Aktori Sylvester Stallone ka rrëfyer detaje të një përplasjeje fizike me aktorin Richard Gere, e cila ndodhi gjatë xhirimeve të filmit “The Lords of Flatbush” dhe që, sipas tij, nisi një konflikt që zgjati për dekada.
Në librin e tij te ri me kujtime, “The Steps”, Stallone tregon se tensioni mes dy aktorëve nisi që gjatë audicioneve. Sipas tij, gjatë një prove Gere e kapi nga bluza dhe i nguli thonjtë në lëkurë, ka shkruar Entertainment Weekly.

“I thashë të tërhiqej, por ai e bëri përsëri në provën e dytë. Ndoshta pa e kuptuar, Gere kishte filluar të zgjonte diçka brenda meje”, ka thënë ai.
Stallone ka thënë se më pas e pyeti regjisorin Stephen Verona nëse mund të reagonte ashtu siç do të reagonte në jetën reale.
“E pyeta: ‘A është në rregull nëse improvizoj dhe reagoj ashtu siç do të reagoja në të vërtetë nëse dikush do të më bënte këtë?’ Ai më pyeti: ‘Çka do të bëje?’ I thashë: ‘Do t’i thyeja dhëmbët.’ Ai m’u përgjigj: ‘Të lutem, mos e bëj’”, ka treguar aktori.
Por përplasja fizike, sipas Stallone, erdhi më vonë.

Një ditë, gjatë pushimit të drekës, dy aktorët po hanin në një makinë në set. Stallone thotë se i kishte kërkuar Geret të mos bënte rrëmujë, por yndyra e pulës përfundoi në këmbën e tij.
“Një rrjedhë yndyre nga pula ra nga letra e aluminit mbi këmbën time. E godita me bërryl në gjoks, dola nga makina, shkova nga ana e tij dhe e tërhoqa nga ulësja e pasme”, ka thënë ai.
Sipas Stallone, Gere i tha “Hej, nuk dua të përfshihem në një përleshje” kurse Stallone i është përgjigjur: “Tashmë është tepër vonë…”
Regjisori Verona ndërhyri mes tyre dhe, sipas Stallone, vendosi se njëri prej dy aktorëve duhej të largohej nga filmi. Në fund, Gere u pushua nga produksioni, ndërsa Stallone vazhdoi të ishte pjesë e filmit.
Gere u zëvendësua në “The Lords of Flatbush”, ndërsa më vonë edhe Robert De Niro u largua nga projekti për të ndjekur një tjetër rol. Në film u përfshinë më pas Perry King dhe Henry Winkler.
Sipas rrëfimeve të mëvonshme, marrëdhënia mes dy aktorëve nuk u përmirësua me kalimin e viteve.
Në kujtimet e tij të vitit 2019, këngëtari Elton John tregoi një episod të çuditshëm nga vitet ’90, ku Stallone dhe Gere thuhet se ishin përfshirë në një tjetër konflikt, këtë herë në lidhje me Princeshën Diana.
Elton John ka shkruar se gjatë një darke ku ndodheshin edhe Diana, Gere dhe Stallone, ai vuri re një atmosferë të tensionuar.
“Nuk mund të mos vëreja atmosferën e çuditshme në dhomë. Duke parë mënyrën se si Stallone i shikonte, ishte e qartë se miqësia e sapolindur mes Dianës dhe Richard Gere nuk po i pëlqente aspak”, ka thënë John.
Sipas tij, dy aktorët më vonë u përballën me njëri-tjetrin, thuajse duke u përgatitur për një sherr fizik.
Libri “The Steps”, u publikuan më 29 shtator dhe përmban rrëfime të tjera nga jeta dhe karriera e tij.