KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Γνώμη

Το κράτος βρίσκεται σε υπερανάληψη

Vitin e kaluar, shteti shqiptar pagoi për borxhin më shumë se dyfishin e asaj që i dha arsimit. Nga çdo pesë lekë që mblodhi, afro një shkoi te huadhënësit. Kjo peshë nuk po bie. Po rritet.
Dhjetë vjet para krizës, Greqia kishte një borxh sa të hyrat e rreth 25 muajve. Shqipëria sot ka rreth 22. Dallimi është tre muaj. Vitet po ecin në të njëjtën rrjedhë: të hyrat rriten, por borxhi dhe pagesat për të rriten më shpejt. Vetëm vitin e kaluar, pagesat për borxhin u rritën me 53 për qind.
Turizmi shihet si karta që e baraspeshon këtë peshë. Sjell valutë, i mbush hotelet e restorantet dhe e rrit TVSH-në në doganë. Por Greqia e kishte këtë kartë shumë më të madhe. Ishte ndër vendet më të vizituara të Evropës, kishte ishujt, Athinën, flotën më të madhe tregtare në botë dhe fondet e Bashkimit Evropian. E megjithatë nuk shpëtoi. Turizmi e rrit ekonominë, por nuk e mëson shtetin të mbledhë. E mbush vendin në verë, jo arkën gjatë gjithë vitit. Greqia kishte më shumë turizëm se Shqipëria sot, dhe kishte edhe më shumë kohë, sepse paraja e lirë e euros e mbuloi për dhjetë vjet. Shqipëria ka më pak nga të dyja: borxhin e rifinancon çdo dy a tre vjet.

Askush nuk i vë re këto vite, sepse sipas rregullit që përdor Evropa gjithçka duket në rregull. Rregulli e mat borxhin me BPV-në, me gjithçka që prodhon ekonomia. Por shteti nuk paguan me atë që prodhon ekonomia. Paguan me atë që mbledh. Ky shkrim flet për këtë dallim dhe për pyetjen që rrallë bëhet para se shteti të marrë hua: a e ka mbledhur atë që mund ta mbledhë?

Shteti ka vetëm një arkë. Çdo gjë që mbledh hyn aty, çdo gjë që shpenzon del prej saj. Pagat, pensionet, rrugët, subvencionet dhe interesi i borxhit paguhen nga i njëjti vend. Arka nuk ka ndarje, dhe kur paraja hyn brenda, askush nuk mund të thotë cili lek pagoi çfarë.

Shteti i sotëm nuk fiton asgjë për vete. Nuk hap fabrika dhe nuk shet mallra. Kur ndërton një rrugë, përfitojnë ata që udhëtojnë, jo thesari. Kur ndërton një shkollë, përfitojnë fëmijët, jo buxheti. Edhe një termocentral, rasti që më shumë se çdo gjë tjetër i ngjan investimit, duhet t'u sjellë qytetarëve rrymë më të lirë, jo fitim shtetit. E rryma më e lirë rrallë vjen. Shpenzimi publik, pra, nuk kthehet në arkë, qoftë i quajtur investim, qoftë konsum.

Kjo na tregon se ç'është borxhi publik. Ndërmarrja merr hua duke llogaritur të hyrat që do t'i sjellë paraja e huazuar. Shteti merr hua duke llogaritur atë që do t'u marrë qytetarëve më vonë. Borxhi publik është vendim që merret sot për t'i tatimuar njerëzit nesër, me interes përsipër. Ata që do të paguajnë nuk pyeten, kurse interesi nuk blen asgjë: as shkollë nuk ndërton, as infermiere nuk paguan. Është para që kalon nga ata që e mbushin arkën te ata që mbajnë letrat me vlerë të shtetit. Kur borxhi rifinancohet pa fund, ky kalim bëhet tatim i përhershëm, ku përfiton huadhënësi.

