KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

«Νόμπελ» για την Αν Κάρσον που ακούει τον άνεμο και ζωντανεύει τον Χόμερ

Η Αν Κάρσον κέρδισε το βραβείο Νόμπελ Λογοτεχνίας

Anne Carson ka marrë “Nobelin” për letërsi duke u vlerësuar “për veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”

“Jam duke dëgjuar erën…”, ka qenë përgjigjja e poetes dhe eseistes kanadeze Anne Carson, kur i është dhënë lajmi se është laureate e “Nobelit” për letërsi. Edhe një çmim si ky s’ia ka prishur fare qetësinë e rutinën e zakonshme, por me poezinë e saj ajo ka trazuar personazhet e miteve antike, duke u dhënë atyre frymë krejt të re dhe unike. Poeti Visar Zhiti e të tjerë kanë thënë se edhe reagimi i saj mbase është sekreti i poezive

Biskota të kripura dhe çaji qenë shoqëruesit e saj derisa shikonte Arktikun nga dritarja e hapur e kuzhinës në kryeqytetin e Islandës, Reykjavik. Pak para orës 11:00 sipas kohës lokale, po zhurmonte telefoni. Merrte thirrje nga Stokholmi, ku ora lokale qe pak para 13:00.

Anne Carson nuk e prishi qetësinë. Qe me revistën “London Review of Books” në dorë dhe vëmendjen ia merrte era. Bashkëshorti Robert Currie u përgjigj. Kur mori vesh se kush po e kërkonte shkrimtaren, i tha asaj që t’ua bënte një telefonatë. Dhe në atë çast, Anne Carson (76) mori vesh se është laureatja e sivjetmë e çmimit “Nobel” për letërsi. E vazhdoi ritualin e mëngjesit, derisa sekretarja e Akademisë Suedeze, Ingrid Carlberg, fiks në kohën e caktuar doli para gazetarëve në sallën e institucionit dhe njoftoi botën se poetja, eseistja, prozatorja e përkthyesja, Carson, është lauretaja e sivjetmë “për veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”. Po ashtu tregoi se ajo po dëgjonte erën në momentin që pranoi lajmin. Një pjesë e botës letrare u befasua. Por jo edhe laureatja.

Pak minuta më pas ajo mori një tjetër telefonatë nga Akademia për të realizuar një intervistë të shkurtër. Shpjegoi se çfarë po bënte kur mori lajmin dhe situatën e quajti “paska të çmendur”. Pas insistimit për të nxjerrë ndonjë emocion a deklaratë më të fortë të intervistueses, Carson u përgjigj: “Më fal që nuk po sillem në mënyrë më dramatike për ju. Është thjesht një ditë e zakonshme”. Pak a shumë njësoj u përgjigj edhe kur u pyet se si do ta festojë lajmin. “Do të dalim dhe do të ecim në pyll, që të mos na duhet t’i përgjigjemi telefonit, të jem e sinqertë”, ka thënë ajo. E derisa Carson ka bërë xhiro në pyll, emri i saj bashkë me listën e veprave poetike, eseve e asaj që është prozë poetike kanë kapur ballinat e mediave botërore.

Mjegullimi i zhanreve

E përkthyer në disa prej gjuhëve të mëdha të botës – por jo edhe ndonjë vepër në shqip –  poetja Anne Carson u lind më 1950 në Toronto të Kanadasë. Në vitin 1981 botoi tezën e doktoratës në letërsinë klasike “Odi et Amo Ergo Sum”, dhe gjatë gjithë karrierës së saj ka ndërthurur shkrimin e poezisë me punën e përkthimit dhe mësimdhënien në universitete të ndryshme. Miteve antike u ka dhënë një tis modern. Sipas vlerësimit të Komitetit të Nobelit, pothuajse e gjithë veprimtaria e saj letrare është përqendruar në ndërthurjen mes obsesionit të filologut për fjalët dhe dëshirës së poetit për kuptim të ri. Ajo vetë e ka identifikuar etimologjinë e fjalëve si pikënisjen e gjithë punës së saj. Për Komitetin, përkthimet e saj nga greqishtja e lashtë mund të konsiderohen si vepra të pavarura më vete. Ndër ato është interpretimi i saj i fragmenteve të poezive të Safos, “If Not, Winter” (2002), si dhe tragjeditë “Elektra” (2001) dhe “Antigonea” (2015) të Sofokliut dhe “Bakkhai” (2015) e Euripidit.

