Aktori amerikan RJ Mitte, i njohur për rolin e Walter White Jr. në serialin e famshëm “Breaking Bad” dhe për angazhimin e tij në të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, ka vdekur në moshën 34-vjeçare, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.
Sipas autoriteteve, ai u gjet i vdekur të hënën në Brownsville, Teksas. Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur, ndërsa pritet të kryhet autopsia.
Mitte u bë i njohur në mbarë botën përmes serialit “Breaking Bad”, ku luajti djalin e personazhit kryesor, Walter White, të interpretuar nga Bryan Cranston. I lindur me paralizë cerebrale, aktori e përdori përvojën e tij personale për t’i dhënë më shumë vërtetësi personazhit dhe për të rritur ndërgjegjësimin për personat me aftësi të kufizuara.
Në një reagim pas lajmit për vdekjen e tij, Cranston shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e aktorit, të cilin e konsideronte si djalin e tij.
“E takova kur ishte vetëm 14 vjeç, pasi u përzgjodh për rolin e Walter White Jr. Ai e luajti këtë rol me shumë gëzim dhe entuziazëm. Edhe pse kishte lindur me paralizë cerebrale, ai nuk e lejoi kurrë këtë sfidë ta pengonte. Përballoi me vendosmëri ritmin e vështirë të xhirimeve”, shkroi Cranston.
Ai shtoi se Mitte u rrit rrit shumë si aktor gjatë viteve të serialit dhe se kishte ruajtur një marrëdhënie të veçantë me të edhe pas përfundimit të tij.
Në një intervistë për Associated Press në vitin 2014, Mitte kishte shpjeguar se përvoja e tij me aftësinë e kufizuar e kishte ndihmuar në punën si aktor.
“Kur përballesh me sfida të tilla, zhvillon një mënyrë tjetër të të menduarit dhe e sheh ndryshe mënyrën se si bota të percepton, por edhe mënyrën se si ti e sheh botën. Kjo mund të bëhet një përparësi, në vend që të jetë një pengesë”, ishte shprehur ai.
Përfaqësuesit e aktorit thanë se ai i dha rolit të tij autenticitet dhe e shfrytëzoi famën për të luftuar paragjykimet, duke kërkuar më shumë përfaqësim dhe përfshirje të personave me aftësi të kufizuara.
Përveç “Breaking Bad”, Mitte luajti edhe në serialin “Switched at Birth” dhe në “Guardians of Justice”, si dhe punoi si producent në disa filma të pavarur.
Ai ishte gjithashtu ambasador i organizatave “United Cerebral Palsy” dhe “Shriners Children’s”, ndërsa përmes fondacionit të tij mbështeti nisma bamirësie dhe komunitete që lidhen me personat me aftësi të kufizuara.