KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Γνώμη

Ο Πρόεδρος της Δημοκρατίας δεν είναι εθιμοτυπικός.

Nëse presidenti do të ishte menduar si figurë ceremoniale, Kushtetuta do t’i kishte dhënë funksione ceremoniale. Në vend të kësaj, e ka përcaktuar si kreun e shtetit, përfaqësues të unitetit të popullit, përfaqësues legjitim të Republikës brenda dhe jashtë, garantues të funksionimit kushtetues të institucioneve dhe i ka dhënë një varg kompetencash të drejtpërdrejta kushtetuese. Prandaj çështja nuk është nëse presidenti i Republikës së Kosovës është ceremonial. Nuk është. Çështja është se kush do të jetë president dhe si do t’i ushtrojë kompetencat që Kushtetuta ia ka dhënë

Në jetën politike dhe institucionale të Kosovës është krijuar prej vitesh bindja se presidenti i Republikës është një institucion kryesisht ceremonial. Kjo është përsëritur aq shpesh, saqë me kohë është pranuar pothuajse si diçka e vetëkuptueshme. Por nuk është kështu. Mjafton të lexohet Kushtetuta për të kuptuar se presidenti i Republikës së Kosovës nuk është president ceremonial. Nuk ka qenë i tillë as atëherë kur është dukur i tillë.

Kushtetuta nuk ia ka ndryshuar kompetencat presidentit varësisht nga personi që ka ushtruar këtë funksion. Ka ndryshuar mënyra se si presidentë të ndryshëm i kanë kuptuar dhe ushtruar kompetencat e tyre. Pikërisht këtu duhet kërkuar edhe shpjegimi për rëndësinë që sot ka marrë çështja se kush do të jetë Presidenti i ardhshëm i Republikës.

Nga presidenti i zgjedhur nga populli te presidenti i zgjedhur nga Kuvendi

Historia politike e institucionit të presidentit në Kosovë është më e vjetër se shteti i pavarur.
Në fillim të viteve '90, pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe suprimimit të dhunshëm të autonomisë së Kosovës nga regjimi i Millosheviqit, shqiptarët e Kosovës krijuan institucionet e tyre politike. Në zgjedhjet e organizuara atëherë, Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës me mbështetje të gjerë popullore. Ishte President i një republike që nuk gëzonte njohje ndërkombëtare, në një vend të pushtuar dhe nën represion, por që shprehte vullnetin politik të shumicës dërrmuese të popullit të Kosovës. 

Pas vitit 1999 rrethanat ndryshuan. Kosova u vendos nën administrimin ndërkombëtar. Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme krijoi institucionet qendrore të vetëqeverisjes, ndër to Kuvendin, Presidentin dhe Qeverinë. Presidenti tashmë zgjidhej nga Kuvendi. Ibrahim Rugova u zgjodh dy herë President, ndërsa pas vdekjes së tij është zgjedhur Fatmir Sejdiu. 

επίσης Γνώμη Ο συνταγματικός πολιτισμός ως προϋπόθεση για τη λειτουργία της Δημοκρατίας

Me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe hyrjen në fuqi të Kushtetutës më 15 qershor të atij viti, institucioni i Presidentit mori bazën e tij të plotë shtetërore dhe kushtetuese. Fatmir Sejdiu vazhdoi mandatin, ndërsa më pas Kuvendi zgjodhi Behgjet Pacollin, Atifete Jahjagën, Hashim Thaçin dhe Vjosa Osmanin. Pikërisht gjatë kësaj periudhe filloi të krijohej edhe një perceptim i gabuar për natyrën e këtij institucioni.

Si u krijua ideja e presidentit ceremonial?  

Dorëheqja e Fatmir Sejdiut pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 dhe zhvillimet që pasuan krijuan një periudhë të pazakontë për institucionin e presidentit. Në vitin 2011 Behgjet Pacolli u zgjodh president, por procedura e zgjedhjes së tij u shpall jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Pas krizës politike që pasoi, presidente u zgjodh Atifete Jahjaga. 

