KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Γνώμη

Επαναπροσδιορισμός της εξωτερικής πολιτικής μέσω της ολοκληρωτικής διπλωματίας

Kosova përballet me sfida që nuk mund t’i trajtojë vetëm përmes diplomacisë tradicionale: kundërshtimin e Serbisë ndaj shtetësisë së saj, mbështetjen diplomatike të Rusisë për këtë kundërshtim dhe një mjedis rajonal ku tensionet, konkurrenca gjeopolitike dhe kërcënimet hibride ndërthuren. Përgjigjja duhet të jetë zbatimi i konceptit të diplomacisë totale – mobilizimit të koordinuar të institucioneve, partnerëve dhe shoqërisë për të zgjeruar njohjet, për të avancuar integrimin euroatlantik dhe për ta bërë Kosovën më të qëndrueshme e më me ndikim.

Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës si Presidente e Kosovës e shmangu një krizë të menjëhershme institucionale dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Ky zhvillim krijon mundësinë që institucionet e Kosovës ta kthejnë vëmendjen te sfidat që kërkojnë vazhdimësi përtej një mandati politik. Ky është çast për të menduar jo vetëm si reagon Kosova ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, por edhe si u paraprin atyre dhe i bashkërendon instrumentet shtetërore rreth interesave të saj afatgjata.

Në këtë kontekst, Kosova duhet të dalë nga politika e jashtme e udhëhequr nga retorika dhe, jo rrallë, nga improvizimi. Ajo duhet të përcaktojë interesa të qarta, të profesionalizojë shërbimin diplomatik e të zgjerojë rrjetin e saj, si dhe të ndërtojë vazhdimësi institucionale dhe partneritete me përmbajtje. Këto parakushte mbeten të domosdoshme. Por sot duhet të shtrojmë edhe një pyetje: si mund të organizohet i gjithë kapaciteti i shtetit për t’i mbrojtur interesat e Kosovës në një mjedis ndërkombëtar e rajonal më të paparashikueshëm?

Diplomacia totale është përgjigjja që propozoj. Ajo është përpjekje e përhershme dhe e bashkërenduar për ta konsoliduar shtetësinë e Kosovës, për ta zgjeruar njohjen ndërkombëtare, për të siguruar anëtarësim dhe pjesëmarrje në organizata ndërkombëtare e euroatlantike, për të thelluar partneritetet dypalëshe dhe për të mos lejuar që presioni i jashtëm ta ngushtojë hapësirën e veprimit të vendit. Ajo e lidh diplomacinë me sigurinë, ekonominë, drejtësinë, zhvillimin, komunikimin publik dhe përfshirjen e shoqërisë.

Përvoja ime institucionale, përfshirë shërbimin si shef i stafit të Presidentit të Kosovës nga prilli 2021 deri në nëntor 2023, më ka bindur se politika e jashtme nuk forcohet vetëm me objektiva të drejta dhe retorikë. Ajo kërkon bashkërendim të përditshëm mes institucioneve, vazhdimësi përtej cikleve politike dhe aftësi për t’i kthyer marrëdhëniet në rezultate konkrete. Shpesh, boshllëku më i kushtueshëm nuk është mungesa e ambicies, por mungesa e një sistemi që e lidh ambicien me përgjegjësinë dhe zbatimin.

Kërcënimet dhe mjedisi rajonal

Strategjitë e Sigurisë dhe Mbrojtjes së Kosovës e përshkruajnë Serbinë, me mbështetjen e Rusisë, si kërcënimin kryesor të jashtëm për sigurinë e vendit. Ato vënë në dukje veprimet kundër shtetësisë dhe integrimit ndërkombëtar të Kosovës, përdorimin e metodave hibride dhe synimin për të rritur tensionet në veri. Këto janë vlerësime zyrtare të Kosovës; duhen marrë seriozisht, por edhe trajtuar me saktësi analitike.

Kërcënimi nuk shfaqet vetëm në formën e përballjes ushtarake kinetike. Ai mund të marrë trajtën e pengimit diplomatik, presionit ekonomik e politik, dezinformimit, sulmeve kibernetike dhe përpjekjeve për të shfrytëzuar ndarjet e brendshme politike e shoqërore. Rusia e mbështet qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe e shfrytëzon çështjen për të dobësuar besueshmërinë e integrimit euroatlantik në Kosovë e rajon. Kjo nuk do të thotë se çdo veprim i Beogradit drejtohet nga Moska, apo se ndikimi rus në rajon është i pakufizuar; do të thotë se interesat e tyre mund të përputhen kur synohet pengimi i konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës.

