KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Ρατζόν

Ουκρανός ολιγάρχης φυγάς έλαβε τη σερβική υπηκοότητα

Vadym Novynskiy.

Vadym Novynskiy.

Oligarku ukrainas në arrati dhe ish-deputeti Vadym Novynskiy, ndaj të cilit në vendin e tij është lëshuar fletarrestim nën dyshimet për tradhti të lartë, ka marrë shtetësinë e Serbisë.

Vendimi për dhënien e shtetësisë Novynskiyit, i publikuar të premten në Gazetën Zyrtare, ishte nënshkruar një ditë më herët nga kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut.

Në vendim, me të cilin anashkalohen procedurat e rregullta, Qeveria e Serbisë i referohet një dispozite ligjore, sipas së cilës një i huaj mund të bëhet shtetas serb përmes një procedure të përshpejtuar, nëse kjo përbën “interes” për shtetin.

Qeveria serbe, deri në publikimin e këtij lajmi, nuk iu përgjigj pyetjeve të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se pse Novynskiyit iu dha shtetësia dhe si përbën kjo interes për Serbinë.

As Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve.

Novinski është bërë kështu pjesë e qindra shtetasve të huaj, të cilëve autoritetet në Serbi, të udhëhequra nga Partia Përparimtare Serbe e Aleksandar Vuçiqit, ua kanë dhënë pasaportat serbe përmes procedurës së përshpejtuar.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, në këtë mënyrë shtetësinë serbe e kanë marrë edhe qindra shtetas rusë, ndërsa REL-i më herët ka konstatuar se shumë prej tyre janë të afërt me regjimin e Vladimir Putinit.

Kush është Vadym Novynskiy?

Novynskiy është ish-deputet dhe biznesmen ukrainas, ndaj të cilit, siç raporton Shërbimi ukrainas i REL-it, është lëshuar fletarrestim nën dyshimet për tradhti të lartë, me cilësimin se është “kujdestar i Kishës Ortodokse Ruse në Ukrainë”.

Ai u largua nga Ukraina menjëherë pas fillimit të pushtimit rus të këtij vendi në shkurt të vitit 2022 dhe ndërkohë u vendos në Kroaci, ku bleu një pronë me sipërfaqe prej më shumë se 1.400 metrash katrorë, me parcela prej mbi 2.5 hektarësh, ku ndodhen vreshta dhe pemishte.

Në përgjigjen e avokatit të biznesmenit nga një firmë ligjore spanjolle thuhet se Novynskiy është “një përkrahës i vendosur i Ukrainës” dhe se “prej kohësh është nën sanksionet e Federatës Ruse, gjë që në vetvete përjashton çdo pretendim të bazuar për lidhjet e tij të supozuara me strukturat ruse”.

Në letrën e dorëzuar nga avokati nuk paraqiten prova se Novynskiy është nën sanksione të Moskës. Në fakt, më herët është raportuar se sanksionet e Rusisë ndaj tij janë hequr në vitin 2020 dhe se nuk janë vendosur sanksione të reja. Në përgjigjen e avokatit thuhet gjithashtu se “fushatat e drejtuara ndaj diskreditimit, demonizimit dhe kriminalizimit të zotit Novynskiy janë të papranueshme”.

Në mars të këtij viti, pas një heshtjeje të gjatë, Novynskiy dha një intervistë për Compact.TV gjerman, e cila u publikua me titullin “Ky oligark dëshiron ta rrëzojë Zelenskyn!” dhe me përshkrimin se ai është “diçka si Elon Musk i Ukrainës: sipërmarrës, politikan dhe një nga njerëzit më të pasur në vend. Tani ai ndiqet nga presidenti Zelensky – sepse kundërshton kursin e tij në luftë”.

Në intervistë, biznesmeni kritikon presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn, dhe shpreh qëndrimet e tij për luftën me Rusinë, gjuhën ruse, Marrëveshjet e Minskut, sanksionet ndaj tij dhe ndalimin e Kishës Ortodokse të Ukrainës – e cila, përkrah Kishës Ortodokse të Ukrainës, është kisha më e madhe në atë vend – dhe e cila konsiderohet e afërt me Moskën dhe Kishën Ortodokse Ruse.

“Gjëja më e rëndësishme për sigurinë e Ukrainës janë marrëdhëniet miqësore me Rusinë. Gjithçka tjetër është marrëzi. Nëse Ukraina ka marrëdhënie të mira fqinjësore, miqësore dhe strategjike me Rusinë, gjithmonë do të kemi siguri”, tha Novynskiy në intervistë.

Ai pretendon se u detyrua të largohej nga Ukraina për shkak të paralajmërimeve për ndjekje penale ndaj tij.

Sipas të dhënave të Ukrajinska Pravda-s, Novynskiy u largua nga Ukraina pak para fillimit të pushtimit të plotë – më 10 shkurt 2022, drejt Gjermanisë. Sipas të dhënave nga bazat ruse të fluturimeve të rrjedhura, më 21 shkurt 2022 ai fluturoi nga Rusia drejt Estonisë.

