Aktorja e njohur Zendaya ka vendosur të marrë pak kohë për veten pas disa muajsh të ngarkuar me projekte filmike dhe angazhime publike. Stilisti i saj, Law Roach, u ka kërkuar fansave që t’i japin hapësirë për të pushuar dhe për të shijuar jetën larg vëmendjes së publikut, ka shkruar Πρώτη γυναίκα.
Duke folur në sfilatën e modës së brendit të njohur të veshjeve të brendshme “Victoria’s Secret”, më 18 tetor, Roach ka treguar se aktorja ka pasur një vit të ngjeshur me promovimin e filmave “The Odyssey”, “Spider-Man: Brand New Day” dhe “The Drama”.
“Zendaya ka qenë shumë e zënë. Ka pasur shumë angazhime këtë vit. Ju lutem, lëreni pak të qetë. Lëreni të pushojë dhe të jetojë pak”, u shpreh ai.
Megjithatë, pushimi nuk do të zgjasë përgjithmonë, pasi Zendaya pritet të përgatitet për promovimin e filmit të ri “Dune: Part Three”.
Muajin e kaluar, nëna e aktores, Claire Stoermer, ka zbuluar se vajza e saj ishte tërhequr nga rrjetet sociale. Ajo e uroi për ditëlindjen e 30-të me një mesazh emocionues, duke theksuar se Zendaya nuk ishte më aktive në këto platforma.
Pavarësisht kësaj, aktorja bëri një përjashtim për ditëlindjen e saj, duke publikuar një fotografi nga fëmijëria dhe duke falënderuar fansat për mbështetjen.
“Nuk mund t’ju falënderoj sa duhet që ma bëtë kaq të bukur vitin e fundit të të njëzetave. Kam shumë për të cilat jam mirënjohëse dhe shumë gjëra të bukura përpara. Me dashuri, si gjithmonë… Gëzuar 30-vjetorin!”, shkroi ajo.
Kjo nuk është hera e parë që Zendaya zgjedh të largohet përkohësisht nga rrjetet sociale. Në vitin 2021, ajo kishte treguar se qëndrimi i gjatë në internet i shkaktonte ankth dhe e bënte të mendonte më shumë seç duhej për gjërat.
“Kam qenë gjithmonë një fëmijë i turpshëm. Rrjetet sociale ndonjëherë më shkaktonin ankth dhe më bënin të mendoja tepër”, kishte rrëfyer aktorja.
Ajo kishte shtuar se fansat e kuptojnë nevojën e saj për të bërë pushime nga bota virtuale, sepse duan që ajo të jetë e lumtur edhe jashtë rrjeteve sociale.
Në një intervistë për revistën InStyle, Zendaya kishte shpjeguar gjithashtu se presioni për të publikuar vazhdimisht përmbajtje e bënte të ndihej e mbingarkuar.
“E kuptoj që fansave mund të mos u pëlqejë fakti që nuk postoj shpesh, por ndihem e mbingarkuar kur mendoj se duhet të publikoj diçka. Nuk ia vlen ta stresoj veten për këtë”, ishte shprehur ajo.