Partia Demokratike ka dorëzuar të enjten kallëzim penal ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Avni Dehari, njëherësh kryesues i seancës konstituive, me arsyetimin se ai nuk e ka thirrur vazhdimin e seancës çdo 48 orë, siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit
Mosthirrja e vazhdimit të seancës konstituive, sipas deputetit të Partisë Demokratike, Përparim Gruda, përbën vepër penale nga kryesuesi i saj, Avni Dehari.
Pikërisht roli i tij si udhëheqës i seancës themeluese të legjislaturës është bërë shkak që deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, t’i drejtohet Prokurorisë Speciale me kërkesë për hetimin e Deharit.
“Nuk mund të ketë asnjëherë një situatë kur një person publik ka autorizime zyrtare të cilat nuk i përdor, ose i përdor në mënyrë kundërligjore, dhe të mos ketë pasoja. Ne jemi shoqëri e organizuar në shtet, nuk jemi shoqëri e organizuar në fis. Prandaj zoti Dehari duhet ta dijë që nuk është i pari i fisit, por është i pari ose kryesues i një organi të shtetit dhe kërkohet që të veprojë. Mendojmë që me këtë, zoti Dehari ka konsumuar pra veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, sepse nuk mund të mbajë të bllokuar Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Gruda.
Neni 12 i Rregullores së Kuvendit përcakton se “seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, ndërsa ndërprerjet gjatë kësaj seance nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.
Megjithatë, pas ndërprerjes së 8 gushtit, vazhdimi i seancës nuk është thirrur më.
Sipas Grudës, Dehari, si deputeti më i vjetër, ka vetëm rol ceremonial në drejtimin e seancës konstituive.
“Zoti Dehari nuk është kryesues i seancës konstituive për asnjë cilësi tjetër, përveç një cilësie: moshës së tij, vetëm sepse është deputeti më i vjetër. Prandaj e ka rolin tërësisht ceremonial. Ai nuk mundet të thirret në marrëveshje politike, në mungesën e marrëveshjes politike, e të mos e thirr seancën. Marrëveshja politike ose mungesa e saj nuk mund të jenë kurrë arsye për të shkelur Kushtetutën dhe për të shkelur Rregulloren e Punës së Kuvendit”, ka theksuar ai.
Seanca konstituive nisi më 6 gusht. Albin Kurti, si kryetar i subjektit fitues - Vetëvendosjes, kërkoi kohë shtesë për të dhënë propozimin për kryekuvendar.
Një ditë më vonë skadoi afati kushtetues për përmbylljen e seancës. Vazhdimi i saj u thirr më 8 gusht, ku Kurti sërish kërkoi kohë shtesë. Pas fjalimit të tij, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë ndaj Kurtit dhe punimet u ndërprenë.
E në një postim në Facebook, Dehari shkroi se vazhdimi i seancës pa marrëveshje politike e tensionon situatën dhe rrit rrezikun e përplasjeve fizike.
Hedhja e vezëve në Kuvend nuk është rasti i parë. Në shtator të vitit 2015, deputetë të Vetëvendosjes kishin hedhur vezë në drejtim të kryeministrit të atëhershëm, Isa Mustafa.