prej 45 vjetësh burgim për Thaçin dhe të pandehurit e tjerë, Kadri Veselin, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqin. Të gjithë ata i kanë mohuar akuzat.
“Gjatë gjithë jetës sime, kam qëndruar me popullin e Kosovës duke mbrojtur lirinë, jetën dhe dinjitetin. Gjithmonë jam udhëhequr nga idealet perëndimore të demokracisë, barazisë dhe drejtësisë”, u tha Thaçi gjyqtarëve në shkurt, në përfundim të gjyqit të tij, i cili zgjati gati tre vjet.
Sipas prokurorëve, gjatë kohës së tyre në UÇK, të akuzuarit shënjestruan kundërshtarë politikë dhe civilë të cilët konsideronin bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.
Stafi i gjykatës, e cila mbështetet nga Bashkimi Evropian, përbëhet kryesisht nga ndërkombëtarë, për shkak të frikës për sigurinë dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Në vitin 2022, gjykata dënoi dy drejtues të një shoqate të veteranëve të luftës së Kosovës për frikësim të dëshmitarëve, pasi kishin bërë publike dokumente konfidenciale të rrjedhura.
Ai ishte student kur u kthye nga ajo që e përshkruante si mërgim politik në Zvicër për t’iu bashkuar luftës së Kosovës për pavarësi. Gjatë konfliktit, ai mori nofkën “Gjarpri” për aftësinë e tij për t’u shpëtuar forcave serbe.
Thaçi u përkrah nga liderët perëndimorë, të cilët e ftuan në bisedimet e paqes të vitit 1999 në Francë, në cilësinë e drejtorit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai shihej si një udhëheqës që mund ta udhëhiqte vendin drejt pavarësisë.
Pas luftës, Thaçi u ngrit në pushtet në skenën politike, por dha dorëheqjen nga posti i presidentit për t’u përballur me procesin gjyqësor në Hagë.
Shumica e rreth 13,000 njerëzve që humbën jetën në luftën e Kosovës ishin shqiptarë etnikë. Një fushatë 78-ditore e sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave serbe i dha fund luftimeve. Rreth 1 milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, një akt që Beogradi refuzon ta njohë. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara, pavarësisht viteve të negociatave të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.