KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Showbiz

Κιθάρες του Τζόνι Μαρ πουλήθηκαν για σχεδόν 4.6 εκατομμύρια ευρώ σε δημοπρασία

Τζόνι Μαρ

Kitarat e përdorura dhe të koleksionuara nga Johnny Marr, ish-kitaristi i grupit legjendar britanik The Smiths, janë shitur në ankand për një shumë prej 3,6 milionë paund ose rreth 4.2 milionë euro.

Instrumentet, të cilat Marr i ka përdorur gjatë periudhës së tij me The Smiths, si dhe në punën e tij solo, u shitën në kuadër të ankandit të organizuar nga Christie’s, me titullin “Marr’s Guitars: The Johnny Marr Collection”.

Ankandi zgjati më shumë se pesë orë dhe tërhoqi blerës nga 34 vende të ndryshme të botës. Shuma përfundimtare ishte më shumë se tri herë më e lartë se vlera e parashikuar fillimisht për koleksionin.

Duke komentuar shitjen, Johnny Marr, tani 62-vjeçar, u shpreh se ankandi kishte qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe se kishte tejkaluar të gjitha pritshmëritë e tij.

“Ankandi ka qenë një përvojë e mrekullueshme dhe ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë e mia. Dua të falënderoj të gjithë ata që bënë oferta dhe, në veçanti, Christie’s që e bëri këtë përvojë kaq të paharrueshme”, tha Marr.

Kitara “Rickenbacker 330”, e zezë me shkëlqim, e vitit 1982, në pronësi të Marr, u shit për 358 mijë e 400 paund, ose rreth 417 mijë euro, pas një beteje mes ofertuesve që zgjati më shumë se pesë minuta.

Marr këtë kitarë e përdori gjatë gjithë procesit të regjistrimit të albumit debutues të The Smiths, si dhe gjatë turneve të para të grupit. Ajo mund të dëgjohet në këngë të njohura si “This Charming Man”, “Still Ill” dhe “What Difference Does It Make?”.

Instrumenti u shfaq gjithashtu në kopertinën e këngës së parë të rock grupit anglez Oasis, “Supersonic”.

Marr ia kishte huazuar kitarën anëtarit të këtij grupi Noel Gallagher, gjatë sesioneve të para të regjistrimit të albumit debutues të grupit “Definitely Maybe”.

Një tjetër kitarë, “Gibson ES-355” e vitit 1960, në ngjyrë të kuqe, në pronësi të Marr, u shit për 204 mijë e 800 paund, ose rreth 238 mijë euro.

Ky instrument e frymëzoi Marr për të shkruar muzikën e këngës “Heaven Knows I’m Miserable Now” që The Smiths e publikoi në vitit 1984. 

Kitarën ia bleu në vitin 1983 themeluesi i kompanisë diskografike “Sire Records”, Seymour Stein, pasi Marr bëri shaka se The Smiths do të firmosnin kontratë me kompaninë nëse Stein do t’i blinte një kitarë të re.

Ankandi u zhvillua pak para publikimit të albumit të parë të Marr në katër vjet, “The Age Of Everything”, i cili pritet të publikohet më 2 tetor.

Marr ishte kitaristi dhe bashkautor i këngëve të The Smiths, së bashku me këngëtarin Morrissey.

Grupi nga Mançesteri publikoi katër albume në studio përpara se të ndahej në vitin 1987, duke u bërë një nga grupet më të rëndësishme të skenës britanike.