KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

«Ρωμαίος και Ιουλιέτα» στις τελευταίες πρόβες για την πρόβα του Θεάτρου

Ρωμαίος και Ιουλιέτα

Të enjten pasdite, katër ditë para premierës, provat për “Romeo dhe Xhulieta” kanë hyrë në fazën finale. Ajo që në ditët e para të procesit ka qenë koncept dhe skicë, tashmë ka marrë trajtë konkrete

Qysh se u bë e ditur se “Romeo dhe Xhulieta” e Shakespeareit, nën regji të Ilir Bokshit, do të jetë projekti me të cilin Teatri Kombëtar i Kosovës do ta hapë sezonin e ri, u paralajmërua si shfaqje madhore e cila sfidon kushtet në të cilat po realizohet. Tashmë është në prova finale për premierë të hënën, mungesa e hapësirës në objektin e Amfiteatrit është “përkthyer” edhe me krijim zgjidhjesh të reja e dalja në skenë është edhe një sprovë për Teatrin

Katër ditë para premierës së “Romeo dhe Xhulietës” së William Shakespeareit, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ritmi i provave është shtuar. Pas më shumë se një muaji pune në tekst, regji, dramaturgji dhe koreografi, ditët e fundit të procesit u janë kushtuar kryesisht detajeve që në skenë duhet të bashkojnë lëvizjen, hapësirën, dritën, tingullin dhe lojën e aktorëve në një tërësi.

Të enjten pasdite, në sallën ku do të prezantohet shfaqja, provat kanë hyrë pikërisht në këtë fazë. Ajo që në ditët e para të procesit ka qenë koncept dhe skicë, tashmë po merr trajtë konkrete. Efektet e projeksioneve në ekran lihen disi në hije, ndërsa përmes perdeve të gjata të bardha krijohet një lloj mjegullimi i hapësirës. Përpara tyre qëndrojnë elementet e mëdha të skenografisë dhe, midis tyre, lëvizin aktorët.

Kopshti, kisha, një hapësirë tjetër kishtare dhe ballkoni i Xhulietës janë disa nga vendet që shfaqen përmes rreth dhjetë elementeve skenografike. Disa prej tyre ngjajnë me banka shkollore, por në duart e ekipit teatral shndërrohen vazhdimisht për të krijuar hapësira të ndryshme të rrëfimit. Ndryshimi i tyre nuk është vetëm çështje praktike. Skenografia është konceptuar në bashkëpunim të ngushtë me koreografinë, në mënyrë që vetë transformimi i hapësirës të bëhet pjesë e lëvizjes së shfaqjes.

Kjo është edhe një nga veçoritë e konceptit skenik të regjisorit Ilir Bokshi, i cili “Romeo dhe Xhulietën” e sjell në skenë për hapjen e sezonit të ri të Teatrit Kombëtar. Dramaturgjia është e Zoga Çeta-Çitakut, koreografia e Robert Nuhës, ndërsa në ekipin krijues janë edhe kompozitori Memli Kelmendi, skenografi Petrit Bakalli, kostumografja Njomëza Luci, asistentja e regjisorit Ardiana Mehmeti, autori i videoprojeksioneve Arben Aliu dhe ndriçuesi Mursel Bekteshi.

Në ekip është ansambli prej 24 aktorësh. Valmir Krasniqi është në rolin e Romeos dhe Qendresë Jashari në rolin e Xhulietës. Në shfaqje luajnë gjithashtu Edona Reshitaj, Ylber Bardhi, Teuta Krasniqi, Eshref Durmishi, Veton Osmani, Blin Mani, Edlir Gashi, Labinot Rraci, Gani Rrahmani, Shpejtim Kastrati, Florie Bajoku, Alban Goranci, Elton Tahiri, Rrezon Zhinipotoku, Erza Sejdiu, Erxhan Mehmeti, Etnike Bogaj, Erina Sahiti, Aurora Hyseni, Lis Maliqi, Erëza Osmani dhe Medin Beqiri.

Skenat masive kërkojnë sinkronizim të vazhdueshëm, ndërsa oraret e gjata të punës kanë bërë që procesi të vazhdojë nga paraditja deri vonë.

