KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Συμπλήρωμα Πολιτισμού

Η ζωή τους κόπηκε απότομα, αλλά η πορεία τους συνεχίστηκε.

Γκιουρσέλ και Μπαϊράμ Σουλεϊμάνι

Γκιουρσέλ και Μπαϊράμ Σουλεϊμάνι

Gursel dhe Bajram Sylejmani: nga rezistenca politike te lufta për liri. Jeta e tyre u ndërpre, por rruga e tyre jo. Ajo vazhdon te ne: në mënyrën se si e ruajmë kujtesën, si e çmojmë dhe e mbrojmë lirinë dhe, mbi të gjitha, në Kosovën që ndërtojmë mbi sakrificën e tyre. Sepse nderimi më i madh për të rënët nuk është vetëm t’i kujtojmë, por të mos e humbasim rrugën për të cilën ata dhanë jetën

“Njeriu që vritet për atdhe, nuk vdes, por jeton në zemrat e njerëzve liridashës”, Gursel Sylejmani, letër nga burgu i Nishit dërguar vëllait të tij, Bajramit.      

Sa herë kaloj në Ferizaj nëpër rrugën që mban emrat e dy heronjve të UÇK-së, dajave të mi, Gursel dhe Bajram Sylejmani, për një çast më duket sikur koha ndalet. Emrat e tyre në tabelën e rrugës nuk janë për mua vetëm shenja të kujtesës publike, janë prani. Ato më rikthejnë te dy njerëz që i humbëm, por edhe te një ideal që nuk u shua me rënien e tyre. Në atë rrugë, kujtesa familjare takohet me historinë e Kosovës: dy vëllezër që ecën së bashku nëpër jetë, ndanë të njëjtin ideal dhe, në fund, ranë në të njëjtën betejë për lirinë. Sa herë kaloj aty, më duket sikur rruga nuk mban vetëm emrat e tyre – ajo vazhdon rrugën që ata nisën.

Në ato çaste më duket sikur i takoj përsëri. Më pushton i njëjti mall për dajat e mi, të cilët gjithmonë i kam parë si modele për t’u ndjekur. Në heshtje bisedoj me ta, sikur kërkoj një këshillë, një përgjigje apo thjesht miratimin e tyre për rrugën që kemi bërë pas tyre. Dhe atëherë kuptoj se kujtesa nuk është vetëm mall për njerëzit që nuk janë më; është edhe përgjegjësi ndaj asaj që ata lanë pas. Gurseli dhe Bajrami nuk më rikthehen vetëm si dy dajë të dashur, por si dy njerëz që e shndërruan bindjen në veprim dhe idealin në sakrificë. Bashkëbisedimi im i heshtur me ta bëhet kështu një busull morale: më kujton jo vetëm prej nga vijmë, por edhe kah duhet të shkojmë. Rruga e tyre kaloi përmes dijes, emancipimit dhe kundërshtimit të padrejtësisë, për të përfunduar në sakrificën sublime për lirinë e Kosovës.

Jeta e tyre u ndërpre, por rruga e tyre jo. Ajo vazhdon te ne: në mënyrën se si e ruajmë kujtesën, si e çmojmë dhe e mbrojmë lirinë dhe, mbi të gjitha, në Kosovën që ndërtojmë mbi sakrificën e tyre. Sepse nderimi më i madh për të rënët nuk është vetëm t’i kujtojmë, por të mos e humbasim rrugën për të cilën ata dhanë jetën.

Rruga është një nga metaforat më të lashta të jetës njerëzore. Në mitologji, në letërsi dhe në histori, ajo nuk shënon vetëm largësinë ndërmjet dy vendeve, por udhëtimin ndërmjet asaj që njeriu është dhe asaj që synon të bëhet. Rruga është zgjedhje, sprovë dhe vazhdimësi. Në historinë e popujve ajo merr një kuptim edhe më të thellë: brezat ndërrohen, njerëzit ndalen përgjatë saj, por rruga drejt një ideali vazhdon. Në këtë rrugëtim, gjurmët e atyre që ecën para nesh mund të shërbejnë edhe si busull: jo për të përsëritur jetën e tyre, por për të ruajtur drejtimin drejt idealeve që i udhëhoqën. Për ne, ato ideale mbeten liria, dija, krijimtaria dhe ndërtimi i një shoqërie moderne, demokratike dhe të mbështetur në vlera të larta njerëzore.

