Dështimi i së mërkurës për ta konstituuar Kuvendin, sipas udhëheqësve të Aleancës, po bëhet me qëllimin nga Lëvizja Vetëvendosje në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme më 27 dhjetor. Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ftuar partitë e opozitës që të mos marrin pjesë në vazhdimin e seancës
Ρεζάνα Μποζλάνι
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka quajtur maskaradë dështimin e së mërkurës për ta konsistuar Kuvendin, pavarësisht se deputetët e partisë që ai drejton kanë bojkotuar seancën.
Gjini ka vlerësuar se procesi i zvarritjes së konstituimit të legjislativit, është synim i Vetëvendosjes për të mbajtur zgjedhje të reja më 27 dhjetor.
“A ju kemi thënë që nuk kanë me konstitu Kuvendin sot. Kush e din për të sa here, me koordinim apo pa koordinim, Lista Serbe i ndihmon që Albin Kurti me zhvillu agjendën e vet ashtu qysh i konvenon. Kjo çka ka ndodhë është një maskaradë për me shty kohë apo me ble kohë. Është qëllimi i pastër për me ble kohë, për me zvarrit krijimin e institucioneve të Kosovës”, ka thënë ai.
Gjini ka ftuar partitë opozitare që të refuzojnë pjesëmarrjen në vazhdimin e seancës konstituive të thirrur për të premten.
“Siç i kam ftuar më herët, i ftoj edhe tash partitë e ish-opozitës me refuzu me u bë pjesë e kësaj maskarade”, është shprehur ai.
Gjini ka njoftuar se Grupi Parlamentar i Aleancës nuk do të marrë pjesë as në vazhdimin e seancës të premten, pasi ka vlerësuar se është e jashtëligjshme, jashtëkushtetuese dhe farsë.
Ai ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për moskonstituimin e Kuvendit brenda afateve kushtetuese.
“Nuk kemi rrugë tjetër përveç me iu referu Gjykatës Kushtetuese. Do të synojmë koordinim me dy partitë të tjera dhe po absolutisht duhet referuar Kushtetutës. Të përgatitet lënda sa më mirë dhe të gjendet momenti kur të dërgohet kjo lëndë në Kushtetuese”, ka thënë Gjini.
Në konferencën për media, Gjini ka akuzuar Qeverinë në detyrë Kurti për dështime në shëndetësi e arsim e po ashtu ka thënë se nga mospuna e pushtetit, jeta e qytetarëve, sipas tij, është rënduar.