As rreziku rajonal nuk mbaron te marrëdhënia Kosovë-Serbi. Ballkani Perëndimor mbetet i ndjeshëm ndaj përparimit të pabarabartë të shteteve drejt integrimit evropian, konkurrencës gjeopolitike së BE-së me Rusinë, Kinën dhe aktorët e tjerë malinjë, mosmarrëveshjeve të pazgjidhura bilaterale dhe dobësive institucionale e shoqërore që mund të shfrytëzohen nga aktorë të brendshëm e të jashtëm. Tensionet e nxitura nga Serbia në veri të Kosovës, refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimet në Bosnjë e Hercegovinë ndikojnë në sigurinë e njëri-tjetrit. Në këtë mjedis, krizat mund të përhapen përtej kufijve, ndërsa dezinformimi dhe polarizimi mund ta dobësojnë besimin që i duhet shoqërisë për t’u bërë ballë trysnive.

Ky vlerësim nuk duhet ta shndërrojë Kosovën në vend që e sheh çdo zhvillim si kërcënim dhe çdo mosmarrëveshje si konspiracion. Ai duhet ta ndihmojë të dallojë veprimet konkrete nga zhurma politike, të dokumentojë ndërhyrjet dhe t’u japë partnerëve të dhëna të besueshme. Përgjigjja e duhur ndaj presionit nuk është retorika më e ashpër, por ndërthurja e qëndrueshmërisë, maturisë, ndërtimit të koalicioneve, funksionimit të mirë të institucioneve dhe veprimit të vendosur në terren.

Në të njëjtën kohë, SHBA-të kanë iniciuar rishikimin e arkitekturës euroatlantike dhe ndarjen e përgjegjësive në kontinentin evropian. NATO-ja po e përshkruan “NATO 3.0” si ribalancim të Aleancës, me një rol më të madh për Evropën, por pa e cenuar karakterin transatlantik të saj. Veçmas, NATO-ja njoftoi se do ta përshtatë gradualisht qëndrimin e KFOR-it gjatë vitit pasues, duke iu referuar përmirësimit të situatës së sigurisë dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve të Kosovës. Ky është proces i veçantë nga një rishikim më i gjerë i pranisë amerikane në Evropë; ai nuk duhet paraqitur si njoftim për tërheqjen e SHBA-së nga Kosova. Megjithatë, këto zhvillime i kujtojnë Kosovës se siguria e saj nuk mund të mbështetet te supozimi se mjedisi strategjik do të mbetet i pandryshuar. Kosova duhet ta thellojë partneritetin me SHBA-në, të investojë në marrëdhëniet me aleatët evropianë dhe të dëshmojë se mund të kontribuojë, sipas kapaciteteve të saj, në sigurinë e përbashkët.

Objektiva të qarta

Për Kosovën, strategjia e diplomacisë totale duhet të udhëhiqet nga qëllime të qarta: zgjerimi i njohjeve dhe mbrojtja e atyre ekzistuese; avancimi i rrugës drejt Bashkimit Evropian përmes fitimit të statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave; afrimi me strukturat dhe mekanizmat e NATO-s dhe me synimin strategjik anëtarësimin në Aleancë; anëtarësimi në Këshillin e Evropës; si dhe thellimi i marrëdhënieve dypalëshe me shtetet që kanë peshë të veçantë për sigurinë, integrimin dhe zhvillimin e Kosovës.

Duhet të jemi të saktë për statusin e secilit synim. Kosova e dorëzoi kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, por mbetet vend potencial kandidat dhe aplikimi i saj ende nuk ka hyrë në fazën e negociatave. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e mbështeti aplikimin e Kosovës në vitin 2024, por Komiteti i Ministrave ende nuk ka marrë vendim përfundimtar. Disa shtete anëtare e kanë lidhur mbështetjen e tyre me përmbushjen e zotimeve të dialogut, përfshirë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Anëtarësimi në NATO mbetet synim strategjik, ndërsa pengesat politike përfshijnë mosnjohjen e Kosovës nga katër shtete anëtare të Aleancës.