Ndoshta pikërisht për këtë arsye, sa ecim në rrugën që mban emrat e Gurselit dhe Bajramit, fjala “rrugë” më duket se merr një kuptim tjetër: ajo nuk shënon vetëm vendin ku kujtohen emrat e tyre, por edhe udhëtimin që ata nisën dhe që të tjerët patën fatin ta vazhdonin. Koha ka kaluar, por sa më shumë largohemi nga viti 1998, aq më shumë bindem se Gurseli dhe Bajrami nuk duhet të kujtohen vetëm për mënyrën se si ranë. Ata duhet të kujtohen, para së gjithash, për mënyrën se si jetuan. Për ta kuptuar këtë rrugë, duhet të kthehemi te vendi ku ajo filloi: te tradita familjare, te mjedisi shoqëror dhe te koha historike që formësuan politikisht vëllezërit Gursel dhe Bajram Sylejmani.

Tradita familjare dhe formimi i vetëdijes politike

Tradita e shqiptarizmit në familjen Sylejmani nga Sadovina e Jerlive (Viti) u përcoll ndër breza, duke krijuar një kulturë familjare në të cilën çështja kombëtare, qëndresa ndaj pushtetit dhe përgjegjësia ndaj bashkësisë zinin një vend të rëndësishëm. Përvojat e brezave të mëparshëm me Mbretërinë Jugosllave, Luftën e Dytë Botërore dhe më pas me pushtetin komunist jugosllav krijuan një kujtesë familjare të karakterizuar nga mosbesimi ndaj një rendi politik që perceptohej si kufizues për të drejtat dhe aspiratat kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Në ambientet familjare, sidomos në odën e familjes Sylejmani, vazhdonin të përcilleshin rrëfimet për bëmat e të parëve, për luftërat, qëndresën dhe përballjet e tyre me regjimet serbe. Këto rrëfime nuk ishin vetëm kujtime familjare, por pjesë e një kulture të transmetuar brez pas brezi, përmes së cilës ruheshin kujtesa historike dhe ndjenja e përkatësisë kombëtare. Në qendër të kësaj kujtese qëndronin gjyshi Ahmet, vëllai i tij Bejta dhe më pas babai, Hetemi.

Megjithatë, kjo trashëgimi familjare dhe kombëtare nuk duhet kuptuar si një përcaktim mekanik i zgjedhjeve të brezit pasues. Ajo përbënte, para së gjithash, mjedisin politik, kulturor dhe të kujtesës historike në të cilin u formuan Gurseli dhe Bajrami. Rrëfimet e odës, përvoja familjare dhe kujtesa e përballjeve të brezave të mëparshëm krijuan një horizont vlerash brenda të cilit dy vëllezërit do të ndërtonin më vonë qëndrimet dhe zgjedhjet e tyre politike.

Te brezi i tyre, megjithatë, kjo traditë mori një dimension të ri. Ajo nuk u shpreh më vetëm përmes kujtesës së rezistencës së brezave të mëparshëm, por u ndërthur me shkollimin, formimin intelektual dhe me përvojën politike të shqiptarëve në Jugosllavinë socialiste. Në këtë kuptim, investimi i familjes në arsimimin e Gurselit dhe Bajramit kishte rëndësi më të gjerë sesa përparimi i tyre individual: dija dhe emancipimi shiheshin edhe si instrumente për afirmimin kombëtar dhe për zgjerimin e hapësirës së veprimit shoqëror e politik.

Pikërisht këtu duhet kërkuar një nga elementet kryesore për të kuptuar angazhimin e mëvonshëm të dy vëllezërve. Gurseli dhe Bajrami i përkisnin një brezi shqiptarësh të Kosovës që u formua brenda sistemit socialist jugosllav, por që gradualisht filloi ta vinte në pikëpyetje aftësinë e këtij sistemi për të garantuar barazi të plotë kombëtare dhe perspektivë politike për Kosovën brenda shtetit jugosllav. Për ta, problemi nuk kufizohej vetëm te funksionimi i institucioneve ose te raportet ekonomike e shoqërore brenda federatës jugosllave. Në thelb qëndronte çështja e statusit politik të Kosovës dhe e ruajtjes e afirmimit të identitetit kombëtar shqiptar. Në perceptimin e tyre, autonomia, ndonëse kishte zgjeruar ndjeshëm hapësirën institucionale të Kosovës, nuk garantonte barazi të plotë dhe as qëndrueshmëri afatgjatë të pozitës së saj politike brenda federatës.