Mbrojtja e zakonshme thotë se huaja për investime i lë brezit që vjen, krahas borxhit, edhe një pasuri. Në fakt i lë dy fatura. Pasuria nuk sjell të hyra, ndërsa që nga dita e parë kërkon mirëmbajtje, personel, ngrohje e riparime, dhe të gjitha këto bëhen shpenzime të përhershme të arkës. Tatimpaguesi i ardhshëm trashëgon kryegjënë, interesin dhe mirëmbajtjen, pa asnjë të hyrë të re për t'i paguar. Kur paraja nuk mjafton, pritet mirëmbajtja, sepse huadhënësi mund ta kërkojë pagesën me ligj, kurse stadiumi jo. Prandaj Athina ka sot rrënoja olimpike dhe një borxh që paguhet rregullisht.
Huadhënësi paguhet i pari për shkak të asaj që e garanton obligacionin e shtetit. Kur falimenton një ndërmarrje, huadhënësi ia merr fabrikën. Askush nuk mund ta sekuestrojë një autostradë apo ta konfiskojë një spital. Ajo që shteti lë peng është pushteti i tij për t'i detyruar qytetarët t'i japin një pjesë të të ardhurave. Obligacioni shtetëror është vetë pushteti shtrëngues i shtetit, i lënë peng te një huadhënës privat. Prandaj interesi paguhet para mësuesit. Mësuesi ka një kërkesë politike ndaj buxhetit, kurse huadhënësi ka hipotekë mbi tagrambledhësin.

Nëse gjithçka kalon nëpër një arkë, edhe tatimi që shteti vendos të mos e mbledhë është shpenzim. Përjashtimi tatimor është pagesë që bëhet para se paraja të arrijë në arkë; subvencioni, pasi ka arritur. Përfituesi merr të njëjtën gjë. Kur shteti i lë pa tatim fitimet nga kapitali ose u jep lehtësira të veçanta disa sektorëve, kjo nuk është thjesht mosveprim. Është pagesë vjetore që bëhet para mbledhjes. Dhe është forma më e keqe e shpenzimit. Subvencioni del në buxhet, ka një shumë të caktuar, votohet çdo vit dhe mund të pritet. Përjashtimi votohet një herë dhe pastaj vazhdon pa fund: nuk ka zë vjetor në buxhet, nuk rishqyrtohet dhe rritet vetvetiu, sa rritet baza e përjashtuar. Është shpenzim i përhershëm që nuk ka nevojë ta mbrojë më askush.

Meqë arka nuk ka etiketa, qeveria nuk mund të thotë se mori hua për rrugën. Kur ka deficit, huaja mbulon atë që mungon në të gjithë arkën, bashkë me përjashtimet. Shteti që merr hua dhe i mban përjashtimet, merr hua për t'i paguar ato. Ulja e tatimit e financuar me borxh nuk është ulje tatimi. Është kalim: lehtësimi u shkon sot disave, fatura u shkon nesër të gjithëve, e rritur me interes.
Ky kalim ka drejtim të caktuar. Paraja që shteti vendos të mos e tatimojë mbetet te ata që kanë para tepër, dhe pikërisht ata blejnë letrat me vlerë të shtetit. Shteti, pra, e lë kapitalin pa tatim, pastaj merr hua po atë kapital dhe i paguan interes. Interesi del nga arka, që mbushet në radhë të parë me TVSH-në dhe me tatimet mbi pagat e atyre që nuk kanë asnjë obligacion. Shteti merr me qira paranë që vendosi të mos e marrë. Borxhi, bashkë me përjashtimet për kapitalin, e kthen një tatim progresiv që mungon në një rentë regresive.

E njëjta logjikë zbulon edhe mënyrat e tjera për të shpenzuar sot paranë e nesërme. Shitja e një pasurie fitimprurëse të shtetit, qoftë port, aeroport apo lotari, sjell sot në arkë një shumë të njëhershme, në këmbim të të hyrave që do të sillte çdo vit më pas. Kjo është huamarrje pa u përmendur fjala obligacion. Koncesioni apo partneriteti publik-privat bën të njëjtën gjë së prapthi: shteti merr sot një pasuri dhe merr përsipër pagesa për vitet që vijnë. Çdo veprim që e zmadhon arkën e sotme duke e zvogëluar arkën e nesërme është huamarrje, sido që ta quajë kontrata. As inflacioni nuk është rrugëdalje. Është tatim që nuk e ka votuar askush, dhe e paguajnë kursimtarët, pensionistët dhe punëtorët, të ardhurat e të cilëve rriten më ngadalë se çmimet. Shtetet që përdorin euron ose marrin hua në euro, si Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, nuk e kanë as këtë shteg. Në fund të fundit, shteti mund vetëm të mbledhë, të shkurtojë shpenzime ose të mos paguajë. Çdo mjet tjetër është njëri nga këta të tre, pa votë.