Në diskursin politik dhe publik të asaj kohe filloi të përdorej gjithnjë e më shumë cilësimi i presidentit si figurë “ceremoniale”. Edhe mënyra relativisht e përmbajtur e ushtrimit të funksionit gjatë mandatit të presidentes Jahjaga ndikoi që ky perceptim të forcohej edhe më shumë. Këtu qëndron keqkuptimi. 
Fakti se një president zgjedh t'i ushtrojë me përmbajtje kompetencat e veta nuk do të thotë se Kushtetuta ia ka dhënë ato vetëm për ceremoni. Sikurse fakti se një president tjetër i ushtron ato më aktivisht nuk do të thotë se kompetencat e tij janë shtuar. 

Kompetenca kushtetuese ekziston pavarësisht personalitetit, përvojës politike apo mënyrës së veprimit të personit që e ushtron atë. 

Kjo u bë shumë më e dukshme me zgjedhjen e Hashim Thaçit president në vitin 2016. Ai vinte në Presidencë pas një përvoje të gjatë politike, si drejtues partie, Kryeministër, Ministër i Jashtëm dhe një prej figurave kryesore të jetës politike të Kosovës. Ushtrimi më aktiv i kompetencave presidenciale bëri që perceptimi për presidentin “ceremonial” gradualisht të humbte kuptimin. Nuk kishte ndryshuar Kushtetuta. Kishte ndryshuar presidenti.

Çfarë thotë Kushtetuta?

Përgjigjja për pozitën e presidentit nuk duhet kërkuar në perceptimet politike, por në Kushtetutë.
Neni 4 përcakton një prej parimeve themelore të rendit kushtetues të Kosovës: ndarjen e pushtetit dhe kontrollin e balancimin ndërmjet tyre. Në kuadër të këtij përcaktimi, paragrafi 3 i të njëjtit nen e vendos presidentin në një pozitë të veçantë: ai përfaqëson unitetin e popullit, është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës.

επίσης Κρίση στην Ευρωπαϊκή Ένωση Γνώμη Κρίση στην Ευρωπαϊκή Ένωση

Neni 83 është edhe më i drejtpërdrejtë: presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës. Vetëm këto dy përcaktime do të duhej të mjaftonin për ta vënë seriozisht në pikëpyetje cilësimin “ceremonial”. Por neni 84 shkon shumë më tej. Presidenti përfaqëson Republikën brenda dhe jashtë; garanton funksionimin kushtetues të institucioneve; shpall zgjedhjet; nxjerr dekrete; shpall ligjet dhe ka të drejtë t'i kthejë ato për rishqyrtim; nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare në rastet e përcaktuara me Kushtetutë; mund të propozojë ndryshime kushtetuese; mund t'i referojë çështje Gjykatës Kushtetuese; udhëheq politikën e jashtme; është Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë; cakton mandatarin për formimin e Qeverisë dhe ushtron kompetenca të rëndësishme në emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve, Kryeprokurorit të Shtetit, përfaqësuesve diplomatikë dhe drejtuesve të institucioneve të tjera kushtetuese. Këto nuk janë kompetenca ceremoniale. Madje, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk ia përcakton presidentit të Republikës asnjë kompetencë ceremoniale. Kompetencat që ia njeh janë kompetenca kushtetuese me përmbajtje dhe pasoja konkrete në funksionimin e shtetit dhe të institucioneve të tij. Një institucion me kompetenca të tilla mund të ketë një president politikisht të përmbajtur. Mund të ketë një president më aktiv ose më pak aktiv. Por kjo është çështje e mënyrës së ushtrimit të funksionit dhe jo e pozitës që Kushtetuta ia ka dhënë.

Kompetenca dhe personaliteti politik  

Edhe teoria kushtetuese krahasuese na mëson se fuqia e një presidenti nuk matet vetëm me mënyrën se si ai zgjidhet. Matthew Shugart dhe John Carey, në studimin e tyre të njohur Presidents and Assemblies: Constitutional Design and Electoral Dynamics, fuqinë presidenciale e analizojnë pikërisht duke u nisur nga kompetencat që kushtetuta ia njeh presidentit. Robert Elgie, në studimet e tij për sistemet evropiane, ka treguar gjithashtu se presidentët që veprojnë në rrethana të përafërta kushtetuese mund të kenë peshë politike shumë të ndryshme.