“Provat po shkojnë shumë mirë, energjia është shumë e mirë. Jemi duke punuar shumë. Ka skena masive, ka shumë aktorë në skenë, janë njëzet e gjashtë veta nëse nuk gaboj. Jemi duke iu afruar premierës, më njëzet e tetë ne e kemi premierën. Jemi duke punuar shumë, përnjëmend jemi duke punuar paradite, pasdite, dhe e mira është se ekipi është aq i vullnetshëm, sa që shpeshherë harrojmë orare, nga dëshira ta bëjmë projektin sa më mirë”, ka thënë aktori Valmir Krasniqi, i cili do të luajë një nga dy protagonistët qendrorë dhe një nga rolet më të njohura në historinë e teatrit.

Për Krasniqin, i cili interpreton Romeon, përballja me një prej teksteve më të njohura të dramaturgjisë botërore sjell edhe përgjegjësi.

“Është nder për mua ta punoj ‘Romeo e Xhulietën’ dhe të jem në rolin e Romeos, në Teatrin Kombëtar, edhe atë nën regjinë e Ilir Bokshit. E kam fatin shumë të madh të punoj me të. Është njëfarë përgjegjësie, sepse është vepër që ne krejt e kemi lexuar, kemi parë filma të ndryshëm, shfaqje. Pastaj të kap njëfarë përgjegjësie që je duke punuar Shekspir”, ka treguar ai.

Në shfaqje, rrëfimi i dashurisë së dy të rinjve nga familjet rivale mbetet në qendër, por mënyra e interpretimit synon të ndërthurë kohë dhe forma të ndryshme të shprehjes teatrale. Sipas të dhënave, Romeo është i ri, i vrullshëm dhe i udhëhequr nga pasioni, ndërsa dashuria për Xhulietën e vendos përballë një konflikti që përtej ndjenjës personale lidhet me familjet, shoqërinë dhe fatin tragjik që i pret.

“Romeo është secili prej nesh kur kemi qenë në moshë rinore. Nuk dihet saktë, por thuhet që i ka aty diku 14 a 15 vjet. Pra, dihet që gjaku është i ndezur dhe Romeo është shumë pasionant, është shumë dashnor. Do me gjithë shpirt e zemër, edhe dashurohet lehtë, por në Xhulietën është dashuria e veçantë. Prandaj, për shkak të dashurisë së madhe që Romeo e ka, më pastaj ndodh si ndodh, vjen deri te tragjedia”, ka thënë Krasniqi.

Pikërisht ndërthurja e kohëve dhe e gjuhëve të ndryshme të interpretimit është një prej pikave mbi të cilat është ndërtuar puna koreografike.

Robert Nuha e përshkruan këtë qasje si kombinim të elementeve koreografike dhe skenike me forma të interpretimit fiziko-teatral.

“Është një kombinim ndërmjet kohërave. Kemi ndërtuar skena koreografiko-skenike dhe stil të interpretimeve fiziko-teatrale, të atilla që i shkojnë përshtat kërkesave të regjisorit dhe konceptit të tij mbi një temë universale për një ndër kryeveprat e Shakespeareit”, ka shpjeguar Nuha.

Sipas tij, sfida më e madhe ka qenë gjetja e një mënyre që këto elemente të ndryshme të flasin me të njëjtën gjuhë.

“Gjetja e këtij modaliteti të kombinacionit kohor dhe stilistik, si nga ana e qasjes në interpretim, e gjithashtu edhe në aspektin e ndërtimit lëvizor të përgjithshëm, ka qenë sfida më e madhe, mirëpo edhe arsyeja pse sot kemi arritur në ndërtimin e një shfaqjeje që flet me një gjuhë të unifikuar, origjinale dhe shumë kompakte në të gjitha drejtimet paralelisht”, ka thënë ai.

Kësisoj, skenografia nuk mbetet veç prapavijë e rrëfimit. Por se ndryshimi i saj bëhet pjesë e vetë koreografisë.

“Skenat kanë në qendër ndryshimin e skenografisë, që është e ndërtuar si koreografi po ashtu. Pra, ka qenë pikërisht ky qëllimi, që të gjendet një gjuhë që shkon uniform me njëra-tjetrën. Besoj se këtë e kemi arritur”, ka deklaruar Nuha për KOHËN.

Hapësira e Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar, në ndërkohë, ka qenë prej sfidave me të cilat është përballur ekipi. Është dashur të punohet në një hapësirë të vogël për një shfaqje me kaq shumë aktorë dhe me koncept skenik të gjerë.

Nuha ka thënë se pikërisht këto kufizime në disa raste kanë ndikuar në krijimin e zgjidhjeve të reja.