Prandaj borxhi nuk duhet matur me BPV-në. Shteti nuk e zotëron BPV-në dhe nuk mund të paguajë interes me të. Paguan me atë që mbledh. Të hyrat planifikohen para se të nisë viti, krahasohen me atë që hyn vërtet dhe ndryshojnë ngadalë. BPV-ja ka edhe një të metë: paraja e huazuar, kur shpenzohet, e rrit BPV-në, ndërtoftë diçka apo jo. Kështu ulet raporti i borxhit ndaj BPV-së, dhe huaja e re duket e sigurt. Kufiri i matur me BPV-në lirohet vetvetiu sa më shumë rritet borxhi. Kufiri i Mastrihtit prej 60 për qind të BPV-së nuk ishte gjë tjetër veçse mesatarja e borxhit të vendeve që e negociuan. I matur me të hyrat, ai nuk është më rregull i përbashkët. Për shtetin që mbledh gjysmën e ekonomisë së vet, barazohet me rreth një vit të hyrash. Për atë që mbledh pak më shumë se një të katërtën, me mbi dy vjet. Vendeve me tatime të ulëta u thuhet se kanë hapësirën më të madhe, ndërsa aftësia e tyre për të paguar është më e vogla. Ky është mirazhi i zhvillimit: ekonomia mund të rritet për një kohë të gjatë më shpejt se aftësia e shtetit për ta tatimuar këtë rritje, e tavani vazhdon të tregojë hapësirë.
Borxhi publik i ngjan më shumë një overdrafti familjar sesa një kredie për shtëpi. Kredia për shtëpi blen diçka që mbetet. Overdrafti mban gjallë muajin: rrymën, ushqimin, shkollimin e fëmijëve. Edhe shteti, si familja që jeton në minus, rrallë merr hua për diçka që i sjell para. Merr hua që të funksionojë. Dhe si overdrafti, borxhi i tij nuk shlyhet kurrë: vetëm rinovohet, duke paguar interes, e banka mund ta ulë kufirin kur të dojë.

Matur kështu, Shqipëria jeton me afro 22 muaj të hyrash në minus. Në vitin 2025 mblodhi rreth 755 miliardë lekë, ndërsa për borxhin, interes e kryegjë bashkë, pagoi rreth 145 miliardë. Ministria e Arsimit pati atë vit rreth 62 miliardë lekë. Dhe meqë afati mesatar i maturimit është pak nën tre vjet, banka e rishikon kufirin pothuajse çdo vit.

Kosova jeton me rreth gjashtë muaj në minus. Borxhi publik në fund të vitit 2025 ishte rreth 1.82 miliardë euro, ndërsa të hyrat e planifikuara për vitin 2026 janë rreth 3.64 miliardë. Pjesa e jashtme e borxhit, rreth 855 milionë euro, vjen kryesisht nga institucionet financiare ndërkombëtare, me kushte të buta. Pjesa tjetër, rreth 961 milionë, përbëhet nga letra me vlerë në tregun vendor. Deficiti i vitit 2025 ishte vetëm 0.3 për qind e BPV-së.

Dështimi rrallë vjen nga lakmia për borxh. Vjen kur një stinë e mirë merret si e përhershme. Të hyrat e Shqipërisë u rritën kryesisht me turizmin, me importet dhe me çmimet. Pjesa më e madhe e TVSH-së mblidhet në doganë, jo brenda ekonomisë vendase, dhe shumë veprimtari mbetet joformale. Mbi këto të hyra, shteti merr përsipër detyrime të përhershme ndaj qytetarëve, detyrime të drejta e të nevojshme, sepse edhe jeta shtrenjtohet. Por burimi i tyre nuk është i përhershëm. Kur cikli kthehet, detyrimet mbeten, dhe shteti merr hua për t'i paguar, pastaj merr hua sërish për të paguar interesin. Problemi nuk është ajo që shteti u premton qytetarëve. Problemi është se premtimin e mbështet te një stinë e mirë, në vend që ta mbështesë te mbledhja. Mali i Zi shkoi një hap më tej: uli kontributet që i mblidhte tashmë dhe zbrazëtirën e mbuloi me hua nga jashtë. Greqia tregon se ku të çon kjo rrugë. Borxhin e ngriti brenda pak vitesh, pastaj për vite me radhë dukej e qëndrueshme, sepse huaja e lirë e kurseu nga detyra për të mësuar si të mbledhë. Greqia nuk ra në krizë nga borxhi. Me borxh iu shmang reformave. Kur paraja e lirë u ndal, llogaria erdhi përnjëherë. Greqia i ngriti pastaj të hyrat nga rreth 39 në rreth 50 për qind të ekonomisë, por nën mbikëqyrjen e kreditorëve dhe pas një depresioni të rëndë. Franca tregon se ç'ka në skajin tjetër. Ajo mbledh tashmë rreth gjysmën e ekonomisë, nuk i ka mbetur bazë e madhe e patatimuar, vazhdon të marrë hua dhe nuk merret vesh për shkurtime. "Do të mbledhim më shumë më vonë" nuk vlen më kur nuk ka më ç'të mblidhet.

