Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Abdixhiku and LVV MPs criticize the LDK rebel six

Enter Eid

Photo: Archive

Photo: Driton Pacharada

Gjashtë deputetët e Lidhjes Demokratike që i dolën kundër marrëveshjes me Vetëvendosjen për presidentin janë akuzuar për ndikim nga partitë e tjera, veçanërisht nga Partia Demokratike. Ndërkaq, analisti politik Artan Muhaxhiri e sheh këtë përplasje si nisje të parafushatës për zgjedhje të reja.

Nën kritika e akuza janë vënë gjashtë deputetët e Lidhjes Demokratike që kundërshtuan marrëveshjen për presidentin.

Arsyetimin e tyre se nuk duan t’ia zgjasin jetën pushtetit të Albin Kurtit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si të paqëndrueshëm.

Sipas tij, LDK-ja tashmë kishte vendosur të qëndronte në opozitë, ndërsa të martën u refuzua kandidati i propozuar nga vetë partia.

Abdixhiku fajësoi një të tretën e deputetëve të LDK-së se po e çojnë vendin në zgjedhje.

“Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses”, tha ai.

Marrëveshjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes që profesori universitar Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president, i dolën kundër Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.

Pas Abdixhikut, gjashtëshja rebele e LDK-së u bë cak i sulmeve edhe nga deputetë të Vetëvendosjes.

Arjeta Fejza, deputete e partisë fituese të zgjedhjeve, e ndërlidhi kundërshtinë e gjashtëshes me një parti tjetër.

“Deputetët sabotues të LDK-së kanë qëndruar për ta votuar një kandidat politik të PDK-së, siç ka qenë Hashim Thaçi. Të njëjtët sot po refuzojnë ta votojnë një kandidat apolitik, siç është Bekim Sejdiu. Kjo mund të quhet frymë Thaçiane ose PDK-iane, por assesi rugoviane!”, theksoi Fejza.

Edhe Vigan Qorrolli, gjithashtu deputet i LVV-së, pozicionin kundërshtues të deputetëve të LDK-së e ndërlidhi me PDK-në.

“Grenelli i falënderon 6-shen “sabotuese” të PDK-së… ups, pardon -- të LDK-së, për argatin reciprok!”, shkroi Qorrolli.

Kritika të ngjashme ka bërë edhe deputetja Arbëreshë Kyreziu - Hyseni.

E sipas analistit politik, Artan Muhaxhiri, sulmet ndaj gjashtë deputetëve të LDK-së janë pjesë e parafushatës për zgjedhjet e ardhshme.

“Lirisht mund të thuhet se jemi në një periudhë të parafushatës, pasi nuk ka asnjë indikacion që mund të arrihet numri prej 80 deputetëve që të zgjidhet presidenti apo presidentja e re, dhe prandaj opsioni i vetëm logjik, realist është ai i zgjedhjeve të reja. Natyrisht që zotit Kurti i konvenon që datën e zgjedhjeve ta shtyjë sa më afër festave të fundvitit, edhe për shkak të ndikimit që ka në elektoratin e diasporës”, theksoi Muhaxhiri.

Dështimi i zgjedhjes së presidentit brenda afatit kushtetues 60-ditor e çon vendin në zgjedhje të reja.

Por, rrjedhja e këtij afati nis me konstituimin e Kuvendit, që nuk ka ndodhur ende, pavarësisht afatit kushtetues që përcaktonte 7 gushtin si datën e fundit ku do të duhej të zgjidhej kryetari dhe pesë nënkryetarët e institucionit ligjvënës.