KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

«Το σώμα ως αρχείο...» με απελευθερωμένη τέχνη που δημιουργεί ταυτότητα

“Trupi si arkiv: Praktikat artistike p

“Trupi si arkiv: Praktikat artistike performuese në Kosovën e pasluftës”, i përuruar të premten në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ndjek mënyrat se si artistët kanë përdorur performancën për të artikuluar përvoja dhe qëndrime që lidhen me pushtetin, kujtesën, identitetin dhe rezistencën

Një hipotezë se artistët – në synimin për ta shprehur idenë e tyre –  mund të mos kenë pasur mjete të tjera pos trupit të tyre, ka qenë një lloj pikënisjeje për një hulumtim më të gjerë të kësaj “rryme”. Dyshja Anyla Kabashi dhe Renea Begolli i janë rrekur kësaj teme duke analizuar disa prej veprave prej vitit 2000 deri më 2008 dhe analiza e tyre është “trupëzuar” në botimin  “Trupi si arkiv: Praktikat artistike performuese në Kosovën e pasluftës”. Ishte koha e çlirimit të vendit, por edhe e një lloj çlirimi prej kornizave të të bërit art

Trupi si hapësirë e kujtesës, rezistencës dhe artikulimit të përvojave politike e kulturore në Kosovën e pasluftës është në qendër të librit “Trupi si arkiv: Praktikat artistike performuese në Kosovën e pasluftës” nga Anyla Kabashi dhe Renea Begolli. Botimi ka trajtuar praktikat artistike performuese të periudhës 2000 deri 2008, duke i vendosur ato në kontekstin e pasluftës, të tranzicionit shoqëror dhe të zhvillimeve politike që kanë kulmuar me pavarësi. 

Libri është promovuar të premten në Galerinë Kombëtare të Kosovës si pjesë e programit edukues të këtij institucioni. Në diskutimin e moderuar nga Vlora Hajdini-Hajrullahu, koordinatore e programit edukues të GKK-së, autoret dhe redaktorja e librit, Vjollca Krasniqi, kanë folur për procesin e hulumtimit, mungesën e dokumentimit të mjaftueshëm të artit të kësaj periudhe dhe rëndësinë e rishikimit të veprave nga perspektiva feministe.

Duke e trajtuar trupin si arkiv të gjallë, hulumtimi ka ndjekur mënyrat se si artistët kanë përdorur performancën për të artikuluar përvoja dhe qëndrime që lidhen me pushtetin, kujtesën, identitetin dhe rezistencën. Në këtë kontekst, qasja feministe ka zënë vend të rëndësishëm në leximin e praktikave artistike dhe të mënyrave se si trupi është shndërruar në mjet shprehjeje në shoqërinë që po kalonte nëpër ndryshime të thella.

Libri është ndarë në tri pjesë: “Trupi në kontekst kulturor dhe politik: Kosova në gjeografinë e Ballkanit”, “Veprat dhe ngjarjet alternative” dhe “Ndërmjet trupit dhe kujtesës”. 

Krahas analizës së praktikave performuese, botimi është ilustruar me vepra të artistëve të trajtuar në hulumtim. Ndër artistët dhe grupet artistike të përfshira në libër janë Rudina Xhaferi, Blerta Syla-Surroi, Fitore Isufi-Shukriu, Sokol Beqiri, grupi “Charlie’s Angels” Jakup Ferri e të tjerë. 

Bashkautorja Renea Begolli ka thënë se hulumtimi ka qenë rezultat i një procesi të gjatë kërkimor. 

“Ka qenë proces i gjatë i punës, gjetjes dhe mbledhjes së materialeve. Hulumtimin e kemi bërë gjatë vitit 2024, kur ka qenë pjesa më intensive e kërkimit. Për dy vjet me radhë kemi qenë duke iu kthyer materialeve dhe duke bashkëpunuar midis vete, por edhe me Vjollcën, e cila ka qenë kontribuuese dhe ndihmë e madhe përgjatë hulumtimit, Vlorën dhe gjithë ekipin e Galerisë”, ka thënë Begolli.

Ajo ka treguar se një prej sfidave kryesore ka qenë mungesa e dokumentimit të praktikave artistike të zhvilluara në Kosovë. 