Rregulli, pra, nuk është tavan. Është radhë veprimesh. Së pari mblidh atë që ligji sot e lë jashtë tatimit, pastaj merr hua. Çdo përjashtim le të skadojë, po qe se Kuvendi nuk e voton sërish. Zgjero bazën para se t'ua rritësh normat atyre që paguajnë tashmë. Shpenzimin e përhershëm financoje vetëm me të hyra të përhershme. Mos ndërto asgjë me hua pa siguruar në të njëjtin ligj mirëmbajtjen nga të hyrat e rregullta. Merr hua vetëm kur tatimi i menjëhershëm është vërtet i pamundur: në luftë, në katastrofë, kur shembet vetë mbledhja. Ka vetëm një lloj shpenzimi që i kthen para arkës: ai që forcon aftësinë për të mbledhur, si sistemet e faturimit, një administratë tatimore që funksionon dhe futja e ekonomisë joformale në atë formale. Ky duhet të vijë i pari.

Prandaj Kosova ka rëndësi. Qeveritë e saj kanë refuzuar të marrin hua vetëm pse rregullat e lejonin, dhe ky është hapi më i vështirë i gjithë këtij arsyetimi. Pjesa e jashtme e borxhit të saj është para gati pa kosto: prapë tatim i shtyrë, por pothuajse pa interes. Prova e Kosovës nuk është borxhi. Nevojat e qytetarëve rriten, sepse rritet kostoja e jetës, dhe shteti duhet t'u përgjigjet. Por ndërkohë dividendët mbeten pa tatim, si kur ndërmarrja i shpërndan, ashtu edhe kur aksionari i merr. Kjo është radhë e gabuar. Së pari duhet mbyllur përjashtimi, që ajo që u jepet qytetarëve të ketë burim të sigurt. Pastaj, nëse duhet më shumë, le të financohet përmes konsumit e jo përmes pagave, përderisa rritja ekonomike është aq e fortë sa shtesa e tatimit të mos ndihet. Po u bë së prapthi, tatimi mbi konsumin bie mbi ata që më pak se kushdo mund t'i shmangen.

Defekti më i thellë nuk është ekonomik. Është defekt në kohë. Premtimi për shpenzim hyn në fuqi menjëherë dhe krijon votues që e mbrojnë. Përjashtimi miratohet një herë dhe e mbron përgjithmonë grupi i vogël që përfiton prej tij. Obligacioni ua fsheh koston të dyve, derisa një legjislaturë e mëvonshme të detyrohet ta rifinancojë. Ata që do të paguajnë nuk janë të palindur. Janë të rinj, paguajnë TVSH dhe tatim mbi pagën, nuk kanë asnjë obligacion dhe nuk kanë pasur zë në vendimin që i detyron. Mund ta ndërrojnë qeverinë, por asnjë zgjedhje nuk e prek borxhin e marrë. Greqia votoi "jo" në vitin 2015 dhe disa javë më vonë nënshkroi paketën e tretë të shpëtimit. Kështu refuzimi shkon gjetiu. Del në rrugë, si në Kenia, ku një ligj tatimor i hartuar për të paguar borxhin i çoi të rinjtë deri brenda parlamentit dhe u tërhoq. Kalon kufirin, kur të rinjtë largohen nga Ballkani dhe marrin me vete një pjesë të pengut, duke e ngushtuar bazën tatimore dhe duke e detyruar shtetin t'i shtrydhë më fort ata që mbeten. Dhe hyn në ekonominë joformale. Obligacioni i shtetit lë peng pëlqimin e njerëzve që nuk i ka pyetur askush. Qeveritë bien, obligacionet mbeten. Sistemi që i lejon një legjislature të shpenzojë atë që do ta mbledhë tjetra, një ditë e gjen këtë të ardhme përballë vetes, në rrugë.