KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
ΒΡΑΔΙΝΕΣ ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Η Γκιάκοβα ζητά αποζημίωση για ζημίες που προκλήθηκαν από τη Συλλογική Σύμβαση

Gjakova - Gjylkata Komerciale

Gjykatën Komerciale është mbajtur seanca përgatitore, në të cilën Komuna e Gjakovës, përmes padisë, po kërkon miliona euro nga Ministria e Arsimit si kompensim për kontratat kolektive. Sipas Komunës, demi është edhe më i madh, andaj u kërkua ekspertizë financiare. Por, gjyqtari i rastit tha se do të vlerësohet edhe kompetenca e Gjykatës për ta gjykuar këtë çështje.

Komuna e Gjakovës përmes padisë po kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që t’ia kompensojë miliona euro për dëmet që pretendon se i janë shkaktuar nga kontratat kolektive.

Kompensimi i kërkuar nga padia burimore ishte mbi 2 milionë euro, por në seancën përgatitore të mbajtur të martën në Gjykatën Komerciale në Prishtinë, përfaqësuesja e Komunës kërkoi ekspertizë financiare me pretendimin se dëmi është rritur në mbi 14 milionë. 

Ajo ka thënë se do të bëjnë precizim të padisë pas vlerësimeve financiare.

“Kësaj gjykate i propozojmë që të nxirret një ekspertizë financiare, e cila konkretisht të vërtetojë veç e veç secilin shpenzim të kryer në dëm të komunës, të cilat kanë rrjedhur nga kontratat kolektive… po qe se Gjykata e aprovon propozimin për nxjerrjen e një ekspertize, e rezervojmë të drejtën që vlerës fillestare t’i shtohen edhe vlera të tjera deri në kohën e ekspertizës derisa komuna e Gjakovës do të bëjë precizimin e padisë”, ka thënë Vjollca Shyti, përfaqësuese e Komunës së Gjakovës.

Por në seancë janë shfaqur dilema se çfarë natyre është çështja në fjalë. 

Lidhur me këtë, gjyqtari Durim Osmani ka thënë se para se të vendoset për ekspertizën, duhet të vlerësohen edhe njëherë kompetencat e Komerciales për ta gjykuar këtë çështje.

“Aktvendim” lidhur me propozimin për ekspertizë financiare, Gjykata do të vendosë jashtë seancës. Por, para kësaj do të vlerësojë edhe njëherë kompetencën e kësaj gjykatë për të gjykuar këtë çështje”, ka thënë gjyqtari Osmani.

Pas seancës, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, është shprehur se beson që vendimi i Gjykatës do të jetë në favorin e palës paditëse. 

E, palën e paditur e ka quajtur joserioze për shkak të mospjesëmarrjes në seancë.

“Niveli qendror nuk është duke e marrë këtë çështje seriozisht. Demi po iu shkaktohet komunave kurse niveli qendror është shumë komod në këtë relacion. I ka marrë komunave me qindra miliona euro dhe efekti është te qytetari i Republikës së Kosovës dhe po vlerësojmë që niveli qendror edhe në këtë rast nuk u tregua serioz ndaj komunave me mospjesëmarrjen në seancë”, ka thënë ai.

Komuna e Gjakovës pretendon se kontratat kolektive në sektorin e arsimit kanë krijuar shpenzime shtesë për komunën, pa u siguruar financimi i nevojshëm nga niveli qendror. 

Nga viti 2014 janë nënshkruar tri kontrata kolektive ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Arsimit, por ato nuk janë zbatuar kurrë plotësisht.

Në vitin 2022, Qeveria mori vendim për shkëputjen e kësaj marrëveshjeje. 

Nga atëherë, mësimdhënësit përmes padive i kanë fituar rastet në gjykata e barra financiare u ka rënë komunave përkatëse.  

Komunat në vazhdimësi kanë kërkuar nga niveli që të ndajë buxhet të veçantë për këtë, por kërkesat e tyre nuk janë përfillur deri më tash.