“Në esenë e saj të gjatë ‘Eros the Bittersweet’ (1986), Carson vendos themelet e krijimtarisë së saj të mëvonshme. Me meditimin e saj të përpunuar shkëlqyeshëm mbi Erosin si thelbi dhe forca shtytëse e poezisë, libri mbështetet fuqishëm në një mbiemër të përbërë të Safos, i cili e përkufizon Erosin si ndërthurje të dhimbjes dhe ëmbëlsisë. Është pikërisht kjo ndarje, distanca midis të dashurit dhe të dashurës, që i jep forcë Erosit dhe e vë poezinë në lëvizje. Carson e arrin këtë në shkrimet e saj duke sjellë vazhdimisht zëra të ndryshëm që ndërveprojnë me njëri-tjetrin”, ka nënvizuar kryetari i Komitetit të Nobelit, Anders Olsson. Sipas tij, në “Eros the Bittersweet”, ajo flet për një ‘vizion stereoskopik” që i mundëson “të mbajë në ekuilibër njëkohësisht dy perspektiva”. Për Olssonin, një shembull i tillë është eseja “Economy of the Unlost” (1999), në të cilën Carson vë përballë poetin grek të shekullit 6 para erës sonë, Simonidi i Keosit, me Paul Celan, ndërsa në “Men in the Off Hours” (2000), ajo vendos në një linjë historianin Tukididi me Virginia Woolfin.

“Pikërisht përmes këtyre konstelacioneve letrare, shpesh të papritura, Carson është shkëputur nga poezia lirike e lidhur me unin narrativ dhe ka frymëzuar forma të reja të letërsisë bashkëkohore. Kjo mënyrë shkrimi çon në vepra lozonjare dhe ironike, të cilat lëvizin jo vetëm mes poezisë klasike dhe asaj moderne, por edhe mes zhanreve dhe formave të ndryshme të artit”, nënvizon Olsson në një arsyetim të gjatë të Akademisë.

Vitet ’90 llogariten dekada kur Carson botoi një seri veprash të rëndësishme. Midis tyre “The Glass Essay” në “Glass, Irony, and God” (1995), e cila demonstron potencialin e poemës së gjatë, “ku kufijtë mes zhanreve shihen duke u mjegulluar”. Sipas Akademisë, derisa vepra është shkruar në vargje, ajo është njëkohësisht një rrëfim i gjatë për pikëllimin dhe dashurinë e pashpërblyer, në të cilin, narratorja në vetën e parë, një grua që është lënë nga bashkëshorti i saj, viziton nënën e vet të vetmuar në hapësirat e shkreta moçalore. Gjatë udhëtimit atje, në këtë narracion, ajo merr me vete veprat e autores së saj të preferuar, Emily Brontë, peizazhet moçalore dhe bota e brendshme e së cilës ndërthuren në mënyrë të ndërlikuar në tekst.

“E ndërtuar rreth tri grave të vetmuara që qëndrojnë ulur rreth një tavoline kuzhine, poema e gjatë, e cila është njëkohësisht edhe një lexim i Brontë, shndërrohet kështu në një ese për braktisjen. Poezia ka nevojë për rrëfimin, ndërsa rrëfimi, nga ana tjetër, varet nga kapërcimet dhe ndryshimet e skenave të poezisë, të cilat Carson i përdor me një virtuozitet të tillë”, arsyeton Olsson.

Aktualizimi i traditës klasike

Në të njëjtën dekadë u botua një tjetër vepër, shpesh e cilësuar si më e madhja e Carson, “Autobiography of Red: A Novel in Verse” (1998). Sipas arsyetimit të Akademisë, kjo vepër dëshmon aftësinë e saj të jashtëzakonshme për ta aktualizuar traditën letrare klasike.

“Me një ndjeshmëri të saktë ndaj idiomave dhe përvojave bashkëkohore, ajo merr si pikënisje fragmente poezish të poetit grek të shekullit 6 para erës sonë, Stesihori, që lidhen me përbindëshin e kuq me krahë, Gerion. Ndërsa miti përshkruan se si Herakliu, duke përmbushur një nga detyrat e tij, e vret Gerionin dhe i vjedh bagëtinë, Carson e rikrijon gjigantin e frikshëm si një ‘hero’ të ndjeshëm, të përkushtuar ndaj nënës së tij, në atë që shndërrohet në një ‘Bildungsroman’ modern”, shkruan Olsson. Shkrimtarja që ka fituar disa prej çmimeve prestigjioze që bota njeh, dikur e përshkroi mërzinë si armikun e saj kryesor dhe është një gjendje me të cilën përballet përmes një humori dhe zgjuarsie të jashtëzakonshme. “The Beauty of the Husband: A Fictional Essay in 29 Tangos”, botuar në vitin 2001, rrëfen një grindje therëse dhe sarkastike me një bashkëshort mashtrues, ku secili prej njëzet e nëntë episodeve hapet me vargje të poetit romantik, John Keats.