“Edhe pse jemi artiste në praktikat tona, tërë kohën kemi qenë duke diskutuar për art, mirëpo prapë ka pasur mungesa në raport me atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Edhe kur kemi qenë duke hulumtuar nëpër tekste të ndryshme, nuk ka pasur dokumentime të mjaftueshme të artit që ka ndodhur tek ne”, ka thënë ajo.

Begolli ka shpjeguar se botimi nuk synon të paraqitet si hulumtim përfundimtar, por si pikënisje për qasje dhe interpretime të tjera. Ajo ka theksuar se hulumtimi është përqendruar kryesisht tek artistët që kanë punuar dhe ekspozuar në Prishtinë, duke lënë hapësirë për plotësime dhe këndvështrime të ndryshme.

“Ne nuk pretendojmë se hulumtimi ynë është i plotë, pasi është bazuar kryesisht në artistët që kanë punuar dhe ekspozuar brenda Prishtinës. Ka hapësirë për gabime e interpretime të ndryshme”, ka thënë Begolli.

Sipas saj, puna me materialet arkivore dhe rikthimi te veprat e periudhës së pasluftës kanë krijuar mundësi që edhe vetë autoret të mësojnë më shumë për praktikat që kanë shënuar zhvillimin e artit në Kosovë. Ajo ka shprehur shpresën se libri do t’u shërbejë hulumtuesve të tjerë si pikënisje për studime të reja dhe për lexime të ndryshme të veprave të trajtuara.

E Anyla Kabashi ka treguar se pikënisja e hulumtimit ka qenë arkivi i Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe punëtoria “Udhëtime në kujtesë”, e artistes Lala Meredith-Vula, e organizuar më 2000.

Kabashi ka shpjeguar se gjatë punëtorisë Meredith-Vula i ka inkurajuar studentët të krijonin vepra duke përdorur trupin e tyre.

“Ka qenë kursi i Lala Meredith-Vulës, ku ajo ka inkurajuar shumë studentë të krijojnë vepra arti duke përdorur trupin e tyre. Pasi ka qenë viti 2000, ajo na ka treguar se mbase shumë artistë nuk kanë pasur mjete të tjera për të pasur mundësi ta shprehin veten nëpërmjet mënyrave të tjera”, ka thënë Kabashi.

Ka theksuar se hulumtimi ka përfshirë edhe dallimet mes mënyrës se si autoret i kanë interpretuar veprat dhe mënyrës se si vetë artistët e kanë kuptuar punën e tyre. 

“Disa artistë e shohin punën e tyre ndryshe nga kornizat që kemi vendosur ne. Ky mospajtim është pjesë e hulumtimit. Jo gjithçka duhet të jetë e zgjidhur”, ka thënë Kabashi.

Redaktorja e librit, sociologia Vjollca Krasniqi, ka vlerësuar se botimi ka hapur hapësirë për trajtimin e një teme që, sipas saj, nuk ka marrë vëmendjen e duhur në diskutimet mbi artin dhe historinë moderne të tij në Kosovën e pasluftës.

“Për mua ka qenë kënaqësi e madhe të punoj bashkë me Anylën dhe Renenë në një temë që më herët nuk është kontekstualizuar apo nuk është trajtuar kur kemi biseduar për artin në përgjithësi. Sidomos për historinë moderne të artit në pasluftë, veçmas nga perspektiva feministe”, ka thënë Krasniqi.

Ajo ka theksuar se në Kosovë ka munguar leximi më i gjerë i veprave të artisteve dhe artistëve që kanë eksploruar përvojat e shoqërisë së pasluftës. 

“Ajo çfarë ka munguar në Kosovë, ka munguar një lexim dhe një rishikim i veprave që kanë artiste në numër të madh dhe disa artistë kanë eksploruar disa çështje të kujtesës, identitetit dhe prezantimeve artistike në Kosovën e pasluftës”, ka thënë Krasniqi më tej. 

Me librin “Trupi si arkiv: Praktikat artistike performuese në Kosovën e pasluftës” autoret Renea Begolli dhe Anyla Kabashi kanë sjellë përpjekjen për të dokumentuar dhe rishikuar praktikat artistike të një periudhe të rëndësishme të historisë së re të Kosovës.