Në sekondën e fundit të raundit të 12-të, Ermal Hadribeaj pësoi goditje të cilës nuk i rezistoi dot. Dhe kështu fitorja me nokaut i takoi Sebastian Fundoras së SHBA-së.
Meçi i zhvilluar në orët e para të së dielës në Las Vegas, ishte për titull të botës në boksin profesionist, përkatësisht për versionin WBC në kategorinë super uelter.
Fundora, që është shumë më i gjatë se boksieri shqiptar Hadribeaj, e mbajti titullin WBC. Amerikani ishte në epërsi edhe në pikë, por rriti ritmin në raundin e fundit, duke shfrytëzuar lodhjen e Hadribeajt.
“Më pëlqen fakti që e nokautova në sekondën e fundit. Ishte dramatike”, tha Fundora. “Kur e pashë se ai pothuajse u rrëzua pas një goditje me të majtën, i thash vetes që ta godas sërish”.
Hadribeaj ka kërkuar t’i afrohet sa më pranë shtatlartit Fundora gjatë meçit. Hadribeaj, 32-vjeçar, e pësoi humbjen e parë në karrierë. Ai ka 23 fitore, prej tyre tetë me ndërprerje. Është nga Tirana, ndërsa jeton në SHBA.
Fundora ka 25 fitore e një humbje. Ai ka dhënë goditje të shumta aperkat. Përfitoi nga rënia e energjisë te Hadrbeaj në raundet e mesme dhe i mbijetoi një reagim të boksierit shqiptar në raundin e nëntë. Hadribeajt iu reduktuan pikë në raundin e tretë dhe të 11-të për mbajtje të kundërshtarit.