“Teatrin e ri Kombëtar e pret gjithë komuniteti, sepse nuk ka më kuptim të mos e kemi, mirëpo zgjidhja më e mirë në këtë kohë është kjo që është tani, dhe vlen të theksohet se Teatri ka qenë shumë bashkëpunues tërë kohën. Nganjëherë loja imponohet nga hapësira. Aq sa ka qenë pengesë në disa raste, na ka shtyrë të ndërtojmë diçka që është unike dhe që do të rrijë mirë në secilin teatër që do të prezantohet”, ka thënë koreografi Nuha.

Për aktorin Eshref Durmishi, i cili luan Zotërin Capulet, babanë e Xhulietës, tjetër sfidë ka qenë pikërisht edhe hapësira ku po punohet.

“Roli i Zotit Capulet është babai i Xhulietës. Një tip, mund të them, goxha bipolar. Mundohet të shtiret shumë i mirë, pastaj me çikën e vet është shumë i vrazhdë. Pra, është shumë i ashpër”, ka thënë Durmishi.

Ai e ka vlerësuar procesin e punës në kushte të vështira hapësinore, veçanërisht për shkak të akustikës dhe dimensioneve të skenës.

“Është shumë e papërshtatshme si hapësirë dhe si vend për shkak të zërit. Është sallë jofalënderuese, sepse duhet për të bërë shumë më shumë punë për të luajtur me zë. Përveç asaj, edhe si hapësirë është shumë e ngushtë. Ta bësh këtë punë kaq të madhe e kolosale, sa e kemi bërë me këtë hapësirë, vërtet është t’ia heqësh kapelën secilit që ka punuar këtu”, ka thënë ai.

Aktori Ylber Bardhi në këtë shfaqje interpreton Priftin. Për të, bashkëpunimi me regjisorin Ilir Bokshi është proces që tashmë ka histori të gjatë, ndërsa “Romeo dhe Xhulieta” dallon edhe për numrin e madh të aktorëve të përfshirë.

“Me Ilirin po është ndoshta shfaqja e dymbëdhjetë që punojmë bashkë. Është bërë shumë punë e madhe, e sidomos prej gjeneratës së re, të cilët, disa prej tyre, janë studentë, disa sapo e kanë kryer fakultetin e aktrimit. Prej tyre është bërë tepër punë e madhe”, ka thënë Bardhi.

Ai e përshkruan shfaqjen si tragjikomedi, ku krahas dramës së dashurisë së Romeos dhe Xhulietës, publiku do të përballet edhe me ritëm e elemente të tjera skenike.

“Prej që kemi ardhur prej Teatrit Kombëtar atje që u mbyll dhe kemi ardhur në Amfiteatër këtu, nuk ma merr mendja që është bërë një shfaqje me kaq shumë aktorë. Iliri gjithmonë ka dëshirë që në Teatrin Kombëtar të sjellë shfaqje të mëdha. Në vendin ku jemi këtu sot nuk i plotëson kushtet për shfaqje të tilla, mirëpo Iliri, me konceptin e tij, besoj që ia ka arritur një shfaqjeje të madhe, qysh ai ëndërron ta sjellë në këtë amfiteatër”, ka thënë ai duke paralajmëruar publikun.

“Besoj që publiku do ta pëlqejë atë, sepse është një tragjikomedi. Ka edhe elemente të ritmeve. Domethënë ka shumë elemente që publikun, besoj, do ta joshin për të ardhur për ta parë këtë shfaqje”, ka shtuar Bardhi.

Në skenë ai vjen si Prifti, një personazh që në rrëfimin e Shekespeareit bëhet një prej figurave kyçe në përpjekjen për bashkimin e dy të rinjve.

“Roli im është roli i Priftit. Është një personazh shumë interesant në ‘Romeon e Xhulietën’. Se çka bën Prifti, kisha pas qejf të vijë publiku dhe ta shohë se çfarë ndodh me Priftin në këtë shfaqje”, ka thënë Bardhi.

“Romeo dhe Xhulieta” do të ketë premierën më 28 shtator në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në kuadër të hapjes së sezonit të ri të këtij institucioni. Reprizat janë paraparë më 29 shtator dhe më 1 e 2 tetor, në orën 20:00.

Versioni i ri i “Romeo dhe Xhulietës” tashmë po pret vetëm momentin kur provat do t’ia lënë vendin shfaqjes së parë para publikut.