“Një nga veprat e paharrueshme të Carson është ‘Nox’ (2010), shkruar në kujtim të vëllait të saj Michael, i cili ishte zhdukur në mënyrë misterioze para vdekjes së tij në Danimarkë në vitin 2000. Këtu ndihet fuqishëm një ndjesi e thellë humbjeje, e cila ngjitet nga thellësia. Rezultati është një krijim sa skulpturor aq edhe letrar, një epitaf në formën e një kutie që përmban një libër të palosshëm në formë fizarmonike me fotografi, letra dhe tekste të tjera të shkruara, kushtuar vëllait të saj të ndjerë”, shkruhet në arsyetimin e Akademisë. Komiteti i Nobelit vlerëson se gjatë gjithë krijimtarisë së saj, Carson i eksploron me një lehtësi të veçantë mundësitë e shkrimit, një proces, përmes të cilit, skica letrare është shndërruar në diçka me vlerë të veçantë për të. Dëshmi për këtë është marrë “Float” (2016). Një tjetër është “Wrong Norma” (2024), një ndërthurje e larmishme tekstesh me një aspekt të fuqishëm performativ, në të cilën Carson kalon në fusha të ndryshme artistike dhe akademike.

“Bashkëpunimet e saj me artistë pamorë dhe koreografë, si dhe me regjisorë të operës dhe teatrit, dëshmojnë lirinë me të cilën ajo lidhet me pritshmëritë letrare dhe sistemet e rregullave. Pikërisht kjo qëndron pas rëndësisë së jashtëzakonshme që vepra e saj ka pasur që nga vitet ‘90, për skenën ndërkombëtare të artit dhe letërsisë”, përfundon arsyetimi i Komitetit të Nobelit.

Transformuesja e mendimit për letërsinë

Jo veç Akademia Suedeze konsideron se ajo i rikrijoi klasikët. Pasi lajmi për Carson si laureate e çmimit prestigjioz u shpërnda në botë, kryeministri kanadez, Mark Carney, e uroi atë.

“Me zgjuarsi, imagjinatë dhe një stil tërësisht të sajin, poetja kanadeze, Anne Carson, i ka rikrijuar klasikët. Ajo u ka sjellë historitë e lashta audiencave të reja dhe ka transformuar mënyrën se si mendojmë për letërsinë”, ka shkruar ai në “X” duke shtuar se ishte një “moment krenarie për Kanadanë”. David Leonard, drejtor ekzekutiv i ‘Writers’ Trust of Canada’ ka vlerësuar se Carson është një shkrimtare e jashtëzakonshme.

“Vepra e saj është e gjerë, por gjithashtu jashtëzakonisht inteligjente”, ka thënë ai. Duke e cilësuar veprën e Carson si “dehëse”, ai ka komentuar se karriera e saj katërdekadëshe ka rezultuar në një koleksion të paarritshëm poezish dhe esesh.

“Ato janë të bukura, janë të zgjuara, janë të vërteta dhe janë njerëzore. Është pikërisht ajo që na nevojitet në letërsinë tone”, ka deklaruar ai për media prestigjioze.

Vepra e Carson ka marrë vlerësime edhe nga shkrimtarë të tjerë, përfshirë Susan Sontag, e cila para disa vjetësh kishte deklaruar:: “Ajo është një nga të paktat shkrimtare që shkruajnë në anglisht, nga të cilat do të lexoja gjithçka që shkruajnë. Nëse ka një revistë që përmban diçka të sajën, e blej automatikisht”. Ira Wells, president i “PEN Qendrës” në Kanada, ka konsideruar se shpallja laureate e Carson dukej veçmas domethënëse në një moment kur Kanadaja dhe Evropa po forcojnë lidhjet kulturore, në mes të një tronditjeje më të gjerë globale.

“Në nivel estetik, vargjet e Carson vibrojnë në frekuenca të thella njerëzore, në një kohë kur gjithnjë e më shumë gjuhë po formulohet nga makinat”, ka thënë ai.

Ballkani periferik dhe Homeri

Në vargjet e saj, saktësisht në “Irony Is Not Enough: Essay on My Life as Catherine Deneuve” që është diçka mes esesë dhe poemës zë pak vend edhe Ballkani. Botuar në vitin 2000 në librin e saj “Men in the Off Hours”, Carson përmend emisar paqeje në Ballkan. Emisari në veprën e saj është “i magjepsur nga tmerret”. Pa lidhje direkte, është koha kur shumë emisarë ia mësynë Kosovës së pas luftës me Serbinë ku mbetën të vrarë mbi 10 mijë civilë, prej tyre mbi një mijë fëmijë.