Në këtë kontekst, kundërshtimi i tyre ndaj rendit jugosllav mund të interpretohet edhe si refuzim i modelit ideologjik të socializmit jugosllav në masën në të cilën ai synonte krijimin e një identiteti politik mbikombëtar jugosllav dhe kufizonte format e nacionalizmit që konsideroheshin kërcënim për rendin jugosllav. Në perceptimin e Gurselit, Bajramit dhe të rrethit politik ku ata vepronin, një model i tillë rrezikonte të relativizonte identitetin kombëtar shqiptar brenda platformës politike të “vëllazërim-bashkimit” dhe ta mbante të pazgjidhur çështjen e pozitës politike të Kosovës. Prandaj, angazhimi i tyre në lëvizjen ilegale nuk ishte vetëm kundërshtim ndaj një regjimi politik, por pjesë e një projekti alternativ që synonte avancimin e statusit të Kosovës deri në realizimin e aspiratave të saj shtetformuese. Në këndvështrimin e tyre, autonomia ekzistuese ishte e pamjaftueshme, ndërsa një pjesë e elitës politike shqiptare shihej si tepër e lidhur me ruajtjen e status quo-së dhe me strukturat politike të Beogradit.

Demonstratat e vitit 1981 përbënin në këtë proces një moment përcaktues. Ato nxorën në sipërfaqe kundërshtinë ndërmjet rendit kushtetues jugosllav dhe kërkesës së një pjese të shqiptarëve për Republikën e Kosovës. Për Gurselin dhe Bajramin, këto zhvillime shënuan kalimin nga vetëdija kombëtare e kultivuar në mjedisin familjar dhe shoqëror drejt angazhimit të organizuar politik. Pjesëmarrja e tyre në veprimtarinë ilegale dëshmon se politikën nuk e perceptonin si një fushë të rezervuar vetëm për institucionet e sistemit, por edhe si veprimtari që mund të zhvillohej jashtë dhe kundër strukturave zyrtare kur këto konsideroheshin të pamjaftueshme për realizimin e kërkesave politike të shqiptarëve.

Në këtë perspektivë duhet parë edhe përfshirja e tyre në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK). Ajo shënonte kalimin nga trashëgimia familjare e rezistencës në një angazhim të strukturuar politik. Lidhjet familjare me veprimtarë të lëvizjes ilegale mund ta kenë lehtësuar hyrjen e tyre në këto rrjete, por nuk e shpjegojnë tërësisht zgjedhjen politike. Veprimtaria e mëvonshme, qëndrueshmëria përballë hetimeve dhe burgimeve dhe vazhdimi i angazhimit pas lirimit tregojnë se bëhej fjalë për një bindje politike tashmë të konsoliduar.

Pikërisht reagimi i shtetit jugosllav ndaj kësaj veprimtarie e thelloi konfliktin ndërmjet tyre dhe sistemit. Arrestimet e përsëritura, dënimet me burg, izolimi, mbikëqyrja policore dhe përndjekja nuk arritën t’i largonin nga veprimtaria politike. Përkundrazi, përvoja e represionit duket se e përforcoi bindjen e tyre se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhej brenda parametrave ekzistues të sistemit jugosllav. Në këtë mënyrë, represioni nuk funksionoi vetëm si instrument ndëshkimi; ai ndikoi edhe në konsolidimin e identitetit politik të kundërshtarëve të sistemit.

Një dimension tjetër i kësaj përplasjeje lidhej me dallimet brenda vetë shoqërisë shqiptare të Kosovës rreth mënyrës së reagimit ndaj sistemit jugosllav. Gurseli dhe Bajrami nuk u përballën vetëm me aparatin shtetëror, por edhe me qëndrime politike e shoqërore shqiptare që, në emër të pragmatizmit, stabilitetit ose përshtatjes me rrethanat, e konsideronin konfrontimin e drejtpërdrejtë me sistemin si të parakohshëm ose të dëmshëm. Për dy vëllezërit, një qasje e tillë rrezikonte që përshtatjen me sistemin ta shndërronte nga mjet mbijetese politike në qëllim në vetvete dhe, për pasojë, ta dobësonte kërkesën për ndryshimin e statusit politik të Kosovës.

Në këtë perspektivë, rruga e Gurselit dhe Bajramit, nga veprimtaria ilegale e viteve 1980 deri te përfshirja në rezistencën e viteve 1990, nuk duhet lexuar si një varg episodesh të shkëputura individuale, por si një proces politik me vazhdimësi të brendshme. Tradita familjare u shndërrua në vetëdije kombëtare; vetëdija kombëtare në organizim politik; përvoja e represionit në bindje për domosdoshmërinë e ndryshimit të sistemit. Në kushtet e shpërbërjes së Jugosllavisë, mbylljes progresive të hapësirës politike dhe përshkallëzimit të represionit serb, kjo trajektore do t’i çonte përfundimisht drejt rezistencës së armatosur.