Pritja për anëtarësim të plotë nuk duhet të shndërrohet në pritje pasive. Kosova duhet të kërkojë pjesëmarrjen sa më të gjerë në nismat, programet dhe rrjetet evropiane që rrisin sigurinë, zhvillimin dhe ndërvarësinë rajonale mbi bazën e parimeve evropiane, duke ruajtur njëkohësisht synimin e qartë për anëtarësim të plotë në BE. Përfshirja graduale nuk duhet parë apo kthyer në qëllim si zëvendësim i perspektivës së anëtarësimit; por duhet parë si mënyrë për ta afruar Kosovën me Evropën politike e ekonomike dhe për ta bërë zgjerimin më të prekshëm për qytetarët.

Këto pengesa e bëjnë diplomacinë më të nevojshme, jo më pak të vlefshme. Kosova duhet të thellojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar; të ndërtojë me Shqipërinë bashkërendim strategjik, jo vetëm afërsi simbolike; dhe të zgjerojë bashkëpunimin me Kroacinë, Turqinë dhe shtetet e tjera të rajonit dhe kontinentit, ndër shtetet me peshë në sigurinë dhe politikën rajonale. Deklarata e përbashkët e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e nënshkruar në vitin 2025, ilustron se si partneriteti mund të konkretizohet në bashkëpunim për kapacitetet mbrojtëse dhe sigurinë. Këto marrëdhënie duhet të plotësohen me angazhim të qëndrueshëm me shtetet e tjera të BE-së dhe NATO-s, veçanërisht me ato që mund të mbështesin integrimin dhe pjesëmarrjen ndërkombëtare të Kosovës. Këtu duhet promovuar idenë e krijimin e “Grupit të Shteteve Mike të Kosovës” brenda BE-së dhe NATO-së si platformë për koordinim me shtetet mike dhe për të avancuar qëndrimet dhe synimet e Kosovës që janë të rëndësisë strategjike për të.

Këto nuk janë dosje të shkëputura. Përparimi në sundimin e ligjit, avancimin e demokracisë, profesionalizimin e institucioneve dhe bashkëpunimin rajonal e forcon argumentin për integrim. Marrëdhëniet e mira dypalëshe mund të sjellin mbështetje për anëtarësime, mundësi ekonomike, bashkëpunim në siguri dhe zëra që e mbrojnë Kosovën në forume ku ajo ende nuk është anëtare. Legjitimiteti ndërkombëtar nuk prodhohet vetëm me argumente juridike; ai ndërtohet edhe me mënyrën si funksionon shteti.

Për Presidenten e re, Qeverinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sfida është ta shndërrojnë këtë moment institucional në pikënisje për politikë të jashtme më të efektshme dhe me ndikim. Nuk bëhet fjalë për ta mohuar punën e deritanishme, por për të ndërtuar mbi të – për t’i përcaktuar prioritetet, për të ndarë përgjegjësitë dhe për t’u dhënë misioneve diplomatike objektiva të matshme e të zbatueshme.

Si ndihmon diplomacia totale

Diplomacia totale nuk nënkupton që çdo institucion apo individ të flasë në emër të Kosovës. Përgjegjësia për politikën e jashtme duhet të mbetet e qartë te institucionet kushtetuese dhe përfaqësuesit e autorizuar. Ajo nënkupton që Presidenca, Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Kuvendi të punojnë mbi prioritete të përbashkëta, ndërsa institucionet e sigurisë, ekonomisë, drejtësisë dhe arsimit t’i mbështesin ato me ekspertizë e veprim konkret.

Kjo kërkon një mekanizëm të rregullt bashkërendimi ndërinstitucional që parandalon mesazhet kundërthënëse, dyfishimin e punës dhe angazhimin e rastësishëm në kohë krizash. Nuk ka të bëjë me centralizimin e çdo aktiviteti ndërkombëtar, por me përcaktimin e përgjegjësive, ruajtjen e vazhdimësisë dhe krijimin e një busulle të përbashkët përtej cikleve zgjedhore.

Ambasadat e Kosovës duhet të kenë objektiva të qarta për vendet ku janë akredituar – cilët vendimmarrës kanë ndikim, cilat shqetësime duhen trajtuar, ku ka interesa të përbashkëta dhe çfarë mbështetjeje reale mund të ndërtohet. Fushata e njohjeve duhet të jetë e diferencuar ku shteteve potencialisht njohëse t’u paraqiten argumente të përshtatura; vendet e pavendosura të afrohen përmes bashkëpunimit gradual; ndërsa njohjet ekzistuese të shndërrohen në marrëdhënie aktive dhe në mbështetje për anëtarësime e nisma ndërkombëtare.

