Këngëtarja spanjolle, Rosalia, e ka të vështirë të shkëputet nga muzika e saj, sepse gjithmonë mendon se mund ta përmirësojë. Megjithatë, pasi një album publikohet, këngëtarja zgjedh të mos e dëgjojë më, ka shkruar Πρώτη γυναίκα.
Në një intervistë për CBS Sunday Morning, artistja shpjegoi se ambiciet për perfeksionizëm e shtyjnë të vërejë vazhdimisht detaje që do të dëshironte t’i ndryshonte, nga përzierja e tingujve deri te interpretimi vokal.
“Gjithmonë ka diçka. Përzierja e tingujve, zëri i violinave që mund të ishte pak më i lartë, ose zëri im në një pjesë ku mund të kisha bërë në një mënyrë tjetër”, ka thënë ajo.
Albumi i saj i fundit, “LUX”, i publikuar në vitin 2025, madje ka versione të ndryshme në platformat digjitale dhe në diskun vinyl.
Megjithatë, Rosalia pranon se ndryshimet mund të mos përfundonin kurrë nëse do të vazhdonte të punonte pafundësisht mbi të njëjtën muzikë.
“Unë mund të vazhdoj përgjithmonë”, ka thënë ajo, duke shtuar se krijimi i muzikës për të është një proces që s’duhet të ketë një fund.
Për Rosalian, publikimi i një albumi nënkupton edhe lënien e tij pas. Ajo ka thënë se nuk ka kuptim të rikthehet vazhdimisht te muzika që tashmë e ka ndarë me publikun.
“Unë nuk i dëgjoj kurrë albumet e mia, sepse nuk ka kuptim. Krijoj për ta ndarë muzikën me të tjerët, për ta lënë të lirë. Pse duhet ta dëgjoja përsëri? Do të ishte torturë!”, u shpreh këngëtarja.
Krahas projekteve të saj, Rosalia ka bashkëpunuar edhe me grupin irlandez Fontaines D.C. në këngën “Where Is Gone?”. Ajo ka ndihmuar gjithashtu në hartimin e tekstit në spanjisht për këngën “The Mirror Maker (Rosalia)” të grupit U2, pjesë e albumit të tyre, “Carnival of Luz”.
Gjatë paraqitjes në emisionin “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, këngëtarja ka treguar se Bono, këngëtari i grupit U2, e kishte kontaktuar për t’i treguar për projektin e ri dhe këngën që dëshironte ta lidhte me emrin e saj.
“Unë nuk e njoh personalisht, por më dërgoi një mesazh dhe më tha se kishte një projekt të ri dhe një këngë të quajtur ‘The Mirror Maker’”, ka treguar ajo.
Rosalia ka zbuluar me humor se Bono kishte shpikur edhe disa fjalë për tekstin, duke i thënë se mund të krijonte gjuhën e vet nëse dëshironte.
Pavarësisht kësaj, ajo e konsideroi bashkëpunimin një nder të madh.
“Bono është legjendë. Është e pabesueshme”, ka thënë këngëtarja.
Ndërkohë, Bono ka treguar së fundmi se fillimisht hezitonte ta telefononte Rosalian për t’i kërkuar leje që kënga të mbante emrin e saj, pasi nuk donte të dukej sikur po e ndiqte apo po e shqetësonte vazhdimisht.