Për të tretën ditë rresht, mijëra qytetarë kanë protestuar në sheshet e Prishtinës, kundër vendimit të Gjykatës Speciale, me të cilin janë dënuar katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi. Djali i Krasniqit e edhe ai i Veselit bënë thirrje për unitet, e organizatorë të protestës hodhën akuza ndaj përfaqësuesve të Qeverisë.
Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës, për të kundërshtuar verdiktin e Gjykatës Speciale, me të cilin u dënuan katër ish-përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Në sheshin “Skënderbeu”, ku ajo u organizua, mesazhe unifikimi dha deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, i cili është djalë i Jakup Krasniqit që u dënua me 25 vjet burgim.
“Nëse dorëzohemi sot, do të na gjykojë edhe e ardhmja. Do të na pyesin fëmijët tanë se çfarë bëtë kur historia iu vuri në bankën e të akuzuarve, çfarë bëtë kur çlirimtarët u vunë në pikëpyetje. Përgjigjja jonë do të jetë e qartë: nuk u dorëzuam. Do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi! Prandaj sot i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve dhe të gjitha partive politike, t’i lëmë anash dallimet politike, të bashkohemi”, ka thënë Altin Krasniqi.
E besim e optimizëm në drejtësi shfaqi Klestor Veseli, djali i Kadri Veselit që Specialja ia shqiptoi 18 vjet burgim.
“Nuk e kemi humbur besimin te bota perëndimore, tek drejtësia e tyre. Ne vetëm po kërkojmë korrigjim të një gabimi që ka qenë i zhytur në politikë. Faleminderit edhe juve që po i kushtoni vëmendje kësaj pune”, u shpreh ai.
Ndryshe nga ta, kryetari i organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, drejtoi akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
“Ne e dimë që Donika Gërvalla ka dorëzuar dokumente në Hagë, ne e dimë që Liburn Aliu ka folur në parlament. I themi Albin Kurtit që këta njerëz t’i përjashtojë nga Qeveria. Njerëz që bashkëpunojnë me armikun janë armiq të vendit dhe kombit dhe ne nuk i duam në mesin tonë... Më befason Kurti si e mban ende në zyrë një njeri që nuk e thotë asnjë fjalë”, ka thënë Gucati.
Në protestë u paraqitën edhe katër kërkesa. Mes tyre edhe shkarkimi i ministres Gërvalla, shfuqizimi ose ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara, mbështetja e pakufizuar dhe sigurimi i fondeve të mjaftueshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, si dhe angazhimi i ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë për ta apeluar verdiktin.
E, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila mori pjesë në protestë, tha se listës së kërkesave duhet shtuar edhe një.
“Përveç Donika Gërvallës, duhet të japë dorëheqje edhe Dimal Basha. Sepse punimet shkencore të Dimal Bashës janë të dëmshme, po aq sa janë të dëmshme edhe mbledhja e dosjeve nga Donika Gërvalla”, ka thënë Musliu.
Por, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se protesta nuk është e drejtuar ndaj askujt tjetër, por me të duhet mbështetur të katër ish-përfaqësuesit e UÇK-së, që të mërkurën u dënuan në shkallë të parë nga Specialja.
“Kjo protestë është në përkrahje të liderëve tanë, të udhëheqësve të UÇK-së, solidarizim dhe përkrahje e pakufishme për ta. Nuk është e drejtuar ndaj askujt, por në përkrahje të plotë. Do t’i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme, demokratike, edhe protesta, por edhe veprime ligjore”, ka thënë Hamza.
Hamza është takuar një ditë më parë me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin ka diskutuar për rrugët dhe mënyrat që duhet ndjekur për ta korrigjuar vendimin e së mërkurës, me të cilin Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet burgim, kurse Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Ai ka takuar edhe kryetarin e LDK-së dhe atë të Aleancës.
Pavarësisht veprimeve institucionale, është theksuar se protestat nuk do të ndalen. Një e tillë është paralajmëruar edhe për në mbrëmje.
Έγκζονα Μέμα