Kjo na çon te një dallim thelbësor: ndërmjet pozitës kushtetuese të presidentit dhe mënyrës së ushtrimit të kompetencave. Të parën e përcakton Kushtetuta. Në të dytën ndikon fuqishëm personi që zgjidhet president. Këtë e ka dëshmuar edhe mandati i Vjosa Osmanit. Sidomos gjatë pjesës së fundit të mandatit, dallimet me Kryeministrin për çështje të caktuara shtetërore e kanë bërë më të dukshme pavarësinë kushtetuese të institucionit të presidentit. Kjo nuk duhet parë vetvetiu si shmangie nga sistemi. Kontrolli dhe balancimi i pushteteve ekzistojnë pikërisht sepse Kushtetuta nuk e ka përqendruar gjithë autoritetin shtetëror në një institucion. Tri raste e tregojnë mirë këtë. Adresimi vjetor i presidentes në Kuvend në fund të vitit 2024 nuk ishte vetëm paraqitje protokollare. Presidentja shprehu qëndrime për çështje të rëndësishme shtetërore në cilësinë e kreut të shtetit. Pjesëmarrja në Bordin e Paqes e bëri të dukshme një dimension tjetër: përfaqësimin e Republikës jashtë vendit. Presidentja veproi në emër të Republikës, ndërsa çështja e ratifikimit iu la Kuvendit sipas rendit kushtetues. Pikërisht këtu shihet ndarja dhe balancimi: presidenti përfaqëson shtetin, ndërsa Kuvendi ushtron kompetencën që Kushtetuta ia rezervon atij. Rasti i Kryeprokurorit të Shtetit është edhe më domethënës. Për një periudhë të gjatë presidentja nuk e dekretoi kandidatin e propozuar. Mund të diskutohet nëse një qëndrim i tillë ishte juridikisht i drejtë ose jo. Ky është debat tjetër. Për çështjen që po trajtojë këtu rëndësi ka diçka tjetër: një vendim i presidentit ishte në gjendje të prodhonte pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e një institucioni të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Një funksion thjesht ceremonial nuk prodhon pasoja të tilla. Kompetenca kushtetuese po.

Pse ka rëndësi kush do të jetë president?

Prandaj, debati për presidentin e ardhshëm të Republikës nuk duhet reduktuar në pyetjen se kush do ta zërë një pozitë ceremoniale. Është pikërisht e kundërta.

Rëndësia politike e zgjedhjes së presidentit buron nga rëndësia kushtetuese e institucionit. Presidenti zgjidhet nga Kuvendi, por pas zgjedhjes nuk është përfaqësues i shumicës parlamentare që e ka votuar. Kushtetuta e vendos mbi këtë marrëdhënie politike: presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Pikërisht për këtë arsye ka rëndësi kush bëhet president.
Një president me përvojë politike, njohuri kushtetuese, autoritet publik dhe vullnet për t'i ushtruar plotësisht kompetencat e veta mund ta bëjë shumë të dukshme peshën e Presidencës. Një president që zgjedh vetëpërmbajtjen mund ta bëjë të njëjtin institucion të duket shumë më pak i fuqishëm. Por kjo nuk e ndryshon Kushtetutën. Dhe pikërisht këtu duhet kërkuar një pjesë e shpjegimit pse çështja e presidentit mund të shndërrohet në burim të një krize të re politike dhe institucionale. Jo sepse Kushtetuta nuk e ka përcaktuar pozitën e presidentit. As sepse bëhet fjalë për një funksion ceremonial. Përkundrazi, sepse partitë politike e dinë se presidenti ka kompetenca të rëndësishme kushtetuese dhe se mënyra se si ato do të ushtrohen varet shumë edhe nga personi që do ta mbajë këtë funksion. 

επίσης Γνώμη Διάταγμα για τη διάλυση της Βουλής

Në fund, nëse presidenti do të ishte menduar si figurë ceremoniale, Kushtetuta do t'i kishte dhënë funksione ceremoniale. Në vend të kësaj, e ka përcaktuar si kreun e shtetit, përfaqësues të unitetit të popullit, përfaqësues legjitim të Republikës brenda dhe jashtë, garantues të funksionimit kushtetues të institucioneve dhe i ka dhënë një varg kompetencash të drejtpërdrejta kushtetuese. Prandaj çështja nuk është nëse presidenti i Republikës së Kosovës është ceremonial. Nuk është. Çështja është se kush do të jetë president dhe si do t'i ushtrojë kompetencat që Kushtetuta ia ka dhënë.

(Ο συγγραφέας είναι καθηγητής της θεωρίας του κράτους και του δικαίου στη Νομική Σχολή του Πανεπιστημίου της Πρίστινα).