Poeti Visar Zhiti, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e i cili është po ashtu viktimë e tmerrit ballkanik – saktësisht i komunizmit në Shqipëri –  ka thënë për KOHËN se çmimi “Nobel” është i bukur.

“Do të thosha, e meritojnë shumë, ndoshta edhe më shumë, por gjithsesi e merr vetëm njëri, që e meriton po aq. Kur kam pyetur një herë një kandidat për Nobelin, poetin e madh italian, Mario Luzi, ai më tha se: ‘Nobeli është si çdo çmim, nuk ia ka borxh kujt dhe nuk gjykohet e nuk ka justifikim’. Më pëlqen të mendoj ashtu…”, ka thënë ai. Sipas Zhitit, vlerësimi i Akademisë Suedeze për shkrimtaren Anne Carson është vërtet i bukur. Ka përmendur fjalinë “për veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.

“Për më shumë, më pëlqen ajo që tha poetja kur i dhanë lajmin me telefon ata të Akademisë: ‘Jam duke dëgjuar erën…’. Ky mbase është edhe sekreti i poezisë dhe i çmimeve të saj. Të dish të dëgjosh dhe të dëgjohesh… me poezi!”, ka thënë Zhiti.

E përkthyesi Sokol Çunga në rrjete sociale ka kujtuar se para disa vjetësh, në ditët e sikletshme të pandemisë, Rita Filipi i propozoi të përkthente e të botonin ato tekste që kanë mbijetuar nga Safoja. Ka shkruar se në dorë kishte përkthimin e Anne Carson.

“E pranova, përkthimi u botua, Carson me parathënien dhe shënimet e saj më ndihmoi të kuptoj drejt Safon. Më pas erdhi ‘Antigona’, edhe kjo vepër e përkthyer nga Carson (por nuk iu referova teksa punoja). Të dy librat gjenden mes përkthimeve të ’Albas’. Ajo që mësova prej punës, gjë që e thotë edhe Carson e më ndikoi në përmasën teorike, është fakti se më shumë se kurrë shoqëria e sotme ka nevojë për klasikët. Sot Anne Carson mori Çmimin ‘Nobel’ në Letërsi për vitin 2026. Më shumë vëmendje për klasikët!”, ka shkruar Çunga.

Kurse shkrimtari Agron Tufa ka veçuar tri vepra të nobelistes. “Autobiography of Red”, sipas tij,  “paraqet një ridimensionim modern të mitit orografik të Geryonit, bishës së kuqe e me krahë që u vra nga Herakliu”.  

“’The Beauty of the Husband’, ky libër poetik, me nëntitullin ‘Ese artistike në 29 tango’, sjell historinë e një dashurie, të martesës dhe shkatërrimit të saj. Heroina pa emër sjell ndërmend marrëdhënien me një burrë, bukuria dhe sharmi i të cilit bënë që ajo për një kohë të gjatë t’i mbyllte sytë para pabesisë së tij”, ka shkruar Tifa. Kurse për “Nox” ka thënë se është libër eksperimental poetik që i kushtohet vëllait të ndjerë të shkrimtares.

“Carson u drejtohet fotografive familjare, letrave, kujtimeve dhe poezisë së lashtë romake, duke u përpjekur të kuptojë jetën dhe vdekjen e tij. Vendin qendror e zë përkthimi i një poezie të Catullusit, kushtuar vëllait të vdekur të poetit. Libri vjen i formësuar si një harmonikë që shpaloset prej teksteve, fotografive dhe kolazheve. Ky është një meditim mbi kujtesën, pikëllimin dhe pamundësinë për ta njohur deri në fund qoftë edhe njeriun më të afërt”, ka shkruar Tufa.

Laureatja e “Nobelit” edhe gjatë ecjes në pyll të enjten pasi ka marrë lajmin e madh është kujtuar. Kësaj radhe edhe se si do ta përdorë shumën monetare prej mbi një milion euro që i akordohet bashkë me çmimin.

“Thjesht po mendojmë për mënyra se si t’i japim paratë. Kemi një mik që ka nevojë për një shtëpi. Dhe ne, ne gjithmonë i japim shumë para ‘Mjekëve pa Kufi’”, ka thënë ajo në intervistën e shkurtër për Akademinë. Në pyetjen se si i qaset një projekti të ri shkrimi, ajo është përgjigjur se fillon në mes. Këtë këshillë e ka pasur edhe për letrarët e rinj.

“Fillo në mes. Është i vetmi rregull që kam. Çfarëdo që kjo mund të nënkuptojë për ty, gjeje mesin, fillo aty”, ka thënë Carson. E pyetjes për burimin e frymëzimit i është përgjigjur shkurt. “Homeri”, ka thënë Anne Carson.