Nga ilegalja politike te artikulimi i alternativës shtetformuese

Përfshirja e Gurselit në strukturat e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës dhe arrestimi i tij në dhjetor të vitit 1982 shënojnë kalimin nga vetëdija politike te veprimtaria e organizuar kundër rendit jugosllav. Arrestimi i tij nuk ishte thjesht episod biografik, por pjesë e përplasjes ndërmjet shtetit jugosllav dhe një segmenti të lëvizjes shqiptare që nuk e konsideronte statusin ekzistues të Kosovës si zgjidhje përfundimtare të çështjes kombëtare. Edhe terminologjia e organeve të ndjekjes, të cilat veprimtarët shqiptarë i cilësonin si pjesëtarë të grupeve “ilegale” dhe “armiqësore”, dëshmon mënyrën se si sistemi e trajtonte kundërshtimin politik. Kërkesat për ndryshimin e pozitës së Kosovës nuk interpretoheshin vetëm si mospajtim me politikën zyrtare, por si kërcënim ndaj rendit kushtetues dhe ideologjik të federatës. Në këtë mënyrë, kundërshtimi politik kriminalizohej dhe zhvendosej nga fusha e debatit në atë të ndjekjes penale.

Qëndrimi i Gurselit gjatë procesit gjyqësor duhet kuptuar në këtë kontekst. Refuzimi për t’u distancuar nga bindjet e veta tregonte se ai nuk e perceptonte gjykimin vetëm si përballje personale me drejtësinë penale, por si pjesë të një konflikti më të gjerë mbi legjitimitetin e rendit jugosllav në Kosovë. Pikërisht kjo e shpjegon edhe faktin se burgimi nuk prodhoi tërheqje nga angazhimi politik.

Gurseli i burgosur nuk del nga burimet vetëm si figurë e qëndresës. Letrat e tij tregojnë një njeri që lexonte, reflektonte dhe përpiqej t’i jepte kuptim politik e moral përvojës së vet. Në një letër nga burgu i Nishit, duke reflektuar mbi tregimin “Një pushkë më shumë” të Naum Priftit dhe mbi figurën e nënës së një dëshmori, ai ndalej te ideja se: “Njeriu që vritet për atdhe, nuk vdes, por jeton në zemrat e njerëzve liridashës.” Ky fragment është domethënës sepse tregon se koncepti i sakrificës nuk u shfaq te Gurseli vetëm në rrethanat e luftës çlirimtare të vitit 1998; ai ishte pjesë e botëkuptimit të tij shumë më herët.

Në të njëjtën matricë politike duhet vendosur edhe Bajrami. Formimi i tij universitar, interesimi për kulturën, fotografinë dhe leximin nuk kanë nevojë të trajtohen si kronologji e hollësishme biografike. Rëndësia e tyre qëndron në faktin se tregojnë se angazhimi kombëtar i dy vëllezërve nuk ishte produkt i izolimit intelektual apo shoqëror. Përkundrazi, ai bashkëjetonte me arsimimin, kulturën dhe një koncept më të gjerë të emancipimit.

Pikërisht ndërthurja e këtyre dimensioneve i bën Gurselin dhe Bajramin figura të veçanta të lëvizjes kombëtare shqiptare në Kosovë. Ata përfaqësonin një profil në të cilin angazhimi kombëtar bashkëjetonte me emancipimin kulturor, arsimimin, humanizmin, disiplinën e punës dhe formimin intelektual. Në këtë kuptim, trimëria e tyre nuk mund të shkëputet nga pjesa tjetër e personalitetit: ajo ishte vazhdim i një botëkuptimi në të cilin përgjegjësia ndaj familjes, shoqërisë dhe çështjes kombëtare formonin një tërësi. Prandaj, rëndësia e tyre nuk qëndron vetëm në veprimtarinë ilegale apo në përfshirjen e mëvonshme në rezistencën e armatosur të UÇK-së, por edhe në modelin njerëzor dhe shoqëror që përfaqësonin.

Kjo është një nga veçoritë më të rëndësishme të profilit të Gurselit dhe Bajramit. Shqiptarizmi i tyre nuk përkufizohej vetëm si përkatësi etnike ose kujtesë historike, por si projekt politik dhe emancipues. Arsimimi, kultura dhe liria kombëtare shiheshin si pjesë të së njëjtës aspiratë: krijimin e një shoqërie shqiptare të aftë të përcaktonte vetë statusin dhe të ardhmen e saj politike.

