Problemet e vazhdueshme me grumbullimin e mbeturinave kanë kthyer në diskutim mënyrën e menaxhimit të këtij shërbimi në regjionin e Prishtinës. Kryetarët e Prishtinës, Lipjanit dhe Drenasit u pajtuan që përgjegjësia për pastrimin t’u rikthehet komunave. Në takimin e thirrur nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, nuk morën pjesë kryetarët e Podujevës, Obiliqit dhe Fushë-Kosovës. Kryetari i Obiliqit, Halil Thaqi, tha se nuk mori pjesë pasi e vlerësoi si të parëndësishëm
Kriza me menaxhimin e mbeturinave i bëri bashkë kryetarin e Prishtinës, atë të Lipjanit dhe të Drenasit.
Për të diskutuar për situatën aktuale lidhur me pastrimin dhe menaxhimin e mbeturinave, kryetari Përparim Rama kishte ftuar në takim edhe kryetarin e Podujevës, Fushë-Kosovës dhe Obiliqit të drejtuara nga Lëvizja Vetëvendosje, por ata e refuzuan ftesën.
E gjatë takimit është thënë se u pajtuan që përgjegjësia për pastrimin të rikthehet te komunat, ndërsa ndarja e aseteve, punëtorëve dhe obligimeve të Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi” të bëhet në mënyrë proporcionale.
Kryetarët kërkuan gjithashtu bashkëpunim me komunat e tjera të rajonit, me qëllim që procesi i ndarjes dhe organizimit të shërbimeve të funksionojë në mënyrë sa më efikase.
“Diskutimet tona na sollën deri në pikën ku me marrë përgjegjësi secila komunë për vete. Pra, kjo duket që do të jetë mënyra më e mirë që ta fusim në menaxhim çështjen e pastrimit, sepse për momentin e dimë që ‘Pastrimi’ është kompani regjionale. Prishtina, përkundër faktit që i ka 77.6% të aksioneve, ka vetëm një anëtar, një anëtar të bordit. Pra, nuk mundet me e menaxhu procesin”, ka deklaruar Rama.
Ai tha se nuk mund t’i detyrojë me zor të marrin pjesë në takim tre kryetarët e komunave të fituara nga VV-ja, duke shtuar se ai takimi kishte për qëllim ndarjen proporcionale të të gjitha aseteve të kompanisë “Pastrimi”.
E kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, u shpreh se kryetarët e komunës së Obiliqit dhe Fushë-Kosovës, e Podujevës me ose pa qejf duhet të bashkëpunojnë dhe të arrijnë në një marrëveshje për kompaninë.
“Ne e kemi themeluar ndërmarrjen, sigurisht që do të na marrë kohë, sepse një ndërmarrje e re i do edhe proceset e procedurat e veta. E tha edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, se ne jemi dakord 100% çka kemi biseduar sot. Edhe përkundër kësaj që e kanë deklaruar kryetari i Obiliqit, kryetari i Fushë Kosovës, ne nuk i komentojmë deklaratat e tyre, por ata me qejf ose pa qejf kanë me u ul me neve, sepse na duhet të merremi vesh për kompaninë”, është shprehur Lladrovci.
Edhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se ndërmarrja duhet të rikthehet në menaxhim të komunave, në mënyrë që përgjegjësia për pastrimin të jetë e qartë.
Por takimin e thirrur nga Rama, kryetari i Obiliqit, Halil Thaqi, e ka cilësuar si të parëndësishëm.
”Që nga 1 qershori i këtij viti, ne tashmë jemi të ndarë nga KRM Pastrimi, funksionojmë vetëm dhe gjendja me mbeturina në komunat e regjionit, në Obiliq, është më e mirë. Në fakt, gjendja është e rregullt, nuk ka asnjë vonesë për mbledhjen e mbeturinave. Kështu që, për mua, ka qenë i parëndësishëm ky takim”, ka theksuar Thaqi.
Koha ka kontaktuar edhe me dy kryetarët e tjerë që nuk ishin prezentë në takim, por nuk ka marrë përgjigje.
Për shkak të mosgrumbullimit të mbeturinave, Fushë-Kosova e shpalli gjendjen emergjente në qershor, ndërsa Podujeva në gusht.
Ndërkohë, edhe në Prishtinë janë raportuar vazhdimisht probleme lidhur me mosmbledhjen e mbeturinave.
Ιλιριάνα Θάκι