Plot 627 xhudistë do të paraqiten në Kampionatin Botëror që të dielën fillon në Baku të Azerbajxhanit. Do të jetë Botëror i veçantë edhe për Kosovën.
Do të kërkohet medalja e 11-të në ngjarjen globale të xhudos, ndërsa për herë të parë Kosovën e përfaqësojnë më shumë xhudistë se xhudiste.
Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka ka përzgjedhur për Botëror, Akil Gjakovën, Dardan Cenën, Shpati Zekajn dhe Laura Fazliun. Akili e Dardani garojnë në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa Shpati në kategorinë deri në 100 kilogramë. Laura kërkon medaljen e radhës në kategorinë deri në 63 kilogramë.
Gjakova e Cena garojnë të martën, Laura Fazliu të mërkurën, ndërsa Shpati Zekaj të premten e ardhshme.
Kosovës i mungon aduti kryesore, Distria Krasniqi. Ajo është e lënduar. Por shpresohet në sukses nga të tjerët, ndonëse aktualisht nuk janë lart në ranglistë botërore.
Si e 17-ta në ranglistën botërore, Laura nuk është bartëse në kategorinë deri në 63 kilogramë. Akili aktualisht është i 48-ti në ranglistë në 73 kilogramë, ndërsa Dardani i 72-ti. Zekaj është i 81-ti në ranglistën botërore në kategorinë deri 100 kilogramë.
Megjithatë ranglista nuk dëshmon nivelin e vërtetë të xhudistëve. Xhudistët kosovarë këtë vit nuk morën shumë pjesë në gara dhe rënia në ranglista ishte e natyrshme.
Në mungesë të Distria Krasniqit dhe gjatë procesit të ndërrimit të gjeneratës ky megjithatë është Botërori më sfidues i viteve të fundit.
“Është hera e parë që kemi më shumë xhudistë se xhudiste në Botëror. Shpresoj në paraqitje të mirë”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Në këtë fazë, Kuka e sheh të rëndësishme që xhudistët të bëjnë hapa tutje drejt normës olimpike, përkatësisht që të mbledhin pikë.
“Botërori është sfidues, por për mua është garë që e konsideroj të rëndësishme për pikë olimpike”, ka shtuar kryemjeshtri i xhudos.
Nxënësit e tij i kanë plot dhjetë medalje nga Kampionatet Botërore. Majlinda Kelmendi i ka dy të arta e një të bronztë. Distria Krasniqi ka një të argjendtë e dy të bronzta. Laura Fazliu i ka dy të bronzta, ndërsa Loriana Kuka e Nora Gjakova nga një të bronztë.
Majlinda, Nora e Loriana tashmë kanë përfunduar karrierën. Majlinda e Nora punojnë si trajnere. Rrjedhimisht suksesi tani pritet nga Laura, Akili, Dardani e Shpati.