KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Lifestyle

Μελέτη: Η αϋπνία αυξάνει τον κίνδυνο εγκεφαλικού επεισοδίου, άνοιας και κατάθλιψης

Αυπνία

Αυπνία

Pagjumësia mund të jetë e lidhur me një rrezik më të lartë për goditje në tru, demencë, depresion dhe probleme të tjera serioze shëndetësore, sipas një studimi të ri që ka analizuar rreth 20 studime të mëparshme, me miliona pjesëmarrës në vende të ndryshme të botës.

Hulumtues nga Austria, Gjermania, Italia dhe Zvicra kanë shqyrtuar një numër të madh studimesh për të vlerësuar ndikimin që pagjumësia mund të ketë në shëndetin fizik dhe mendor, raportoi "ABC News".

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Sleep Medicine Reviews”, ka zbuluar se personat që vuajnë nga pagjumësia kanë 26 për qind më shumë rrezik për goditje në tru krahasuar me personat që nuk raportojnë probleme të tilla me gjumin.

Analiza tregoi gjithashtu lidhje mes pagjumësisë dhe problemeve të shëndetit mendor. Personat me pagjumësi rezultuan më të prirur për të përjetuar depresion dhe për të tentuar vetëvrasjen.

Pagjumësia është çrregullimi më i zakonshëm i gjumit dhe karakterizohet nga vështirësia për të rënë në gjumë ose për të pasur gjumë cilësor.

Studiuesit gjetën gjithashtu një lidhje mes pagjumësisë dhe demencës, përfshirë sëmundjen e Alzheimerit.

Gjumi luan rol të rëndësishëm në proceset e trurit, përfshirë largimin e disa produkteve të mbetjeve që grumbullohen gjatë ditës dhe që janë lidhur me dëmtimin e funksioneve të trurit dhe sëmundjen e Alzheimerit.

Ekspertët shpjegojnë se mungesa e gjumit cilësor mund të ndikojë në këto procese.

“Kur fle, truri largon mbetjet”, shpjegon mjekja e specializuar në mjekësinë e gjumit, Thanuja Hamilton.

Sipas saj, mungesa e gjumit të mjaftueshëm ose cilësor mund të favorizojë grumbullimin e këtyre produkteve dhe, në perspektivë, të lidhet me rrezik më të madh për probleme të trurit.

Studimi raportoi gjithashtu se personat me pagjumësi kishin rreth 30 për qind më shumë gjasa për t’u shtruar në spital, për arsye të ndryshme shëndetësore.

Ekspertët theksojnë se marrëdhënia mes pagjumësisë, ankthit dhe depresionit mund të jetë komplekse.

Ankthi ose depresioni mund ta bëjnë më të vështirë rënien në gjumë. Në të njëjtën kohë, gjumi i dobët mund të rrisë ndjeshmërinë ndaj stresit, nervozizmin dhe simptomat e ankthit e depresionit.

“Kur nuk fle mirë, je më i irrituar, më i shqetësuar dhe më pak rezistent ndaj stresit”, tha Hamilton, duke shtuar se kjo mund ta bëjë një person më të cenueshëm ndaj ankthit dhe depresionit.

Studiuesit, megjithatë, paralajmërojnë se rezultatet nuk dëshmojnë se pagjumësia shkakton drejtpërdrejt goditje në tru, demencë, depresion apo probleme të tjera të analizuara.

“Rritja e rrezikut në nivelin e popullsisë nuk do të thotë se një individ me pagjumësi do të zhvillojë demencë, depresion ose do të pësojë goditje në tru”, tha Stefan Seidel, një nga autorët e studimit dhe profesor i neurologjisë në Universitetin Mjekësor të Vjenës.

Sipas tij, gjetjet janë një tjetër arsye për t’i marrë seriozisht problemet e vazhdueshme me gjumin, për të identifikuar shkaqet e mundshme dhe për të kërkuar trajtim të bazuar në prova shkencore kur është e nevojshme.

Çfarë mund të bëhet për të përmirësuar gjumin?

Ekspertët rekomandojnë disa zakone të thjeshta që mund të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së gjumit.

Një prej më të rëndësishmeve është mbajtja e një orari të rregullt të gjumit. Sipas specialistëve, ritmi cirkadian, ose “ora e brendshme” e trupit, funksionon më mirë kur orari i gjumit dhe zgjimit është i qëndrueshëm.

Po ashtu, këshillohet që televizori dhe telefoni të fiken rreth 30 deri në 60 minuta para gjumit.

Konsumimi i kafesë dhe alkoolit në orët e vona gjithashtu duhet shmangur.

Ekspertët theksojnë se problemet me gjumin nuk duhet të konsiderohen thjesht si një shqetësim i përkohshëm, veçanërisht kur ato vazhdojnë për një periudhë të gjatë.

“Gjumi duhet të jetë pjesë e bisedës me mjekun kur flasim për shëndetin, në çdo moshë”, tha Luca Vignatelli, autori kryesor i studimit dhe studiues i lartë në Institutin e Shkencave Neurologjike IRCCS në Bolonjë.

Sipas studiuesve, rritja e ndërgjegjësimit për pagjumësinë dhe trajtimin e saj mund të ndihmojë që problemet e gjumit të identifikohen dhe të trajtohen më herët.