Nga autonomia te projekti shtetformues

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 shënoi një ndryshim cilësor në historinë politike të Kosovës. Kjo deklaratë artikuloi në nivel institucional një kërkesë që deri atëherë ishte mbajtur gjallë kryesisht nga lëvizja politike jashtëinstitucionale. Në këtë kuptim, ajo përfaqësonte edhe një përgjigje ndaj kufijve që kishte dëshmuar modeli kushtetues jugosllav në raport me Kosovën.

Kushtetuta e vitit 1974 i kishte siguruar Kosovës një shkallë të gjerë autonomie dhe kompetenca të rëndësishme institucionale, por zhvillimet e mëvonshme treguan se kjo pozitë nuk mbështetej mbi një barazi të plotë kushtetuese me republikat e federatës, ishte më shumë një kompromis në kontekstin e federatës jugosllave. Represioni ndaj kërkesës për Republikën e Kosovës më 1981 dhe, sidomos, ndërhyrja e Serbisë në rendin kushtetues të Kosovës në mars 1989 ekspozuan kufijtë strukturorë të kësaj autonomie të brishtë. Ajo që në diskursin zyrtar paraqitej si një zgjidhje e avancuar e çështjes së Kosovës rezultoi të ishte një pozitë juridike e cenueshme, e cila mund të reduktohej kur ndryshonte raporti politik i forcave brenda federatës.

Pikërisht për këtë arsye, viti 1989 pati rëndësi më të madhe sesa një ndryshim formal kushtetues. Ai dëshmoi se autonomia e vitit 1974, sado e gjerë në kompetenca, nuk kishte krijuar mekanizma të mjaftueshëm për ta mbrojtur Kosovën nga ndërhyrja e Serbisë. Kjo përvojë ushqeu bindjen e një pjese gjithnjë e më të madhe të shqiptarëve se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhej më përmes restaurimit të autonomisë, por kërkonte një status politik që nuk varej nga vullneti i Beogradit.

Në këtë perspektivë, Deklarata e 2 Korrikut 1990 nuk ishte vetëm reagim ndaj suprimimit të autonomisë. Ajo shënonte kalimin nga kërkesa për mbrojtjen ose rikthimin e pozitës kushtetuese të Kosovës brenda Jugosllavisë drejt artikulimit institucional të një projekti shtetformues. Ajo që gjatë viteve 1980 ishte ndjekur penalisht si kërkesë “armiqësore” po bëhej, në kushtet e shpërbërjes së federatës, platformë e përfaqësimit politik të Kosovës.

Për Gurselin dhe Bajramin, rëndësia e këtij zhvillimi qëndronte pikërisht në kalimin e aspiratës për avancimin e statusit të Kosovës nga hapësira e ilegales në një platformë të artikuluar nga përfaqësuesit politikë të saj. Në këtë pikë, kufiri ndërmjet lëvizjes ilegale dhe projektit institucional shtetformues filloi të ndryshonte. Ajo që gjatë viteve 1980 ishte ndjekur penalisht si veprimtari “armiqësore” po bëhej, në kushtet e shpërbërjes së Jugosllavisë, pjesë e diskursit politik publik të Kosovës. Kjo zhvendosje është thelbësore për të kuptuar jo vetëm trajektoren e Gurselit dhe Bajramit, por edhe transformimin e përgjithshëm të lëvizjes shqiptare: kërkesa për ndryshimin e statusit nuk ishte më vetëm platformë e organizatave ilegale, por po shndërrohej në bosht të mobilizimit politik të shumicës shqiptare.

Megjithatë, artikulimi institucional i projektit shtetformues nuk e mbylli debatin mbi mënyrën e realizimit të tij. Gjatë viteve 1990, përballë vazhdimit të kontrollit dhe represionit serb, Gurseli dhe Bajrami filluan të vinin gjithnjë e më shumë në dyshim nëse rezistenca joviolente, e vetme, mund ta ndryshonte status quo-në. Ky qëndrim nuk nënkuptonte mohimin e rëndësisë së organizimit institucional dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës, por shënonte fillimin e një kërkimi për forma të tjera të veprimit politik. Në këtë kuptim, dallimet brenda shoqërisë shqiptare nuk ishin thjesht përplasje ndërmjet “të moderuarve” dhe “radikalëve”. Në themel të tyre qëndronin dy vlerësime të ndryshme për natyrën e pushtetit serb dhe për mekanizmat me të cilët ai mund të detyrohej të tërhiqej nga Kosova. Njëra qasje mbështetej në organizimin paralel, rezistencën joviolente dhe ndërkombëtarizimin gradual të çështjes; qasja tjetër vinte gjithnjë e më shumë në dyshim mundësinë që këto mjete, pa një formë presioni aktiv, të prodhonin ndryshimin e statusit politik.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shojcës për kulturë