Xhelal Sveçla është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend më 21 mars 2018. Ai është shpallur fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa për masën e dënimit, gjykata do të vendosë në seancën e radhës më 8 shtator
Έγκζονα Μέμα
Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend më 21 mars 2018 i ka kushtuar me aktgjykim dënues ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të mërkurën fajtor Sveçlën për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Për veprën penale, për të cilën është shpallur fajtor ministri në detyrë, gjykata ende nuk e ka caktuar dënimin. Këtë do ta bëjë pas një jave.
“Sot gjykata e shpall vetëm aktgjykimin sa i përket të pandehurit, ndërsa për këtë vepër penale, vendimin në lidhje me dënimin e caktojmë më 08.09, ditë e martë, ora 9:00, ku pa paragjykim, prokurori dhe mbrojtësi i të pandehurit, kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë apo fakte në lidhje me rrethanat lehtësuese apo rënduese ndaj të pandehurit”, ka thënë gjyqtari Sabit Sadikaj.
Me këtë vendim nuk është pajtuar Laur Prenaj, avokati i Sveçlës. Ai e ka konsideruar të pazakontë shpalljen e fajësisë pa e shoqëruar me masë dënimi. Po ashtu ai ka bërë edhe një vërejtje tjetër.
“Ne kemi thënë edhe në shqyrtim fillestar edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor, që kjo aktakuzë ka pasur shumë probleme dhe do ta presim patjetër arsyetimin e gjykatës që të shohim se ku është bazuar dhe pastaj do të bëjmë komentet tona dhe patjetër që do të bëjmë ankesë”, ka thënë Prenaj.
Ndërkaq për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, lëndë e cila është parashkruar, Gjykata ka marrë aktgjykim refuzues.
Në seancën e 28 gushtit 2026, prokurori Avni Namani ka njoftuar se Prokuroria e ka ndryshuar diapozitivin e aktakuzës ndaj Sveçlës.
Sipas aktakuzës së ndryshuar, Sveçla më 21 mars 2018, nga ora 12:10 deri në orën 15:40, në sallën e Kuvendit gjatë mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme ka përdorur bombola të gazit lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS. Sipas organit të akuzës, Sveçla në disa raste ka aktivizuar bombola dhe i ka hedhur brenda sallës, pa paralajmërim paraprak dhe pa u dhënë personave të pranishëm mundësinë e largimit.
Më herët, Sveçla ishte deklaruar i pafajshëm dhe hedhjen e gazit e pati quajtur aktivitet politik, përmes të cilit si deputet opozitar në atë kohë, e kundërshtonte ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Bashkë me Sveçlën të akuzuar janë edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Drita Millaku.