Burimet diplomatike të Kosovës janë të kufizuara; prandaj duhet të përqendrohen te shtetet, organizatat dhe objektivat ku angazhimi mund të sjellë përparim konkret. Anëtarësimet duhen ndjekur si fushata shumëvjeçare, jo si njoftime të njëhershme. Çdo nismë kërkon analizë të fizibilitetit, hartë të votave, partnerë sponsorizues dhe plan diplomatik e komunikimi. Kur anëtarësimi i plotë nuk është i arritshëm menjëherë, statusi i vëzhguesit, pjesëmarrja në mekanizma teknikë ose aderimi në konventa mund ta mbajnë Kosovën të pranishme dhe të krijojnë terren për hapa të tjerë.

Asnjëra prej këtyre përpjekjeve nuk mund të mbështetet vetëm te diplomatët. Diaspora mund të zgjerojë rrjetet politike, profesionale e akademike; universitetet mund të ndërtojnë ura kërkimore e shkëmbime; bizneset mund të krijojnë interesa ekonomike të përbashkëta; ndërsa komunat, shoqëria civile, mediat dhe institucionet kulturore mund ta bëjnë Kosovën më të dukshme dhe narrativën e saj më të kuptueshme. Këta aktorë nuk janë zëvendësim për diplomacinë shtetërore. Ata mund ta shumëfishojnë ndikimin e saj, nëse përfshihen në veprime të koordinuara që u shërbejnë interesave strategjike të vendit, pa u shndërruar në zgjatim të politikës partiake.

Diplomacia totale do të ndihmonte edhe në menaxhimin e krizave përmes informacionit të bashkërenduar, komunikimit të shpejtë me aleatët, reagimit të bazuar në prova ndaj pretendimeve të rreme dhe kanaleve të hapura për uljen e tensioneve. Strategjitë e Sigurisë dhe Mbrojtjes së Kosovës e lidhin sigurinë me bashkërendimin e instrumenteve të ndryshme shtetërore. E njëjta logjikë vlen edhe për politikën e jashtme – kapacitetet e shtetit duhet të punojnë së bashku, jo të aktivizohen veç e veç vetëm pasi të shpërthejë një krizë.

Suksesi duhet të matet jo me numrin e vizitave zyrtare, por me rezultatet – marrëdhënie të reja e të thelluara, mbështetje konkrete për anëtarësime, njohje që shndërrohen në partneritete aktive, bashkëpunim ekonomik e sigurie që u qëndron ndryshimeve politike dhe aftësi më të madhe për t’u bërë ballë presioneve. Një shtet që respekton zotimet ndërkombëtare, forcon sundimin e ligjit dhe mbron të drejtat nuk përmbush thjesht kërkesa të jashtme; po ndërton burimin më të qëndrueshëm të legjitimitetit dhe fuqisë së vet bindëse.

Diplomacia totale nuk është formulë magjike, as politikë e jashtme e bazuar vetëm në retorikë. Është mënyrë për t’i lidhur objektivat strategjik kombëtar me mjetet që mund t’i bëjnë të arritshme; për t’i kthyer njohjet në mbështetje aktive, mbështetjen në pjesëmarrje institucionale dhe pjesëmarrjen në ndikim.

Kosova nuk mund ta zgjedhë rendin ndërkombëtar që po formohet dhe raportet e reja gjeopolitike që prodhon ai. Mund të zgjedhë, megjithatë, nëse do të përballet me të e përçarë dhe reaktive, apo me prioritete të qarta dhe kapacitet të bashkërenduar. Për një shtet të vogël, hapësira ndërkombëtare nuk është e garantuar – ajo fitohet, ruhet dhe zgjerohet me punë të vazhdueshme. Kalimi nga diplomacia tradicionale te diplomacia totale është nevojë strategjike dhe ftesë për Presidenten, Qeverinë dhe diplomacinë e Kosovës që këtë moment institucional ta shndërrojnë në përpjekje të përbashkët kombëtare.

(Autori është bashkëpunëtor i jashtëm kërkimor i UTSYN – Qendrës për Siguri dhe Qëndrueshmëri në Oslo dhe ka doktoratë në Studimet Bashkëkohore Evropiane nga Universiteti i Sussex-it)