KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
ΒΡΑΔΙΝΕΣ ΕΙΔΗΣΕΙΣ

9 άτομα συνελήφθησαν στο Ζούμπιν Ποτόκ ως ύποπτα για εγκλήματα πολέμου

Λειτουργία

Nëntë persona janë arrestuar në Zubin-Potok, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile. Operacioni i Policisë së Kosovës, i koduar “Dosja 23”, është zhvilluar në orët e hershme të së dielës, me urdhër të Prokurorisë Speciale. Hetimet lidhen me rastin e “Grupit të Intelektualëve” të Mitrovicës, ndërsa gjatë bastisjeve në disa lokacione janë sekuestruar armë, municion, telefona, dokumente dhe rreth 23 mijë euro para të gatshme

Gjatë një operacioni të zhvilluar në Zubin Potok, nëntë persona janë arrestuar nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile.

Operacioni i zhvilluar në orët e hershme të së dielës ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

“Në kuadër të veprimeve hetimore lidhur me rastin e krimeve të luftës, Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, e mbështetur edhe nga njësitet e tjera të specializuara policore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot, në orët e hershme të mëngjesit, në komunën e Zubin-Potokut ka zhvilluar operacionin e koduar si ‘Dosja 23’. Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar nëntë persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në njoftimin e përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale.

Sipas njoftimit, për nëntë të arrestuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Këto institucione po ashtu kanë njoftuar se ka zhvilluar kontrolle në 
disa lokacione në komunën e Zubin-Potokut, ku janë sekuestruar armë, fishekë, një shumë e konsiderueshme parash dhe asete të tjera personale.

“Gjatë realizimit të bastisjeve, janë sekuestruar këto prova materiale:
nëntë telefona mobilë, dy  libreza ushtarake, një armë e gjatë dhe një pushkë gjuetie, fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe fishekë të pushkës së gjuetisë, katër predha, para të gatshme në shumën rreth 23,000 euro, para të gatshme në shumën rreth 60,000 dinarë serbë”, thuhet në njoftim.

Mbetjet mortore të 23 personave, të cilat dyshohet se i përkasin “Grupit të Intelektualëve”, janë gjetur gjatë gërmimeve në fshatrat e Zubin-Potokut Kalludër dhe Jabukë. Gërmimet janë kryer në periudhën 27 korrik - 21 gusht të këtij viti.

Mostrat e mbetjeve të mortore janë dërguar në Holandë për identifikim përmes ADN-së.

23 intelektualë nga Mitrovica llogariten të zhdukur që nga prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre ka mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të fushave të tjera.

Paraprakisht për këtë rast janë arrestuar katër persona, të identifikuar me inicialet J.R., M.J., R.K dhe M.B.

E me 9 të ndaluarit të dielën, numri i është rritur në 13.

Njëri nga të arrestuarit, sipas autoriteteve, dyshohet se në kohën e luftës ka qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.

Gjatë luftës së viteve 1998-1999 forcat serbe kanë vrarë rreth 13,000 persona, shumica civilë shqiptarë, ndërsa mbi 1,500 vazhdojnë të jenë të zhdukur.