Sipas të dhënave të Shërbimit ukrainas të REL-it, ai u largua nga Ukraina në qershor të vitit 2022 dhe që atëherë nuk është kthyer.

Në korrik të atij viti, ai njoftoi se hiqte dorë nga mandati i deputetit dhe se planifikonte t’i përkushtohej rindërtimit të tempujve të shkatërruar. Në dhjetor të po atij viti, Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes i Ukrainës vendosi sanksione ndaj tij.

Disa muaj më pas, në pranverën e vitit 2023, gazetarët e REL-it e filmuan Novynskiyin në një shërbesë në Kishën Ortodokse Ruse në Cyrih. Në një përgjigje për gazetarët, ish-deputeti tha se ndodhej në Zvicër gjatë një kalimi nga Gjermania.

Më vonë, në verën e vitit 2023, ai u filmua me familjen në një prej resorteve turistike në bregdetin kroat të Adriatikut. Më pas u filmua në hotelin Bellevue në Opatia, në gadishullin e Istrias. Në regjistrin kroat, gazetarët gjetën të dhëna për vendbanimin që ai kishte deklaruar në Split, në kompleksin Bel Etage, bashkëpronarë të të cilit, ndër të tjera, janë shtetas të Rusisë.

Gazetarët e Shërbimit ukrainas të REL-it gjetën një pronë të Novynskiyit në qytetin e tretë kroat – Samobor, pranë Zagrebit. Sipas të dhënave nga Sistemi i Regjistrave të Tokës dhe Kadastrës së Kroacisë, në vitin 2025 ai u bë pronar i një prone luksoze atje.

Prona e ish-deputetit ukrainas përbëhet nga dy parcela me sipërfaqe prej gati 2.5 hektarësh, me vreshta dhe pemishte, si dhe një vilë me sipërfaqe prej më shumë se 1.400 metrash katrorë. Në kompleksin rezidencial përfshihen gjithashtu një ndërtesë banimi prej 265 metrash katrorë, ndërtesa ekonomike dhe një bodrum vere prej 200 metrash katrorë.

Brenda vilës ndodhet gjithashtu një pishinë, ndërsa në tokë ka edhe një fushë golfi. Në njoftimin për shitjen e kësaj rezidence, ajo është quajtur “një nga ndërtesat më të bukura të banimit në Kroaci”. Gazeta kroate Jutarnji list raportoi se Novynskiye bleu këtë pronë për 10.5 milionë euro nga biznesmeni lokal Tomislav Horvatinçiq.

“Gjithmonë kam mbështetur paqen, rivendosjen e marrëdhënieve me Rusinë. Edhe pas fillimit të luftës, kam mbështetur paqen, ruajtjen e jetëve të ukrainasve dhe ruajtjen e shtetësisë ukrainase”, tha Novynskiy në intervistën e re.

Shërbimi ukrainas i REL-it ka konstatuar se kompania e vëllait të Novynskiyit në Krime, nën pushtimin rus, “punon” për ushtrinë ruse dhe mbështet agresionin ndaj Ukrainës.

Kompania Balaklavska Rudarska Uprava, e cila më parë ishte pjesë e grupit të kompanive Smart-Holding të Novynskiyit dhe e cila në vitin 2014 iu transferua vëllait të tij, vazhdon të nxjerrë lëndë minerale dhe paguan qindra miliona rubla taksa në buxhetin e Rusisë. Përveç kësaj, kompania dhe punonjësit e saj ndihmojnë dhe mbështesin ushtrinë ruse gjatë pushtimit të Ukrainës – në burime publike raportohet për riparimin e pajisjeve ushtarake dhe pjesëmarrjen në projekte vullnetare në mbështetje të ushtarëve rusë.

Kush janë shtetasit e rinj të Serbisë?

Një analizë e mëhershme e REL-it tregon se që nga fillimi i luftës, me vendim të Qeverisë serbe, shtetësinë e Serbisë e kanë marrë më shumë se 300 shtetas rusë.

Ky nuk është numri përfundimtar, pasi shtetësitë i jep edhe Ministria e Punëve të Brendshme – përmes procedurës së rregullt, me plotësimin e kushteve të caktuara.

MPB-ja serbe nuk iu është përgjigjur pyetjeve të REL-it se sa shtetas rusë e kanë marrë shtetësinë e Serbisë që nga viti 2022.

REL-i më herët ka gjetur se në mesin e pronarëve të rinj të pasaportave serbe kishte edhe figura publike ruse, politikanë dhe biznesmenë, të cilët janë në “listën e zezë” të vendeve perëndimore për shkak të mbështetjes së tyre për luftën.

Për këtë arsye, Beogradi zyrtar është nën vëzhgimin e Bashkimit Evropian (BE).

Brukseli ka paralajmëruar se pasaporta serbe u mundëson shtetasve rusë të hyjnë në BE pa viza, gjë që paraqet rrezik potencial për sigurinë.