Nuk ekziston një orë perfekte për të fjetur që vlen për të gjithë. Sipas ekspertëve të gjumit, më e rëndësishme se ora kur shkon në shtrat është që orari të përshtatet me ritmin natyror të trupit dhe të flesh mjaftueshëm çdo natë, ka shkruar Τρώγοντας καλά.
Për shumicën e të rriturve rekomandohen 7-9 orë gjumë në natë.
Ekspertët këshillojnë që të mendosh fillimisht për orën kur duhet të zgjohesh dhe më pas të përcaktosh orën e gjumit. Për shembull, nëse duhet të zgjohesh në orën 7:00, është e rëndësishme të shkosh në shtrat mjaftueshëm herët për të marrë të paktën 7-9 orë gjumë.
Gjumi i rregullt është shumë i rëndësishme
Trupi funksionon më mirë kur shkoni në shtrat dhe zgjoheni afërsisht në të njëjtën kohë çdo ditë.
“Në vend që të zgjedhësh një orar arbitrar për gjumin, është më mirë të gjesh një orar që përputhet me ritmin natyror të trupit dhe të lejon të flesh mjaftueshëm në mënyrë të vazhdueshme”, ka thënë doktori Eric Zhou.
Disa zgjohen herët, të tjerë rrinë natën vonë
Njerëzit nuk kanë të gjithë të njëjtin ritëm biologjik.
Disa ndihen më mirë kur flenë herët dhe zgjohen herët. Të tjerë natyrshëm preferojnë të flenë më vonë dhe të zgjohen më vonë.
Shumica e njerëzve ndodhen diku në mes.
Prandaj, nuk është e domosdoshme të flini në orën 22:00 vetëm sepse konsiderohet “e shëndetshme”, nëse ritmi juaj natyror është pak më ndryshe. Më e rëndësishmja është të keni një orar të qëndrueshëm dhe të bëni gjumin e nevojshëm.
Nuk mjafton vetëm numri i orëve
Edhe nëse fle 7-9 orë, mund të zgjohesh i lodhur nëse gjumi nuk është cilësor.
Zgjimet e shpeshta gjatë natës, vështirësia për të fjetur ose lodhja gjatë ditës mund të jenë shenja se gjumi nuk po të rikuperon siç duhet.
Zgjimi një ose dy herë gjatë natës, për shembull për të shkuar në tualet, mund të jetë normal nëse rikthehesh në gjumë brenda pak minutash. Por zgjimet e shpeshta ose qëndrimi zgjuar për periudha të gjata gjatë natës mund të ndikojnë në energjinë dhe përqendrimin gjatë ditës.
“Privimi nga gjumi grumbullohet me kalimin e kohës dhe përkeqëson vigjilencën, përqendrimin dhe kohën e reagimit”, ka theksuar doktoresha Nishi Bhopal.
Si të flesh më mirë?
Merr dritë natyrale në mëngjes
Dil jashtë sa më herët gjatë ditës. Edhe disa minuta në dritën e diellit mund të ndihmojnë në rregullimin e ritmit biologjik.
Bëhu fizikisht aktiv
Ushtrimet dhe aktiviteti gjatë ditës mund të përmirësojnë si energjinë, ashtu edhe cilësinë e gjumit.
Shmang kafenë vonë
Ekspertët sugjerojnë të shmangni kafeinën rreth 6-8 orë para gjumit.
Largohu nga telefoni para gjumit
Në vend të qëndrimit para ekranit, provo të lexosh, të dëgjosh muzikë, të bësh ushtrime për zgjatjen e muskujve, të bësh një dush ose të kalosh kohë me familjen.
Mos u fikso pas “gjumit perfekt”
Ankthi se nuk po fle mjaftueshëm mund ta bëjë edhe më të vështirë të flesh.
Mbaj një orar të rregullt
Përpiqu të flesh dhe të zgjohesh afërsisht në të njëjtën orë çdo ditë, edhe gjatë fundjavës.
Çka nëse fle mjaftueshëm, por përsëri je i lodhur?
Nëse fle rregullisht 7-9 orë, ke një orar të qëndrueshëm dhe kujdesesh për zakonet e gjumit, por çdo ditë zgjohesh i rraskapitur, mund të ketë një problem tjetër që po ndikon në cilësinë e gjumit.
Në këtë rast, ekspertët rekomandojnë të flasësh me një specialist të gjumit, sidomos nëse problemi vazhdon për disa muaj.
Nuk ka një orë apo kohë magjike për të fjetur. Për disa persona ora 22:00 mund të jetë ideale, ndërsa për të tjerë 23:00 ose më vonë.
Ajo që ka më shumë rëndësi është 7-9 orë gjumë, orar i rregullt, gjumë cilësor dhe një orar që përputhet me ritmin natyror të trupit.
Nëse zgjohesh çdo mëngjes i lodhur pavarësisht se ke fjetur mjaftueshëm, problemi mund të mos jetë kur fle, por sa mirë fle.