KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
ΒΡΑΔΙΝΕΣ ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Το PDK προειδοποιεί για αλλαγή στην προσέγγιση της πολιτικής κατάστασης

Το PDK προειδοποιεί για αλλαγή στην προσέγγιση της πολιτικής κατάστασης

Partia më e madhe opozitare ka paralajmëruar se më nuk do të mjaftohet me kërkesa për respektimin e ligjshmërisë, por se do të veprojë për rikthimin e saj. Udhëheqës të Partisë Demokratike dhe të Aleancës kanë kritikuar caktimin e vazhdimit të seancës konstituive për 9 shtator, duke e cilësuar përtej çdo afati kushtetues

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar ndryshim të qasjes politike ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës. Kryetari i këtij subjekti politik opozitar, Bedri Hamza, ka thënë se PDK-ja s’do të mjaftohet më vetëm me thirrjet që të respektohet ligjshmëria, por se do të veprojë që ajo të rikthehet.

Nga foltorja e Kuvendit të shtunën, Hamza ka thënë se partia që ai e udhëheq nuk do të pranojë vazhdimin e, siç i ka quajtur ai, shkeljeve kushtetuese. Hamza ka thënë se partia e tij do të hyjë në një fazë të re të veprimit politik, institucional dhe juridik, me synim siç ka deklaruar, rikthimin e ligjshmërisë dhe rendit kushtetues në vend.

“Nga sot fillon një fazë tjetër. Një fazë në të cilën Partia Demokratike e Kosovës nuk do të mjaftohet vetëm duke kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Do të veprojmë. Me përgjegjësi. Me vendosmëri. Me të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale që na i jep rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Ne kemi kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Nga sot, do të veprojmë që ligjshmëria të rikthehet”, ka thënë Hamza.

Kreu i PDK-së e ka kritikuar edhe thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive për 9 shtator, duke akuzuar partinë fituese të zgjedhjeve për kalkulime.

“Tash, vazhdimi i seancës konstituive është thirrur për 9 shtator, pas afatit prej 30 ditëve që e ka përcaktuar vetë Vetëvendosje. Por Kuvendi i Kosovës nuk mund të presë derisa një parti t’i përfundojë kalkulimet e veta. Kuvendi është institucion i Republikës së Kosovës”, ka thënë Hamza.

Hamza nuk ka treguar preras se çka ka nënkuptuar me qasjen e re, por nga kjo parti kanë paralajmëruar në vazhdimësi se mund të dërgojnë çështje në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërsa, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, që sipas tij, po krijon kaos institucional me synim që vendi të shkojë sërish në zgjedhje. Sipas Ramadanit, janë tri dimensione të shkeljeve që tani po ndodhin, duke shtuar se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka vepruar si vegël e Albin Kurtit.

“Afatet kushtetuese janë shkelur në mënyrë të vrazhdë. Interpretimet e LVV-së lidhur me afatet kohore janë shkelur dhe ka shkelje të rëndë të obligimit kombëtar, moral e qytetarë për t’i dhënë shtetit institucione. Ne e kemi të qartë se Dehari si kryesues gjatë kësaj kohe ka vepruar si vegël e drejtpërdrejtë e Albin Kurtit”, ka thënë Ramadani.

Të premten, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka njoftuar se e ka thirrur vazhdimin e seancës për 9 shtator në orën 11:00, duke thënë se këtë po e bën pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidentin.

Edhe figura të tjera të Vetëvendosjes kanë mbrojtur vendimin e Deharit. Kryetarja e Alternativës dhe deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se vonesa e konstituimit të Kuvendit ka ndodhur për shkak se është dashur kohë e nevojshme për arritjen e një vendimmarrjeje që do t’i mundësonte vendit krijimin e institucioneve. Ajo ka thënë se synimi i tyre është shmangia e zgjedhjeve të reja dhe formimi i institucioneve të plota.

“Strategjia jonë ka qenë që të japim vendit institucione fuqiplota, përfshirë dhe president të vendit. Domethënë, në asnjë rrethanë nuk ka qenë strategjia jonë, të planifikojmë zgjedhje të tjera”, ka thënë Kusari në një intervistë për “KosovaPress”.

Ditë më parë, Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike zyrtarizuan marrëveshjen për emrin e Bekim Sejdiut si kandidat të përbashkët për president. Por gjashtë deputetë të LDK-së e kundërshtuan dhe numrat tani janë në rrezik. Kusari-Lila ka thënë se kundërshtimi i 6 deputetëve të LDK-së nuk lidhet me emrin e kandidatit për president, por me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

“Kushdo që do të ishte kandidat tjetër, në vend të zotit Bekim Sejdiu, ata qasjen e njëjtë e kanë, pasi nuk po deklarohen se problemin e kanë me kandidatin, por problemin po e tregojnë që e kanë me kryeministrin Kurti. E kryeministri Kurti nuk është rastësisht në pozitën ku është. Nuk është një vendim i gjashtë deputetëve ose sado që mund të jenë të tjerë që e rrëzon kryeministrin Kurti. Ata po e shohin me vetëdije që zgjedhje pas zgjedhje, kryeministri Kurti, Lëvizja Vetëvendosje me partnerë po i fiton zgjedhjet”, ka thënë Kusari-Lila.

E pyetur nëse do të zbatohen kushtet e Aleancës në këmbim të votave për presidentin, ajo ka thënë se nuk është e arsyeshme që një subjekt me shtatë deputetë të kërkojë nga partia e parë zbatimin e projekteve të mëdha kapitale.

Ndërsa analisti politik, Basri Muja, ka vlerësuar se pavarësisht mungesës së 6 votave për presidentin edhe pas konstituimit të Kuvendit duhet vazhduar angazhimi për një zgjidhje tjetër, e jo të çohet sërish vendi në zgjedhje.

“Pasiguria kryesore lidhet me sigurimin e votave për presidentin. Nëse ato mungojnë, kjo nuk do të duhej të nënkuptonte automatikisht dështimin e procesit, por vazhdimin e negociatave për një zgjidhje tjetër. Zgjedhjet e reja, sipas tij, duhet të jenë skenari i fundit, vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje”, ka deklaruar Muja.

Lëvizja Vetëvendosje së bashku më partneret e saj nga komunitete joshumicë kanë   vota që u mjafton ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë, ndërsa me 12 votat e LDK-së nga 18 gjithsej sa i ka ky subjekt, bëhen 74 vota që janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja në proces e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende.

E nëse deputetët nuk e zgjedhin presidentin e ri 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit, atëherë Kosova do të mbante zgjedhjet e katërta në më pak se dy vjet dhe të dytat për shkak të moskonsensusit për çështjen e kreut të shtetit.

Kuvendi është mbledhur dy herë pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Në rastin e parë deputetët janë betuar e pas kësaj në dy raste, në foltore Kurti ka kërkuar shtyrje për të negociuar për çështjen e presidentit. Sipas tij, po qe se konstituohej Kuvendi dhe formohej Qeveria pa marrëveshje për presidentin, zgjedhjet nuk do të shmangeshin.

Έγκζονα Μέμα